Flet Dr. Vladimir Mici: Misteret si hyri në Shqipëri kompania fantazmë SAXON e quajtur Bankers me të ardhura vetëm nga Shqipëria!

– Kontrata me Bankers mund të quhet një bashkëpunim i përsosur midis PD dhe PS për të kaluar burimet natyrore në duart e të huajve.

-Me arritjen e kontratës filloi një plan spastrimi i forcës së punës së Albpetrolit duke larguar me qindra specialistë dhe naftëtarë që gjoja dilnin tepër nga reforma.

NOA

– Kjo kompani vijoi të raportohet me humbje derisa disertacioni që paraqita vuri në dukje abuzimet gjigande të kësaj kompanie përmes kësaj kontrate.

– Kjo kontratë misterioze është miratuar në parlament, por nuk është bërë publike, sepse në kontratë shkruhet SEKRET.

– Ajo që dimë me siguri është se çdo shkelje  e kontratës i drejtohet arbitrazhit ndërkombëtar dhe jo gjykimit në gjykatat shqiptare.

– Përgjegjës të parë janë drejtuesit dhe monitoruesit e Albpetrol sha. ministrat dhe kryeministrat që kanë qenë e janë në pushtet sepse nuk e kanë mbrojtur interesin kombëtar.

– Kompania e parë e huaj që morri një pjesë të vb Patos – Marinës ishte kompania Premier Oil, e cila dështoi për shkak se ishte e detyruar të paguante  diferencën e të ardhurave me shpenzimet.

– Si janë llogaritur të ardhurat, dhe si është punuar për të ulur kostot? Transporti është kriminal për këtë kontratë.

– Pas Premier Oil një kompani tjetër SAXON pastaj e ndryshojë në Bankers, e listuar në Bursën e Torontos, por që siç rezultoi më vonë kishte aktivitet vetëm në Shqipëri

– Bankers kishte fshehje të kostos gjoja sikur punonte edhe në SHBA, Rusi e gjetkë, por të ardhurat vinin vetëm nga Shqipëria.

 

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Kompania Bankers Petroleum, që operon kryesisht në fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinzë, është përballur ndër vite me një sërë problemesh serioze që kanë ngritur shqetësime ekonomike, ligjore dhe mjedisore në Shqipëri. Ja problemet kryesore: Akuzat për abuzime financiare. Janë ngritur dyshime për evazion fiskal dhe shmangie taksash. Kompania është hetuar për mënyrën si deklaron fitimet dhe kostot, duke ulur detyrimet ndaj shtetit. Debati kryesor: a ka humbur Shqipëria qindra miliona euro të ardhura? Mungesa e transparencës-Kontratat koncesionare janë kritikuar si jo të qarta dhe të pafavorshme për shtetin shqiptar. Publiku dhe ekspertët shpesh nuk kanë akses të plotë në të dhëna reale mbi prodhimin dhe fitimet. Probleme mjedisore- Banorët e zonës Patos–Marinzë kanë denoncuar: Ndotje të tokës dhe ujërave. Çlirime gazi dhe ndotje ajri. Ka pasur edhe lëkundje sizmike të lidhura me nxjerrjen intensive të naftës (fracking/teknika të ngjashme).  Konflikte me komunitetin- Banorët janë ankuar për: Dëmtime të banesave nga aktiviteti nëntokësor, mungesë kompensimi të drejtë, protesta të vazhdueshme kundër kompanisë.  Menaxhimi i dobët i pasurisë kombëtare. Kritika kryesore: nafta shqiptare po shfrytëzohet pa sjellë përfitime të mjaftueshme për ekonominë vendase. Shumë ekspertë thonë se modeli koncesionar është i dështuar ose i keqnegociuar. Çështja e Bankers nuk është vetëm për një kompani dosido, por për një model më të gjerë kryesisht si një përgjegjësi për qeveritë që kanë lejuar abuzime.

– Duke marrë shkas nga problemet e Bankers, vetiu për çdo qytetar lind pyetja: Si menaxhohen pasuritë natyrore të vendit nga qeveritë shqiptare pas vitit 1990? 

