Flet Mirela Karabina: Politika të dëgjojë thirrjen e pedagogëve, me një arsim në krizë e ardhmja është në rrezik

287

Intervistë me Pedadogen dhe ish ministren e Arsimit dhe Shkencës Mirela Çërraga- Karabina

Sigal

Migena Neli

“Shteti investon për një student rreth 700 euro krahasuar me dhjetëfishin që shpenzohet në vendet e OECD-së. Buxheti për kërkimin shkencor është shumë i ulët, rreth 0.1 % dhe nuk krahasohemi as me vendet e rajonit.”


Protesta e pedagogëve ka qenë një thirrje për të rikthyer dinjitetin e munguar të një shtrese e cila ka në duar elitën e së ardhmes. Për kërkesat e pedagogëve, thirrjen e tyre dhe afatet që kanë vënë për protestën e tyre kemi në intervistë pedagogen Mirela Çërraga Karabina.

Cilat janë konkretisht kërkesat e pedagogëve? Cili është hapi tjetër nëse kërkesat tuaja nuk do të plotësohen?

Reagimi i pedagogëve dhe stafit ndihmës akademik dhe administrativ të univeristetit për rritje të investimit në arsimin e lartë, është legjitim. Ky është një reagim i vonuar, në fakt, duhej të kishte ndodhur më parë pasi universitetet ndër vite kanë shumë probleme me cilësinë dhe kërkimin shkencor dhe pagat, të cilat janë të ulta, nuk janë rritur që nga viti 2004. Situata ekonomike në vend, rritja e cmimeve ka vështirësuar jetën e pedagogëve, paga e të cilëve u duhet për të jetuar dhe për zhvillim të tyre profesional. Ndërkohë buxheti i shtetit i ulët për arsimin e lartë nuk lejon përmbushjen e tyre profesionale për të ofruar një mësimdhënie cilësore me një infrastrukturë bashkëkohore dhe zhvillim të kërkimit shkencor. Pedagogët duhet të dalin të fituar nga kjo përballje pasi prej tyre presin zgjidhje dhe shtresa të tjera të shoqërisë: mësues, mjekë, inxhinierë, infermierë, punëtorë e të tjerë. Pasi ato përfaqësojnë hirearkinë më të lartë të institucionit të dijes, universitetin dhe shkencën. Akademia është mëma e dijes. Ajo duhet të drejtojë e politika të dëgjojë e të zbatojë. Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) mbështetur në nevojat  akademike dhe kërkesat ekonomike të punonjësve të  IAL-ve publike i është drejtuar përgjatë dy viteve institucioneve përkatëse në lidhje me disa kërkesa dhe sipass SPUSH, kërkesat e tyre nuk kanë gjetur zgjidhje. Tani në formë të një peticioni me 9 pika i janë drejtuar përsëri Kryeministrit dhe Ministres së Arsimit. Në peticion kërkohet  rritje page për pedagogët dhe stafin ndihmës akademik dhe administrativ për arsye të rritjes së inflacionit dhe rritjes së çmimeve. Brenda dy viteve të bëhet një rritje prej 50% duke arritur nivelin  niveli e pagave të kolegëve ë universitetet publike të në Kosovë. Gjithashtu kërkohet rritja e financimit të kërkimit shkencor nga 0.1% në 0,3% e PBB, pasi është 10 herë më i ulët edhe se në rajon; rivendosje e shtesës mbi pagë për shëndetin; rritje e ngarkesës së orëve suplementare; rivlerësim i orëve mësimore, rritje e shtesës mbi page ndër vite, transparenca  mbi të ardhurat dhe buxhetin e shpenzimeve të universiteteve duke i bërë publike etj. Ka pasur një takim të Ministres së Arsimit me përfaqësuesit e sindikatave dhe është premtuar se po rishikohen disa nga pikat,e peticionit, përkatësisht pikat 7,8, dhe 9, por në lidhje me buxhetin për kërkimin shkencor dhe rritjen e pagave nuk ka ende zgjidhje. Nga sindikata është njoftuar që nëse nuk do ketë reagim tjetër nga institucionet përkatëse, do të shkohet drejt bojkotit të mësimit.

Çfarë prisni të bëhet më shumë në lidhje me kërkimin shkencor, bazën materiale dhe mundësitë për të zhvilluar orët laboratorike?

