Spartak Topollaj: “Korrigjimi” i Kufijve është një tjetër copëzim i trojeve shqiptare

739
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Spartak Topollaj, diplomat në intervistën për gazetën “Telegraf”, folur për Çështjen e Kosovës, analizon ndalimin e zv.kryeministrit Pacolli nga autoritetet serbe me rastin e Gjuriç në Prishtinë, duke thënë se nuk ka asnjë analogji diplomatike dhe politike. Zoti Topollaj thotë se “Korrigjimi” i kufijve është qartësisht copëzim i trojeve shqiptare dhe kjo ide nuk është e presidentit Thaçi, por është çorbë e gatuar në Beograd. Zoti Topollaj shprehet se heshtja zyrtare e qeverisë së Rilindjes Socialiste dhe e ministrisë sonë të Jashtme është miratimi “Pro” qëndrimeve të Thaçit. Zoti Topollaj shprehet se “Korrigjimi” i kufijve mes Serbisë dhe Kosovës do të kundërshtohet edhe nga Greqia, Maqedonia, ndërsa shtetet kryesore të Evropës, ende nuk janë shprehur, ndërsa Administrata e Presidentit Trump do të mbrojë, edhe kësaj here, interesat e shqiptarëve.

-Zoti Topollaj, autoritetet e Beogradit i mohuan hyrjen në Serbi zotit Pacolli, duke u sjellë në analogji me çfarë i ndodhi Marko Gjuriçit në Prishtinë. A ka reciprocitet në këtë sjellje diplomatike?

– Brenda të gjitha rregullave diplomatike, mbështetur edhe te një nga pikat e pakta të Marrëveshjes se arritur deri tashmë në Bruksel ,Z. Pacolli kërkoi leje hyrje për pjesëmarrje në një aktivitet publik që mbahej në Nish, ku edhe ishte i ftuar. Autoritetet serbe e refuzuan lejen me pretekstin absurd të Daçiçit, se po te ndodhte kjo, serbët do të duhej të silleshin me Pacollin, ashtu si shqiptarët u sollën me Marko Gjuriçin, të cilin autoritetet e Kosovës e ndaluan të hyjë, madje pas mos bindjes së tij e kthyen forcërisht andej nga kish ardhur. Daçic “po bën petulla” për një ndarje të Kosovës dhe me shefin e ri, Vuçic (një tjetër kameleon politik serb ky, i rilindur, pasi ishte ndër më konfidentët e kriminelit Sheshelj) zgjasin pa fund bisedimet e Brukselit! Ana Brnabiçin e kanë lënë të merret me hallet e mëdha që kanë shoqatat e LGBT (si e dyta kryeministre e Serbisë, pas Petar Zivkovićit (1879-1947) e deklaruar gay. Nuk dihet çfarë duhet t’i ketë thënë Ues Micell atij (se Sekretari Pompeo s’pati kohë ta priste), apo nëse ia mori këngës në Uashington këto ditë, si para “Sulltan” Erdoganit, vëllait mysliman të kryeministrit tonë ortodokso-katolik, por një gjë dihet mirë: Kosovën nuk ka forcë që ta ndajë! Presidenti Trump, e di mirë si vihen në rresht Kim-ët e Koresë, Ruhanët e Iranit, apo këta Vuçiçët e Daçiçët dhe gjithë HIÇËT e tjerë të Serbisë. Këtë shkrim po e mbyll me një pyetje: a mund të na japë përsëri leksione demokracie e qytetarie nga serbët Ivica Daçiç?!

– Po si qëndron e vërteta?

– Gjuriçi dhe shumë politikanë e klerikë ortodoksë serbë kanë hyrë shpesh në Kosovë pa lejen e autoriteteve kosovare, madje edhe në rastet kur leja u është akorduar, ata e kanë keqpërdorur atë politikisht nën moton Kosova është Serbi! Me një tolerancë të admirueshme autoritetet kosovare në shumicën dërrmuese të rasteve nuk kanë ndërhyrë. Vetëm dy herë ka ndodhur moslejimi dhe kthimi mbrapsht, së pari, treni me parullat Kosova është Serbi dhe së dyti rasti Gjuriç Daçiç, duke dashur të japë leksione serbësh të “qytetëruar”, bëri një autogol fatal në sekondat e fundit të kohës shtesë, teksa krahasoi të pakrahasueshmet, rastin Gjuriç me rastin Pacolli, në të cilin ky i fundit, as që tentoi të hyjë!