Atëherë meqë po ndalemi në përgjithësi jo vetëm tek Bankers. Aktiviteti minerar në Shqipëri përcaktohet nga ligji minerar dhe ligji mbi hidrokarburet: Për minierat Bazimi ligjor. Ligji Nr. 10 304, datë 15.7.2010. “Për Sektorin Minerar në Republikën e Shqipërisë”, i cili sanksionon se të gjitha subjektet juridike, vendase ose të huaja, gëzojnë të drejtën për të ushtruar aktivitet minerar në Shqipëri. Ligji Nr. 10 304, datë 15.7.2010. “Për Sektorin Mineral në Republikën e Shqipërisë” përcakton rregullat për ushtrimin e aktiviteteve minerare dhe pas-minerale në Republikën e Shqipërisë dhe synon të nxisë aktivitetin minerar në Republikën e Shqipërisë, duke siguruar transparencë dhe konkurrencë të lirë gjatë ushtrimit të këtij aktiviteti, duke maksimizuar përfitimin publik nga aktiviteti mineral dhe duke mbrojtur mjedisin dhe shëndetin publik nga rreziqet minerale dhe ato të mbetjeve industriale minerale. Për hidrokarburet bazimi ligjor: Ligji Nr. 7746 datë 28.07.1993″ (kërkim dhe prodhim)”.  Dekreti nr. 782, datë 22.02.1994 “Për sistemin fiskal në sektorin e hidrokarbureve (kërkim – prodhim)”. Ligji Nr.7811, datë 12.04.1994 Mbi aprovimin e dekretit nr.782, datë 22.2.1994 “Mbi sistemin fiskal në sektorin e hidrokarbureve” “(kërkim-prodhim)”. Ligji nr. 182/2013 “Për disa ndryshime në Ligjin nr. 7928, datë 27.4.1995, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, i ndryshuar.  Ligji nr. 153/2020 për regjimin fiskal në sektorin e hidrokarbureve. Marrëveshja e lidhur më 26.07.1993 midis Ministrisë së Industrisë, Energjisë dhe Burimeve Minerale dhe Albpetrol, Komunitetit Ekonomik të Naftës dhe Gazit. Protokolli mbi marrëveshjen për përcaktimin e niveleve të thellësisë së shtrirjes së koncesioneve të Albpetrol, thellësisë së fushave të vendosura në zonat e licencës së tij. Pra kjo morri ligjesh dhe marrëveshjesh është baza e funksionimit të industrisë minerare dhe asaj hidrokarbure. Por edhe pa dalë këto ligje dhe marrëveshje, qeveria shqiptare që në vitin 1990 përmes DPNG ( Drejtoria e Përgjithshme e naftës dhe gazit) ngritën një strukturë të posaçme ku merrnin pjesë specialistë të gjeologjisë, prodhimit dhe shpimit ,të cilët do të merreshin me negocimin e marrëveshjeve kryesisht të kërkimit në det. Pas ardhjes së Partisë demokratike në pushtet, filluan tentativat e para për të marrë nën kontrata hidrokarbure edhe vb ekzistuese të naftës. E gjithë kjo strukturë në varësi të Albpetrolit u quajt sektori i negociatave dhe kombinonte aktivitetin e saj me dy institutet e naftës. Duke qenë se ky aktivitet ishte i pabazuar në akte ligjore, sepse Shqipëria nuk kishte legjislacion për kapitalin e huaj, fillimisht nxori dekretin e famshëm, i cili është tashmë ligj dhe i amenduar disa herë për kërkimin dhe prodhimin. Ky ligj krijoi kushte për krijimin e aktmarrëveshjes midis Ministrisë së Industrisë, Energjisë dhe Burimeve Minerale dhe Albpetrol, Komunitetit Ekonomik të Naftës dhe Gazit. Kjo aktmarrëveshje përcaktonte zonat e Albpetrolit që ishin në zonën e saj të prodhimit dhe kërkimit dhe zonave të tjera që do të administroheshin nga AKBN(sot). Kompania e parë e huaj që morri një pjesë të vb Patos Marinës ishte kompania Premier Oil, e cila dështoi për shkak se ishte e detyruar të paguante diferencën e të ardhurave me shpenzimet. Duke qenë se shpenzimet mbuloheshin deri në 50% të të ardhurave nga nafta e prodhuar; pjesa tjetër do të ndahej midis kompanisë Albetrol dhe Premier Oil-t në masën e pjesëmarrjes që kishte në subjekt. Pjesa tjetër do të quhej fitim dhe do të tatohej 50%. Në vitin 2008 kur ministër ishte Ylli Bufi u bë një ndryshim ligji, i cili njihte që kostoja e naftës mund të shtrihej mbi tërë naftën e prodhuar, që automatikisht herët ose vonë do të çonte në prishjen e kontratës, sepse pala e Premier OIL kishte vështirësi, por kushtet e kontratës nuk lejonin që të prishej ndarja aktuale e shprehur në kontratë. Kështu në vitin fillim të vitit 2004 Premier Oil largohet nga Shqipëria, pas 10 vitesh aktivitet. Nuk kaluan as tre muaj një kompani tjetër SAXON LTD kërkon të hyjë në një marrëveshje hidrokarbure që pastaj e ndryshoi dhe e quajti Bankers, një kompani e listuar në Bursën e Torontos në Kanada, por që siç rezultoi më vonë kishte aktivitet vetëm në Shqipëri dhe fshehje kostos sikur punonte edhe në SHBA, Rusi e gjetkë. Të ardhurat vinin vetëm nga Shqipëria.

