Flet Prof. Lush Susaj: Betejën me krimin dhe korrupsionin nuk e udhëheqin dot as kriminelet, as dhunuesit e ligjeve dhe proceseve zgjedhore

208

Beteja me krimin dhe korrupsionin duhet të shpallet problemi më i madh kombëtar

  • Çmimet janë rritur, varfëria po, populli s’ mund të bëjë 6 ditë pushime, krimi lulëzon… Çfarë po bëhet në Shqipëri?!
  • Pjesë e korrupsionit politik është edhe manipulimi i rregullave dhe procedurave në ndarjen e të mirave publike dhe të financave nga vendimmarrësit
  • Korrupsioni politik është ngulur thellë në zemër të politikës aktuale shqiptare
  • Korrupsioni i bën fiktive marrëveshjet, investimet dhe vetë demokracinë
  • Shqipëria, më shumë se kurrë në historinë e saj, ka nevojë jetike për dritën e dijes dhe moralin e pastër të njerëzve që e duan Shqipërinë
  • Korrupsioni pandemik në administratën shtetërore e politike të Shqipërisë, klasifikohet në atë që quhet “Korrupsion i Madh”
Sigal

Intervistoi: Biora Vojka


Kohët e fundit në shtyp apo dhe në disa gazeta të huaja flitet për korrupsionin galopant që ka  mbërthyer çdo qelizë të shoqërisë shqiptare. Aktualisht në Shqipëri po pasurohen padrejtësisht një pjesë e papërfillshme e shoqërisë e lidhur me politikën dhe mbi 50 % e popullsisë po varfërohet. Një  tregues i qartë i varësisë është dhe ajo që mbi 60 % e shqiptarëve këtë vit nuk mund të bëjnë 6 ditë pushime. E tmershme. Një situatë alarmante kur nga ana tjetër dëgjojmë për vjedhje dhe shpërdorim të fondeve publike pa asnjë kriter.  

Fltitet shumë për korrupsionin. Mund të na përcaktoni shkurtimisht kuptimin shkencor mbi korrupsionin dhe nivelet e tij?

Nga analiza e Transparency International (TI) mbi fenomenin e korrupsionit në botë, është arritur në përfundimin se:“korrupsioni është keqpërdorimi i pushtetit për përfitime personale, e që klasifikohet në tre nivele, në korrupsion të madh, në korrupsion të vogël dhe në korrupsion politik”. Korrupsioni pandemik në administratën shtetërore e politike të Shqipërisë, klasifikohet në atë që quhet “Korrupsion i Madh” e që ka të bëjë me keqpërdorim të pozitës zyrtare nga nivelet e larta të pushtetit, për përfitimin e disave në dëm të natyrës, shoqërisë dhe shtetit. Pjesë e korrupsionit të madh janë përfitimet e zyrtarëve dhe klaneve nepotike nga tenderat dhe prokurimet publike, nga shitja e pronave publike, pasurive natyrore dhe aseteve shtetërore. Produkt i korrupsionit të madh janë edhe përfitimet nga shfrytëzimi i burimeve natyrore, nga kontratat publike, që të gjitha të siguruara nga shkelja e ligjeve, marrëveshjeve dhe parimeve morale të gjithëpërfshirjes, të transparencës dhe të mbrojtjes së interesit publik.

Ndërsa në nivelin e dytë, të quajtur “Korrupsion i Vogël”, sipas Transparenc International bën pjesë keqpërdorimi i përditshëm i pozitës zyrtare nga ana e zyrtarëve  të nivelit të mesëm e të ulët të pushtetit, ku në shërbimet publike sikurse janë shkollat, universitetet, spitalet, policia, gjykatat, hipotekat, etj, qytetarëve ju kërkohet që të paguajnë ryshfet në këmbim të shërbimit. Metodat kryesore që përdoren nga ana e administratës për të detyruar qytetarët që ta japin ryshfet janë të tilla si: vonesat e shërbimit, procedurat e ngatërruara, burokracitë e sorollatjes nga njëra zyrë tek tjetra, mungesa e legjislacionit të plotë, etj. Nuk ka shqiptar që të mos jetë përballur në mënyrë të vazhdueshme me të tilla fenomene sa herë që ka shkuar tek spitali, tek legalizimet, tek tatimet, tek zyrat e punës, në shkolla, në universitete, në polici, tek kadastra, tek shefat e punësimit, etj.


Si do ta përkufizonit korrupsionin politik në zemër të politikës shqiptare?! Nga dhe si vjen kjo?!

