Zyrtarët e institucioneve në Elbasan nuk njohin ligjet. Ja statistikat alarmante

613
Nuk është çudi të themi me bindje dhe fakte, se ka mjaft zyrtarë në institucionet e Elbasanit që nuk i njohin ligjet e shtetit, duke krijuar probleme të kota dhe shqetësime tek qytetarët. Aq sa nuk njohin ligjet, nuk njohin dhe nuk dinë të interpretojnë edhe udhëzimet që rrjedhin prej tyre, gjë e cila sërish rëndon zgjidhjen e problemeve të qytetarëve. Ajo çka po ndodh sot në institucionet e shtetit në Elbasan dhe jo vetëm atje, mund të quhet ndryshe “kaos institucional”. Kjo, pasi në asnjë institucion të shtetit, nuk takon një zyrtar të interpretojë drejt ligjin, por vetëm sa i referohet atij me mangësi të theksuara, dhe nuk e zbaton as verbalisht atë, ndërkohë që udhëzimet që rrjedhin prej tyre nuk dine as ti lexojnë. Duke u ndalur në institucionet e shtetit në Elbasan, në marrëdhëniet mes tyre dhe qytetarëve por edhe subjekteve private, konstaton se zyrtarët (ose rilindasit) nuk i njohin ligjet, kanë mangësi në formimin profesional, dhe i keqinterpretojnë ato shpesh. Konflikti mes qytetarëve dhe institucioneve vjen pikërisht nga zyrtarët e painformuar, dhe kjo sidomos tek të rinjtë e punësuar me gjoja “konkurs”, duke thelluar konfliktin mes subjekteve private dhe institucioneve të shtetit. Kjo ngjet në çdo institucion, në arsim, shëndetësi, Bashki, Qark, Prefekturë, ZRPP, ALUIZNI, ISHP, etj. Duke marrë si shembull vetëm një hallkë në dukje e parëndësishme e institucioneve të shtetit, Institutin e Monumenteve të Kulturës në Elbasan, konstaton se asnjë ligj dhe udhëzim i Ministrisë Kulturës nuk interpretohet drejt nga zyrtarët e kësaj dege. Para disa ditësh, u njoftua për një ngërç institucional mes disa subjekteve private që operojnë në qytetin e Elbasanit si dhe degës së Institutit të Monumenteve të Kulturës. Kur subjektet private shkelin ligjet, dega e IMK, në rastin më të mirë i bllokon, dhe pas zhurmës mediatike konstaton se ndërtimet vazhdojnë, dëmtimi vlerave historike nuk ndalet.

 Megjithëse u publikua se një subjekt ka paditur degën e IMK , Prokuroria e Elbasanit i është shmangur çdo informacioni lidhur me këtë rast. Ndërkaq, subjekte ndërtimi e persona që kanë lidhje me monumentet në Elbasan thonë se “është firma private që e ka bërë këtë padi penale, pasi zyrtarët e Monumenteve nuk dine të sqarojnë dhe interpretojnë ligjet e shtetit”. Në Elbasan ka individë dhe firma të gjobitura, të denoncuara, nga dega e Institutit të Monumenteve për dëmet që i kanë shkaktuar në kontekstin historik e monumental qytetit. Pak muaj më parë u gjendën të hedhura në aksin rrugor Elbasan-Librazhd gjurmë arkeologjike, thesare, vlera të jashtëzakonshme. Dega e IMK, njoftoi Prokurorinë, kjo e fundit, policinë, dhe kjo e fundit u mundua ta mbyllë veprën penale me “vërejtje shoqërore”. Shkurt e saktë, uniformat e shtetit u përdorën si “shkes” në pajtimin institucional dhe ligjor mes abuzuesit me ligjin dhe një institucioni të shtetit. Dega e IMK e denoncoi subjektin për dëmin e shkaktuar në qendër të Elbasanit, dhe deklaroi se “do ta denonconte në Prokurori duke nisur betejën juridike”. Interpretimi keq i ligjeve nga institucionet bëhet nga drejtuesit e rinj, të cilët as i dinë dhe as i zbatojnë ato. Vonesat e përcaktuara në ligj kanë shërbyer për të nisur goditjen politike. Sipas ekspertëve nga organet e drejtësisë “në rastin konkret IMK” nuk ka respektuar afatet që i njeh ligji për dërgimin e specialistëve arkeologë për mbikëqyrjen e punimeve gjatë gërmimeve në qendër të Elbasanit”. Të paditurit, tashmë kundërpaditë, siç njihen në terminologjinë juridike, nuk kanë toleruar më vonesat, të cilat do të thonë humbje monetare dhe kanë trokitur në Prokurori.