-Çfarë marrëveshje lidhi kjo Kompani në fillim?

Kompania lidhi një marrëveshje me 3 faza: Faza e parë ishte ajo e sigurimit të një studimi fizibiliteti. E dyta ajo e një testimi  dhe e treta ajo e marrjes përsipër të operacioneve. Deri në fazën e dytë ajo ishte ende në fazën nëse duhet të kalonte në fazën e tretë apo të marrjes së vb apo jo. Kjo varej nga çfarë ajo do t’i propozonte qeverisë Shqiptare. Pse janë shumë të rëndësishme këto faza? Në fazën e parë kompania do të shikonte mundësitë e zhvillimit të këtij vb, duke studiuar e vlerësuar mundësitë fitimprurëse të saj. Në fazën e dytë ajo do të kalonte në fazën pilot ku do të shqyrtonte nga afër në terren verifikimin e të dhënave teorike të saj dhe njëkohësisht të paraqiste planin e saj të zhvillimit. Duke qenë se ajo ishte partner po e them 51/49% me Albpetrolin. Vendimarrja duhet të kalonte për shkak të fitimeve edhe të shtetit nga qeveria shqiptare dhe parlamenti Shqiptar. Faza e parë koincidoi një faze 3-4 mujore,( prill- korrik 2004) faza e dytë një vjeçare dhe që përfundonte në muajin (tetor -dhjetor 2005). Në vitin 2005 Partia Socialiste iku nga pushteti dhe në pushtet erdhi Partia Demokratike. Asaj i ra barra të vendoste për  pranimin ose jo të planit të paraqitur nga Kompania SAXON. Plani i zhvillimit i kësaj kompanie ishte që vetëm në tre vitet e parë do të ishte me humbje dhe pas kësaj ajo do të gjeneronte fitim. Ky plan duhet të miratohej nga Albpetroli, ndryshe marëveshja nuk hynte në fuqi. Oponenca e Albpetrolit, më saktë e institutit të naftës tashmë të bashkuar dhe reduktuar në staf nuk ishte entuziaste dhe kishte shumë pasaktësi, fillimisht nuk dha dritën jeshile, por forca dhe dhuna nga lart detyroi që Drejtori i asaj kohe Ilia Fili në mars të 2005, t’i jepte viston zbatimit të kësaj kontrate. Pra kjo kontratë mund të quhet një bashkëpunim i përsosur midis PD dhe PS për të kaluar burimet natyrore në duart e të huajve. Kjo pasoi pastaj me një plan spastrimi të forcës së punës së Albpetrolit duke larguar me qindra specialistë dhe naftëtarë që gjoja dilnin tepër nga reforma. Këto vendime mund t’i gjeni edhe te libri që kam shkruar “Rënimi i naftës Shqiptare”. Duke u rikthyer tek ky plan me shumë hije, i cili ishte vetëm program s’ishte u provua më vonë. Investimet e saj kapitale të këtij plani ishin qesharake, ndërsa të ardhurat e fryra. Kështu që plani nuk funksionoi dhe pas tre viteve duhet të funksiononte fitimi. Atëhere u shpik plani i dytë i rishikuar, i cili përsëri nuk ishte me fitim, sepse investimet konsideroheshin tashmë të larta. Joshja këtu ishte se prodhimi i  naftës duhet të ishte më i madh dhe investimet shumë më të mëdha. Ishte koha kur qeveria shqiptare sapo kishte futur rentën minerare dhe një përplasje ligjore kishte lindur midis Bankers dhe Shtetit shqiptar, sepse marrëveshja hidrokarbure ishte lidhur në kushtet kur asaj nuk i sanksonohej pagesa e rentës minerale dhe nuk kishte detyrim kontraktual për ta paguar atë. Plani i ri i paraqitur nga Bankers, i paraqitur në tre variante parashikonte që edhe në variantin më pessimist ajo do të kishte fitim, por i duhej të rregullonin kërcitjet, që lindin nga futja e Rentës minerale që efekti i saj detyronte kompaninë të dilte me humbje. A ishte kjo e llogaritur?  Konkluzioni sot është po! Pra kompanisë i ishin hapur dyert e shtetit kanat. Ajo mund të bënte ç’të donte. Faktet e mëvonshme treguan se kompanisë nuk ju vërtetua, apo iu afrua ndonjë skenar. Mund t’ju them vetëm kaq që prodhimi nuk shkoi në nivelet pesimiste të projektuar, ndërsa investimet e saj tejkaluan nivelet më optimiste. E thënë shkurt kompania vijoi të raportohet me humbje derisa disertacioni që paraqita vuri në dukje abuzimet gjigande të kësaj kompanie përmes kësaj kontrate.