Ndërsa shkalla e tretë e së keqes më të madhe në Shqipëri, është ajo që TI e quan “Korrupsioni Politik”, e që ka të bëjë me manipulimin e politikave zhvillimore dhe të institucioneve të pavarura. Pjesë e korrupsionit politik është edhe manipulimi i rregullave dhe procedurave në ndarjen e të mirave publike dhe të financave nga vendim marrësit që shfrytëzojnë pozitën për të përfituar pushtet, pasuri dhe status shoqëror. Shqipëria e këtyre 20 viteve është përballur e po përballet përditë me ligje, me kontrata dhe me marrëveshje absurde, në dëm të interesit publik e në shërbim të pushtetit të një grupi të vogël njerëzish, që në vend të rotacionit politik, hedhin e presin njëri tjetrin sipas radhës, duke siguruar kështu vazhdimësinë e korrupsionit dhe pandëshkueshmërinë e tij. Ndërsa ish kryeministri i Anglisë, David Cameron, për korrupsionin thotë: “Korrupsioni është kanceri në zemër të problemeve të botës. Korrupsioni shkatërron vendet e punës dhe pengon zhvillimin. I ngujon të varfërit në varfëri përderisa qeveritë e korruptuara vjedhin buxhetin e shtetit. Korrupsioni vjedh investimet, që duhej të shkonin në shkolla dhe spitale përderisa të korruptuarit u shmangen taksave që duhen paguar”. Nga sa më sipër, është e lehtë që shqiptarët të kuptojnë sa më parë, që burimi i varfërisë dhe papunësisë së tyre, i braktisjes së vendit nga rinia dhe specialistët e kualifikuar, i zhvlerësimit të pronave, territorit dhe jetës, i kanabizimit dhe vrasjeve ordinere e politike, i shkatërrimit të proceseve zgjedhore, i dështimit të reformës në drejtësi dhe të gjitha projekteve dhe reformave të tjera në Shqipëri, është korrupsioni sistemik dhe i strukturuar në tre nivelet e trajtuara më sipër.


Çfarë ndikimi ka korrupsioni në ekonominë e vendit. A ka transparencë në tenderat, blerjet, dhe koncesionet? Sa ndikon ky keqpërdorim në mirëqënien e popullit?

Duhet ditur se Korrupsioni i bën fiktivë marrëveshjet, investimet dhe vetë demokracinë

Shqiptarët, në mënyrë të veçantë elita dhe rinia studentore, duhet të ndalen për një moment për të parë, analizuar dhe gjykuar më mirë mbi shkakun e vërtetë të mungesës së plotë të produktit real të investimeve dhe projekteve të këtyre 25 viteve, dhe të batërdisë së 13 viteve të fundit (2009-2022), në veçanti. Duhet të mendojmë e të gjykojmë me realizëm mbi burimin real të pronave dhe pasurive të jashtëzakonshme të politikanëve dhe ish zyrtarëve tanë mediokër, të cilët erdhën në institucione pa asgjë nga talenti dhe trashëgimia e sot duket sheshit që kanë vjedhur e depozituar para e prona për sot e për mbi 10 breza. Në këto kushte, burimi i varfërisë, papunësisë dhe shkatërrimit të shtetit dhe imazhit politik të shqiptarëve nga njëra anë, dhe i pasurisë së madhe të ish funksionarëve politik e shtetëror dhe kënetëzimit politik përmes mungesës reale të rotacionit politik elitarë, nuk është dhe nuk mund të jetë gjë tjetër përveçse korrupsioni në të tria nivelet e tij, dhe mungesa e gjatë e vullnetit politik e shtetëror për ta penguar e luftuar. Në këto përmasa, korrupsioni shqiptar nuk mund të trajtohet thjeshtë si një fenomen shoqëror e politik i rastit (pasi nuk është i tillë, por është korrupsion sistemik dhe i strukturuar), dhe as si një fenomen që shoqëron demokracinë shqiptare (pasi demokracia në Shqipëri, akoma nuk është parë të lulëzojë as edhe një ditë). Korrupsioni në Shqipëri dhe demagogjia e këtyre 30 viteve rreth tij, duhet parë e kuptuar si një vazhdimësi pa ndërprerje e praktikave, e strukturave të nëndheshme dhe e modeleve konspirative, moniste, klienteliste e kriminale të diktaturës komuniste. Shqipëria nuk do të mund të çlirohet kurrë nga dara degraduese, turpëruese e korrupsionit, pa vepruar e goditur në mënyrë ligjore e transparente mëndësinë dhe bazën komuniste të konspiracionit, klientelizmit, krahinizmit, despotizmit, bullizmit, sadizmit, sofizmit, zgjedhjeve moniste, abuzivizmit me pronat dhe investimet, etj. Pa vullnetin e lartë politik dhe trajtimin ligjor të korrupsionit në të gjitha nivelet dhe format e shfaqjes së tij, nuk do të ketë asnjë mundësi reale për mirëadministrimin e investimeve në Shqipëri (përkundrazi vidhen pa ngelur asgjë prej tyre), nuk do të ketë asnjë mundësi për punësimin dhe mirëqënien (përkundrazi do ketë më shumë azilantë dhe varfëri), nuk do të ketë asnjë mundësi për gjithëpërfshirje dhe as për kohezion politik e shtetëror mbarëkombëtarë (përkundrazi do të shtohen ndasitë dhe izmat e panevojshme), nuk do të ketë asnjë mundësi për procese zgjedhore të besueshme dhe gjithpranuara (përkundrazi do të rriten edhe më shumë format e manipulimit dhe të presionit ndaj votuesve dhe votës), etj. Betejën me krimin dhe korrupsionin nuk mund ta udhëheqin as kriminelët, as dhunuesit e ligjeve dhe proceseve zgjedhore, as të korruptuarit me postet, pronat dhe investimet dhe as injorantët e pesanjosët e universiteteve. Shqipëria, më shumë se kurrë në historinë e saj, ka nevojë jetike për dritën e dijes dhe moralin e pastër të njerëzve, që e duan Shqipërinë më shumë se partinë dhe kryetarët e tyre. Çmimet janë rritur, varfëria po, populli s’ mund të bëjë 6 ditë pushime, krimi lulëzon…Çfarë po bëhet në Shqipëri