 Duke sfiduar ligjet e shtetit, hetuesit thonë se “drejtuesit e rinj të mjaft institucioneve kanë mangësi të theksuara në njohjen juridike, dhe po fusin institucionet në rrugë pa krye”. Në morinë e probleme me të cilat është ndeshur organi akuzës veçanërisht muajt e fundit, Prokuroria veçon dëmet e pariparueshme që kanë sjellë gërmimet në pesë pika të cilësuara shumë të nxehta për sa i përket dëmtimit të pasurisë së nëntokës së Elbasanit. Qendra e qytetit realisht ka pësuar ndryshime rrënjësore, pasi edhe është investuar në vitet e fundit. Departamenti i Arkeologjisë nuk është përfshirë në detyrimin e subjekteve të ndërtimit për të pasur në marrëveshjen për ndërtim edhe një ekspert të arkeologjisë. Kjo i ka dhënë mundësi industrisë së ndërtimit të shpërfillë çdo ankesë të departamenti IMK. Në mjaft zona firmat dhe persona të veçantë kanë zhdukur pasurinë arkeologjike të zbuluar nga gërmimet duke i hedhur në kanalet e periferisë. E ndërsa arkeologët fajësojnë subjektet, këto të fundit ankohen sepse nuk gjejnë në institucionet e shtetit juristë që të njohin ligjet. Logjika e gjitha këtyre rasteve me pasoja të rënda për trashëgiminë arkeologjike ka një prapavijë të përcaktuar, e cila thellohet nga mosnjohja e ligjeve të shtetit. Firma dhe persona të veçantë me mbrojtje politike, po shkatërrojnë pasuritë e nëntokës, duke ndarë shpërblime për të heshtur, në një kohë kur Elbasani ka disa projekte të rëndësishme investimesh. Dueli Prokurori – Institut Monumentesh apo duelet mes disa institucioneve, që janë pasojë e keqinterpretimeve të ligjeve ka gjasa të zgjasë deri në fund të mandatit qeverisës. Duke renditur këto raste dhe qindra të tjera, që vetëm interpretime dhe zgjidhje ligjore nuk marrin, padyshim mbetet të mendosh se shteti ka kohë që po ecën në “drejtimin e paditur”.
Fakte dhe statistika alarmante 
Faktet dhe statistikat flasin vetë. Mosnjohja e ligjeve dhe udhëzimeve nga institucionet e shtetit në Elbasan, u kanë shkaktuar qytetarëve veç shpenzimeve financiare edhe lodhje dhe sfilitje, në mbi 3016 raste, kur ata janë sorollatur dyerve dhe zyrave, duke gjetur disi “shpëtim” vetëm kur kanë trokitur në dyert e dikastereve në Tiranë. Kështu për shkak të mosnjohjes dhe keqinterpretimit të ligjeve mbi 1116 raste janë regjistruar nga ZRPP, mbi 809 raste nga ALUIZNI, mbi 112 raste nga DAR, Drejtoria e Spitaleve, mbi 86 raste nga DSHP dhe mbi 833 raste nga strukturat e policisë, Tatimet dhe Doganat. Ashtu sikurse ka ndodhur gjithmonë, barra dhe kostot e inkompetencës dhe injorancës së zyrtarëve “Rilindas”, që nuk kanë lënë zyrë pa mbushur në institucionet e Elbasanit, ka rënë dhe do të vazhdojë të bjerë mbi xhepat e qytetarëve të thjeshtë. Vetëm tek ata shikohet “gjilpëra në kashtë”, vetëm tek ata shikohet dhe (keq) interpretohet çdo germë dhe fjali e ligjeve dhe udhëzimeve, ndryshe nga çka ndodh me “të fortët”, me kapot apo me “elitën”, e cila i shkel ligjet çdo ditë, duke përfituar prej tyre miliona. 
Sigal