– Sipas jush, çfarë do të thotë “korrigjim kufijsh”?

– Pyetje interesante kjo, që meriton një përgjigje të kujdesshme, paçka se mund te duket aspak “diplomatike “. Është e njohur botërisht se si Kongresi i Berlinit 1878, ashtu dhe Konferenca e Ambasadorëve në Londër, Dhjetor 1913, shkëputën padrejtësisht, gati gjysmën e trojeve shqiptare nga trungu i Mëmëdheut! Në këtë kuptim Evropa, aspak miqësore me shqiptarët asokohe, sot, që ne jemi pjesë e shumë strukturave të saj, pjesë e NATO-s dhe presim futjen në BE, mund të rekomandojë “korrigjim kufijsh”, por kjo vetëm në favor të shqiptarëve, të cilëve ajo u mbetet përjetësisht borxh! Tani, në një propozim marrok del krejt papritur një shqiptar, madje as më pak e as më shumë, por vetë Presidenti i Kosovës Thaçi, përndryshe “Gjarpri” i dikurshëm.

– Mendoni se kjo është ide e presidentit Thaçi?

– Nuk mund të jetë kurrsesi ide e Thaçit kjo. Mendoj se kjo çorbë e gatuar në Beograd, apo në Moskë, do të thartohet shpejt në vapën e gushtit, mjerë ata që do e gëlltisin se nuk do iu ndalet lehtë diarreja dhe do mbeten me ushkur në dorë!

A mund të parashtrojnë qoftë edhe për diskutim, qoftë edhe për matje të opinioneve, të tilla ide, cilado palë qoftë, Thaçi, apo Beogradi, pa qenë diskutuar më parë me udhëheqësit e BE, sikurse Gjermani, Franca dhe me SHBA dhe Rusia?

Së pari, kjo ide duhet të diskutohej në të gjitha instancat shtetërore të Kosovës, e nëse udhëheqësia e përfaqësuesit e ligjshëm në Kosovë do pranonin se nuk janë mirë nga mendja e kokës , le t’iu a propozojnë Fuqive të Mëdha?! Nuk i falet askujt të bëjë pazare të tilla me trojet, fatet dhe gjakun e derdhur lumë të shqiptarëve, deri sa u mbërrit këtu ku jemi sot! E nëse Thaçi, apo dikush tjetër, faturat personale, kërkon t’i paguajë me klering nga më e shtrenjta dhe e patjetërsueshmja tokë e Kombit Shqiptar, historia, jo vetëm s’do ia njohë edhe ato dy pushkë që hodhi me UÇK-në (e më shumë rrinin te Rogneri me Fatos Klosin në Tiranë ), por do t’i vërë vetes një njollë të pashlyeshme!

– A mendoni se SHBA do të ketë të njëjtin qëndrim politik me Gjermaninë e Francën, për një korrigjim kufijsh midis Kosovës dhe Serbisë?

– Deri me tani, nuk dihet zyrtarisht që Franca dhe Gjermania të kenë kërkuar “korrigjimin”, madje unë nuk besoj të vijmë deri këtu, nga që kjo do përbënte një precedent të rrezikshëm në Evropën me boll probleme, pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe BRSS. Sa për SHBA, deklarata zyrtare e Departamentit të Shtetit, nuk lë vend për ekuivoke. Personalisht, besoj te politika e Jashtme e Trampit, që ndryshon dukshëm nga ajo e Administratës Obama.

Sipas jush, pse korrigjimi i kufijve është copëzim i trojeve shqiptare?

– “Korrigjimi” i Kufijve është absolutisht një tjetër copëzim i trojeve shqiptare dhe kjo do të ishte sa e papranueshme, aq dhe e pafalshme, qoftë dhe si ide provokativo-testuese. Nuk di sa është adekuat si krahasim, por kjo më kujton fjalët dhe kalkulimet e çuditshme matematike të Piktor Ramës, teksa rritjen drastike të çmimit te energjisë elektrike (apo rritjet e tjera të çmimeve e taksave), na i paraqet si ulje!

