Galeritë e minierave vijojnë të marrin në thellësitë e tyre jetë njerëzish. Një tjetër minator ka humbur në minierën e Bulqizës mbrëmjen e kësaj të enjte dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë. Minatorët shqiptarë përveçse punojnë në mungesës së kushteve të sigurisë, gjithashtu nuk respektohet as mosha e daljes në pension. Izet Keta, 60 vjeç përgjegjës i turnit në galerinë 44 nuk arriti të dalë i gjallë nga thellësitë e tokës këtë mbrëmje. Ndërsa më me fat ka qenë kolegu i tij, punëtori Agron Daxha 50 i cili mbeti Ii plagosur.
Rreth orës 19:15 në galerinë e firmës Kevger me administrator Eltion Deda ka pasur një shpërthim. Burime për Shqiptarja.com bëjnë me dije se dy punëtorët kanë qene duke furnizuar me karburant një makineri në thellësi të galerisë dhe pas kësaj ka ndodhur shpërthimi. E ndërsa policia po kryen të gjitha veprimet hetimore për të zbardhur të vërtetën e kësaj ngjarje të rëndë, mësohet se firmës Kevger disa vite më parë ishte ndëshkuar me heqje të drejtës së ushtrimit të aktivitetit për shkelje të rregullave të sigurisë në punë.