– A është kontrata e ligjshme  apo e fshehtë?

Kësaj pyetje mund t’i përgjigjem thjesht. Që kjo kontratë është miratuar në parlament. A është publike? Jo sepse në kontratë shkruhet sekret. Dhe jo të gjitha palët kanë akses në të qofshin punonjës apo zyrtarë normalë tatimesh dhe nga AKBN-ja. Askush nga ne nuk i di termat specifike të kontratës. Ajo që dimë me siguri është se çdo shkelje e kontratës i drejtohet arbitrazhit ndërkombëtar dhe jo gjykimit në gjykatat shqiptare.

 -A ka përgjegjësi abuzimi nga Bankers ? 

Sigurisht të parët janë drejtuesit dhe monitoruesit e Albpetrol. sha. Ministrat dhe kryeministrat, që kanë qenë e janë në pushtet. Ata nuk e kanë mbrojtur interesin kombëtar. Po e filloj nga Albpetrol: Titullarët e saj janë antarë të OPCOM një strukturë që merret me operatorin Bankers. Ç’ farë është operatori Bankers? Për ta thënë thjesht është një njësi e punësuar dhe paguar nga aksionerët e saj Bankers dhe Albpetrol. Kjo njësi është vendimmarrëse për çdo vit dhe për çdo takim ku vendoset dhe analizohet për prodhimin, programin, realizimin dhe investimet. A është kontrolluar programi i saj, pse janë lejuar mbi investimet dhe kontrolli i shpenzimeve të saj. Përse janë rritur shpenzimet e saj ndërkohë që pagat e tyre tejkalonin mbi 100,000 euro. Sa euro merrnin të emëruarit në OPCOM dhe ai ishte ajo pjesë e pagës, apo ishte shtesë mbi pagë . Si lidhej e ardhmja e tyre me ecurinë e pagimeve ndaj shtetit nga kjo kontratë. Sa ishte devijacioni i investimeve , kostove dhe të ardhurave. Si janë llogaritur të ardhurat, dhe si është punuar për të ulur kostot. Transporti është kriminal për këtë kontratë.  Po Ministri apo kryeministri si i ka parë të ardhurat në raport me programin e miratuar nga ata në lidhje me sasinë e naftës së qeverisë?! Ky program në praktikë s’duhet të lejojë ndryshime më shumë se 1%  për shtetin dhe duhet të lidhet edhe me vlerën kohore të parasë.

Po tatimet çfarë kanë bërë, si i kanë kontrolluar hyrjet apo blerjet e jashtme, riatdhesimet, shitjet e tyre?

Pyetje a ka shifra sa ka vjedhur. Unë nuk jam marrë me auditimin e Bankers dhe për sa kohë që auditimin e brendshëm duhet ta kryente kompania Albpetrol dhe Ministria e linjës, Tatimet. Të tjerët si unë s’kanë shifrat por për sipas meje shifrat janë të mëdha. Çdo vit nga fillimi duhet të kalojë nën Lupë. Pse e them këtë:

  1. Kontroll ligjor i kontratës, pra hartuesit e kontratës duhet të sqarojnë pozicionet. Përse në kontratë nuk është shkruar devijimi programit të prodhimit ndaj faktit s’mund të jetë më shumë ta zëmë se 2% në total, por me një efekt zero duke pasur parasysh volatiletin e  çmimeve të naftës brut duke pasur parasysh vlerën kohore të parasë.
  2. Çmimet e eksporti të naftë brut nuk mund të jenë më poshtë sesa një formule të caktuar, që merr parasysh cilësinë e naftës dhe përbërjen e saj. Cilat janë amendimet, që lidhen me shmangien e çmimeve të ndryshme të aplikuar nga viti në vit. Psh në vitin 2008 çmimet ishin 60% e çmimeve Brent ndërsa në vitin 2011 ishin 75% e çmimit. Si justifikohet kjo?

Nesër do lexoni:

– Të paguhet një i huaj 100,000 euro dhe një punonjës shqiptar 500 euro, kjo përbën një mega skllavëri

– Kush janë kompanitë  që kanë audituar kompanitë dhe a kanë dijeni ato për  kontratën hidrokarbure dhe çfarë konkluzionesh kanë nxjerrë?