– Si punohej në minierat e bakrit në Kaçinar dhe në minierën e metaleve të rralla të Gjazujt.
– Krim i madh mbyllja e minierave të bakrit në Perlat, Gurth-Spaç, dy uzinat e Shkrirjes së Bakrit në Rubik, fabrikat e Pasurimit të Mineraleve në Reps, Kurbnesh e Rrëshen
– Mbyllja e minierave solli me mijra e mijra punonjës pa punë, që për bukën e gojës, u detyruan të emigrojnë masivisht, shumë prej të cilëve, humbën deteve dhe oqeaneve dhe mbeten edhe pa varr…
Nga: Xhelal Marku
Me aftësitë e tij profesionale, si specialist i gjeologji – minierave, inxhinieri Dod Legisi bëri një karrierë të suksesshme në industrinë minerale të Mirditës, duke u ngjitur shumë shpejt, nga inxhinier i thjeshtë, në përgjegjës sektori, në drejtor miniere dhe deri në detyrën e lartë të Shefit të Seksionit të Industri-Minierave të rrethit. Prioritete të punës së tij, ai kishte gjithmonë frymën novatore, inisiativën, guximin dhe këmbënguljen, që e shtynin atë, drejt aplikimit të teknologjive të reja e të përparuara, të cilat garantonin ritme më të larta prodhimi në sasi e cilësi. Dhe duke qënë se inovacionet, ishin në fokusin e punës time, si gazetar i Radiotelevizionit Publik Shqiptar, unë pata kënaqësinë ta njoh nga afër, figurën e inxhinierit novator Dod Legisi. Aty mësova se ai, pjesën më të madhe të kohës, e kalonte në prodhim, pranë fronteve të punës, por sapo dilte nga galeria, Doda do të zhytej në studimet dhe në projektet e tij, për të gjetur dhe eksperimentuar rrugët më efektive dhe me kosto më të ultë të prodhimit të mineralit. Gjithmonë i përkushtuar dhe këmbëngulës në studimet dhe eksperimentimet e tij, si inxhinier novator i gjeologji – minierave, që me punën e tij të guximshme, arriti të zbatojë me sukses teknologji inovatore të shfrytëzimit në miniera, që rritën ndjeshëm prodhimin. Kështu, në vitin 1973, ai edhe pse ishte një inxhinier i ri, i sapodalë nga dyert e auditorëve të Universitetit të Tiranës dhe i papërvojë pune, me këmbënguljen dhe inisiativën që e karakterizonte, arriti të aplikoi me sukses, një praktikë të re shfrytëzimi në Minierën e Bakrit Spaç, që solli ritme më të larta prodhimi të mineralit bakrit. Kjo ishte dhe sfida e tij e parë, si inxhinier prodhimi, që i dha krahë, forcë dhe besim, punës së tij kërkimore e shkencore, për ta thelluar vazhdimisht atë dhe për ta pasur përherë moto të punës së tij, jo vetëm si specialist, por më vonë edhe si drejtues i industrisë minerare të rrethit. Dhe ishte pikërisht ky novacion, që brenda katër viteve punë si inxhinier shfrytëzimi e prodhimi, i dha Dod Legisit, titullin: “Inxhinier i Kategorisë së Parë”, një titull që zakonisht merrej pas 15 viteve punë. Këtë përvojë të punës novatore, Doda e aplikoi edhe në sektorë të tjerë të Ndërmarrjes Minerare të Bakrit Spaç, si në Minierën e Bakrit Kaçinar dhe në Minierën e metaleve të rralla të Gjazujt. Më vonë, ai do të shkonte në Seksionin e Industrisë të rrethit, ku punoi pesë vite si specialist dhe pesë vite të tjerë, si Shef i Seksionit të Industrisë, pranë Komitetit Ekzekutiv të rrethit Mirditë.
Po cilat ishin veçoritë dalluese të inxhinierit Dod Legisi ?
Në përfytyrimin tim, Dod Legisi më së pari prezantonte kompetencën dhe aftësinë e tij drejtuese në punë, prezantonte thjeshtësinë dhe karakterin serioz të një inxhinieri, që nuk e ndante punën në prodhim nga letrat, nga studimet dhe eksperimentimet e tij shkencore. Ai ishte një malësor tipik mirditas, me një trup mesatar, i përkushtuar në punë, por dhe kërkues ndaj vetes dhe të tjerëve. Me thjeshtësinë e tij, Doda edukonte modestinë tek të tjerët, sidomos tek ata, që më shumë mburreshin, sesa punonin…! Thjeshtësinë, urtinë, maturinë dhe aftësitë profesionale, Doda i kishte si armët e tij më të forta në punë…! Ai fliste pak, por i dëgjohej fjala ! Më shumë bisedat e tij ishin për punën, për pengesat e vështirësitë, për mënyrat si do t`i përballonin ato, për të realizuar detyrat dhe premtimet. Kur punët shkonin mirë, i shkëlqente dhe nuri Dodës dhe ishte plot humor në bisedat e tij. Ndërsa kur diçka nuk shkonte siç duhej, ai bëhej nervoz dhe preferonte heshtjen, deri në zgjidhjen e problemeve, që pengonin ecurinë e prodhimit…! Ai fliste shtruar dhe komunikonte njëlloj, si me vartësit e vet, ashtu edhe me eprorët e tij, me drejtuesit e lartë të rrethit, apo dhe me ministrin e dikasterit përkatës. Gjuha e tij ishte e qetë dhe pa tone të larta, ku ai fliste me gjuhën e argumentit, të mundësive, të korrektesës dhe të përgjegjësisë, për të mbajtur premtimet dhe angazhimet e tij, fillimisht si specialist dhe më pas edhe si drejtues në sektorin e gjeologji – minierave. Dod Legisi fliste pa drojtje, pa frikë dhe pa emocione, pasi atë e karakterizonte gjithnjë guximi, për të thënë e mbrojtur të vërtetën dhe realen…! Ai nuk e pranonte gjuhën e presionit as nga eprorët dhe nuk ndryshonte tonin në komunikim me askënd, pasi brenda vetes, kishte si armë të fuqishme kompetencën profesionale dhe argumentin e pakundërshtueshëm,…! Por, kjo ndodhte edhe për shkak se Dod Legisi kishte brenda vetes edhe autopresionin, kërkesën e llogarisë ndaj vetes, për të qënë përherë korrekt me atë që premtonte vetë…! Ai punonte shumë dhe dinte të përcaktonte dhe të mbante përgjegjësitë e tij për mosrealizimet ! Dinte të drejtonte punët dhe aksionet në grup sektorësh, por dinte dhe të mbante shumë nga përgjegjësitë, që nuk ishin të tijat. Shpesh acarohej për mangësitë e transportit nga Parku i Mallrave, që nuk mbante premtimet për furnizimin e fabrikave të pasurimit me mineral, apo të Kombinatit të Drurit në Laç me trupa…! E megjithatë, para drejtuesve kryesorë të rrethit, Doda kishte burrëni dhe përgjegjësinë për mosrealizimin e mbante vetë dhe jo t`ia linte atë drejtorit të Parkut të Mallrave, që kishte pafund mangësi e pengesa teknike.