– Pse fqinjët tanë, Greqia, Maqedonia nuk e duan as korrigjimin e kufijve, që siç duket, janë dakord edhe Thaçi, edhe Vuçiç?

“Korrigjimi” i Kufijve do te hapë Kutinë e e Pandorës, për Greqinë, Maqedoninë, etj. Tani për tani, të paktën këto dy shtete po mbajnë një qëndrim pritës dhe nuk ka ende një prononcim zyrtar të Athinës e Shkupit, ndoshta se po përballen me kundërshtitë e opozitave respektive, por dhe opinionit të gjerë për Çështjen e Emrit dhe nuk duan të hapin për momentin jo oportun, të tilla çështje delikate. Nga ana tjetër, Vuçiç, me përkrahjen shumëplanëshe të Rusisë, po shfrytëzon më së miri lodhjen dhe përgjumjen e burokratëve të Brukselit, për të mos thënë edhe një farë pendese, që gjenia Kadare e ka zbuluar i pari, e cila po shfaqet gati 20 vite më pas, për bombardimin më së të merituar të Beogradit milosheviçian!

Pse hesht deri tani, qeveria shqiptare dhe ministria jonë e Jashtme për debatin që është hapur për deklaratat e Thaçit për korrigjim kufijsh?

Heshtja e deritanishme e qeverisë shqiptare dhe MPJ-së sonë, në rastin më të mirë është kompromentuese. Duket qartë se Tirana me heshtjen e saj, i ka thënë “PO” Thaçit, madje edhe akuzat që i bëri Berishës ishin dukshëm të qarta se qenë gjellë të mbetura e të prishura në vapën e paparë të këtij gushti në mensat e konvikteve politike të Tiranës e Beogradit! Hipokrizia e Thaçit, pas përdredhjes si “gjarpri”, se nuk e kishte fjalën për Prof. Dr. Sali Berishën, ishte me të vërtetë për Guinness, por reagimi për vlerat e kontributin e jashtëzakonshëm të Berishës, e detyruan Thaçin të lëpinte atë që pështyu, se ishte po ky Thaç, që jo shumë kohë më parë fliste me superlativa për Doktor Berishën, sa në Kryeministri, aq edhe në Tunelin e Kalimashit në Rrugën e Kombit! Një amnezi e tillë paguhet me largim nga politika.

Demarkacioni i Kosovës me Malin e Zi, a ishte njëfarësoj, një korrigjim kufijsh, por me terma të buta diplomatike?

– Po, ishte një “korrigjim” i Kufijve dhe kjo duhet pranuar si e tillë. Ne e pamë cili qe reagimi i politikës dhe opinionit publik në Kosovë, si edhe presioni i fortë i Ndërkombëtarëve. U luajt me ndarjen administrative të gjashtë Republikave dhe dy Krahinave Autonome të Jugosllavisë së Titos, u kushtëzua me heqjen e vizave për qytetarët kosovarë, u tha që Mali i Zi e njohu Kosovën, u tha që Mali i Zi shtypi përpjekjet për grusht shteti serbo-rus, etj, etj, ndaj dhe pas një rezistencë të ligjshme, u gjet kompromisi dhe u bënë 80 votat e duhura, por rastet me Serbinë nuk ngjajnë! Në mbyllje, më duhet të them, se jam plotësisht dakord me KM Haradinaj, se kufijtë tashmë mund të korrigjohen vetëm me luftë dhe më mirë se kushdo e dinë serbët këtë, këta humbës të mëdhenj të 25 viteve të fundit, që me sa duket, edhe pse kërkojnë “korrigjim kufijsh”, mbeten të pakorrigjueshëm. Betejat me serbët i fituam pa qenë në NATO , e tani që jemi pjesë e saj, mendohuni mirë, pasi, edhe kur ta keni të shkruar të vdisni, te Kodra e Luleve, nuk do të ketë vend për ju Vuçiçët, Daçiçët dhe Hiçët e tjerë!!!…

– Faleminderit!