Vetëm gjatë fundjavës 28 të arrestuar në të gjithë vendin

415
Policia e Shtetit vijon punën për të goditur paligjshmërinë në vend, ku vetëm gjatë kësaj fundjave janë arrestuar 28 persona për vepra të ndryshme penale dhe janë shpallur në kërkim e procedohen në gjendje të lirë dhjetëra të tjerë. Kështu, në drejtim të parandalimit dhe goditjes së vjedhjes së energjisë elektrike në të gjithë vendin kanë vepruar në terren 80 grupe të përbashkëta POLICI-OSHEE. Gjatë kontrolleve u evidentuan 36 raste të vjedhjes së energjisë elektrike me 36 autorë. 

 Nga këta, 20 autorë janë arrestuar në flagrancë, 3 autorë janë shpallur në kërkim dhe 13 autorë ndiqen në gjendje të lirë. Në fushën e ndërtimeve të paligjshme, në të gjithë vendin janë evidentuar 25 raste të ndërtimeve pa leje. Për këto raste janë evidentuar dhe proceduar 25 autorë nga të cilët, 6 autorë janë arrestuar në flagrancë, ndërsa 17 autorë ndiqen në gjendje të lirë dhe 2 autorë janë shpallur në kërkim. Në kuadër të masave për parandalimin e prerjeve të paligjshme të pyjeve , gjatë kësaj periudhe në të gjithë vendin janë evidentuar 12 raste me 12 autorë, nga të cilët 2 janë arrestuar në flagrancë dhe 10 ndiqen në gjendje të lirë. Ndërsa në fushën e organizimit të lotarive të palejuara, Policia e Shtetit ka evidentuar 13 raste me 13 autorë, të cilët ndiqen në gjendje të lirë.
Sigal