Por, Dod Legisi ishte jo vetëm drejtuesi, që kërkonte llogari të tjerëve, por ishte dhe drejtuesi, që u qante hallet punonjësve dhe që dinte edhe të falte e të toleronte, disa nga mangësitë e tyre në punë ! Të vetmet gabime të pafalshme dhe të patolerueshme ishin problemet, që kishin të bënin me sigurinë dhe shëndetin e minatorëve, të cilat ai i dënonte me rreptësinë më të madhe, ata që ishin përgjegjësit dhe fajtorët përkatës. Doda edhe si inxhinier i thjeshtë, edhe si drejtues i lartë i sektorit të industri-minierave në rreth, nuk kishte orar në punën e tij dhe këtë ai e reflektoj gjithë jetën. Kur ishte drejtues i Seksionit të Industrisë në rreth, pjesën më të madhe të kohës e kalonte, duke inspektuar punët në ndërmarrjet minerare dhe duke ndihmuar në realizimin e detyrave të prodhimit. Ndaj, pasi kthehej nga shërbimi në zonë, ai do të qëndronte në zyrën e tij deri mbrëmjeve vonë, për të kryer edhe detyrat si zyrtar, me evidencat e formularët përkatës. Dhe për këtë, zyra e tij ishte ndër të vetmet, që kishte dritë, deri në orët e vona të natës. Doda ishte njeri serioz jo vetëm në punë, por edhe jashtë saj dhe i tillë mbeti ai edhe në biseda në mes shokësh, të afërmish, apo bashkëpunëtorësh të tij, pasi nuk e pranonte bisedën me banalitete dhe me fjalor zhargonesh, nuk e pranonte as humorin e shakanë e tepruar, sepse kishte një karakter serioz, që edhe kohën e lirë, preferonte ta kalonte me biseda të dobishme e produktive !
Në vitin 1989, për merita të shquara të punës së tij drejtuese, Dod Legisi lë detyrën e shefit të seksionit të industrisë e të minierave në Komitetin Ekzekutiv të rrethit dhe emërohet drejtor i Minierës së re të Bakrit në Rubik, e cila u rihap pas një pune disavjeçare në kërkim – zbulimin e rezervave minerare nga gjeologët tanë të talentuar. Ajo ishte një minierë e re, me një perspektivë të gjatë shfrytëzimi dhe me cilësi të lartë të mineralit të bakrit. Por, nuk zgjati shumë ky sihariq, pasi në fillim të viteve `90-të, ashtu si të gjithë ndërmarrjet e vendit, u mbyll edhe kjo minierë, e ndërtuar me një teknologji të re e moderne. Ai shprehet: U mbyll edhe Miniera e re e Bakrit në Perlat, Miniera e re e bakrit në Gurth-Spaç, u mbyllën dy Uzinat e Shkrirjes së Bakrit në Rubik, Fabrikat e Pasurimit të Mineraleve në Reps, Kurbnesh e Rrëshen, etj etj, duke lënë pa punë me mijra e mijra punonjës, që për bukën e gojës, u detyruan të emigrojnë masivisht, shumë prej të cilëve, humbën deteve dhe oqeaneve dhe mbeten edhe pa varr…!? Një tragjedi e vërtetë kjo, për të cilën deri më sot, nuk ka mbajtur përgjegjësi askush…!? Mbyllja e këtyre ndërmarrjeve shtetrore, u shoqërua me protesta të fuqishme, nga minatorë e metalurgë, që mbetën pa punë!” Në vitin 1992 Dod Legisi largohet nga detyra e drejtorit të Minierës së Rubikut dhe shkoi për të punuar inxhinier i thjeshtë në Minierën e Perlatit. Në vitin 1994, ai doli në asistencë dhe shkoi për të punuar privatisht me projekte, bashkë me shokët e vet të specialitetit, në ish Institutin e Gjeologji-Minierave në Tiranë. Me dhimbje ai shprehet: Punuam natë e ditë duke derdhur gjak e djersë ndrërsa sot minierat iu janë falur të huajve.