Investim, rritje e buxhetit për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, kjo është e vetmja zgjidhje. Për rritjen e buxhetit për arsimin, i cili u premtua në vitin 2013 nga kjo qeveri që do të shkonte në 5% të PBB (Prodhimi i Brendshëm Bruto) dhe jo vetëm që ka mbetur në kuotat 3%, por ka pasur dhe rënie në vite në 2.49%. Dhe, krahasuar me vendet e rajonit dhe OECD-së jemi vendi që shpenzojmë më pak për arsimin. Shteti investon për një student rreth 700 euro krahasuar me dhjetëfishin që shpenzohet në vendet e OECD-së. Buxheti për kërkimin shkencor është shumë i ulët, rrerth 0.1 % dhe nuk krahasohemi as me vendet e rajonit. Universitetet pa kërkim shkencor janë në nivelin e arsimit të mesëm të ulët. Si mund të kemi zhvillim ekonomik nëse nuk investohet në shkencë?  Protesta studentore e vitit 2018 dëshmoi qartazi për publikun nivelin dhe cilësinë e arsimit të lartë. Studentët kërkuan arsim cilësor e bashkëkohor dhe kushte normale. Por kërkesat e tyre nuk u realizuan. Dhe sot jemi në të njëjtën gjendje si katër vite më parë, pasi buxheti për arsimin jo vetëm nuk është rritur, por për të përballuar krizën shkaktuar nga COVID-19, qeveria mori nga buxheti i arsimit duke e ulur atë.

“Investim, rritje e buxhetit për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, kjo është e vetmja zgjidhje.”

Si e komentoni ju largimin e të rinjve nga vendi, a ka ndikuar kjo edhe në mbylljen e disa degëve apo universiteteve?

Largimi i të rinjve është tragjedi kombëtare. Bjerrja e trurit, largimi në rritje i numrit të të rinjve, si nxënës ashtu dhe studentë, është në përmasa shqetësuese. Shifrat të INSTAT tregojnë se, krahasuar me vititn 1992 numri i shkollave ka rënë me gati 60%; numri i nxënësve ka rënë në 40%, nga viti 2010 çdo vit largohen 13-17 mijë fëmijë dhe nxënës; mësuesit krahasuar me vitin 1991 ku numëroheshin 43 mijë e700 mësues, për vitin 2021-2022 janë 33 mijë e 58 mësues. Nga të dhëna të Ministrisë së Arsimit në harkun e 10 viteve numri i nxënësve në ciklin 9-vjeçar është reduktuar ndjeshëm. Edhe në universitete rënia e numrit të studentëve ka sjellë mbylljen e disa programeve studimi. Ndërkohë interes për studentët paraqesin programet e studimit që kërkon tregu i punës jashtë vendit. E si mund të zhvillohet një vend pa diturinë  dhe aftësinë? Dhe kjo është papërgjegjshëmri e qeverisë që me investimin e munguar në arsim dhe politikat arsimore  nuk ka siguruar as arsim cilësor e bashkëkohor që t’i përgjigjet kërkesave të tregut dhe as siguri e vazhdimësi për një jetesë më të mirë. Të rinjtë që largohen për studime, diploma po u  shërben si pashaportë për të ardhmen e tyre larg Shqipërisë pasi në vendet ku studiojnë ata sigurojnë punën dhe një jetesë më të mirë. Pasojat e këtij eksodi të trurit do të jenë afatgjata dhe të ndjeshme për zhvillimin e vendit.

Si e shihni politikën e kryeministrit Rama për librat falas, kur librat në fund prindërit do të duhet t’i blejnë pasi nuk janë të standardit në të cilin mund të mësohet?

Në një shtet normal ku investimi në arsim do të ishte prioritet dhe tekstet do të përmbushnin standartet shkencore-pedagogjike dhe politika e shpërndajrjes dhe përdorimit të tyre do të ishte në interes të nxënësve, ky diskutim nuk  mund të bëhej. Por për arsye të propagandës qeverisëse me tekste falas, tekstet e përdorurar janë kthyer në një fenomen të përvitshëm me të drejtë shqetësues për nxënësit, mësuesit dhe prindërit. Tekste nuk janë falas, ato janë tekste në përdorim. Që këtu fillon propaganada qeverisëse, e cila luan me terma duke defomuar të vërtetën. Nxënësit jo vetëm që duhet t;i kthejnë tekstet, por janë në një presion psikologjik të vazhdueshëm përgjatë vitit për mirëmbajtjen e tyre, pasi do ndëshkohen në të kundërtën. Por nuk është thjesht mirëmbajtja, por ato duhet të shkruajnë lehtë mbi tekst kur punojnë pasi ky tekst do përdoret dhe për tri vite të tjera. Çfarë logjike është kjo? Si mund të ripunohet detyra mbi një tekst që është punuar më parë, sidomos për fëmijët e vegjël?  Në vend të edukimit për mirëmbajtje të tekstit mund të ndodhë e kundërta, fëmijët mund  të preferojnë, që disa nga tekstet mos i hapin fare që mos t’i dëmtojnë. Tekste që janë me ushtrime dhe punohet mbi to, nuk mund të ripërdoren, pasi çdo shënim mbi to do të ndikojë tek nxënësi që do e rimarrë. Është shumë mirë që tekste për nivele të caktuara të jenë falas, pasi dhe arsimi është falas dhe është ndihmë për çdo familje. Por përdorimi politik dhe menaxhimi jo i mirë i këtij procesi nuk i shërben as edukimit dhe as zhvillimit.