Flet Dr. Enriko Ceko: Unë në jetën time në këto 30 vitet e fundit kurrë nuk kam parë ndonjë deputet a ministër që të bëjë blerje në supermarket

139
Sigal

-Miratimi i vendimit për rritjen e pagave të ministrave dhe deputetëve është një vendim që merret në kushtet e pamundësisë për të mbajtur të shtërnguara radhët rreth partisë

– Duke rritur pagat, u thuhet bashkëpunëtorëve në krim se tani nuk ka më me lugë në brez dhe “kap ç’të kapësh”

– Drejtuesit e shtetit dhe të pushtetit në Shqipëri as që e kanë idenë nga ana praktike se si jeton populli.

-Ata e dinë se nëse pagat janë të ulëta të tërë luftojnë për një punë në shtet dhe me këtë kartë ata fitojnë votat dhe kjo është ajo që ka ndodhur në Shqipëri për këto 30 vitet.

– Ndikimi në buxhetin e shtetit nga ky vendim është në tërësi rreth 350 milionë euro në vitin 2023 dhe për vitet 2024 dhe 2025 do jetë përkatësisht rreth 400 dhe 450 milionë euro.

-Fakti se pjesa më e madhe e punonjësve të administratës publike i bën pushimet jashtë shtetit, tregon shumë.

-Bëhet fjalë për miliona euro, që ata shpenzojnë çdo vit për luks të shfrenuar.

-Të gjithë e dinë për shembull se punonjës të lartë të administratës publike në sistemin ekzekutiv, gjyqësor, parlamentar, prokurorial, mediatik publik, dhe në dikastere të rëndësishme, shpenzojnë çdo mëngjes dhjetra euro vetëm për të bërë flokët e për të rruar faqet e kokën.

– Nuk mund të ketë lumturi kur shqiptarët hedhin plehrat nga ballkoni dhe nuk mund të ketë investime kur shqiptarët ikin nga sytë këmbët. Në Perëndim është sektori privat që vendos nivelin e pagave në treg dhe është sektori public, që ndjek trendin, ndërsa në Shqipëri ndodh e kundërta.

 

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Fill pas zgjedhjeve vendore Komisioni i ekonomisë me vendimin e miratuar vendosi që paga e një ministri do të jetë rreth 345 mijë lekë të reja bruto, ndërsa e një deputeti 330 mijë lekë të reja bruto. Pra një rritje 100%. Këto rritje a do ta ulin korrupsionin? Po fati i pensionistëve kur do mirret në konsideratë? A ndikon në rënien e ekonomisë kjo rritje artificiale e rrogave të pushtetarëve? Pse pikërisht pas zgjedhjeve vendore dhe jo më pas ose më para? Janë shumë pikpyetje në këtë mes që do marrin përgjigje nga Dr. Enriko Ceko…

-Fill pas zgjedhjeve vendore Komisioni i ekonomisë me vendimin e miratuar vendosi që paga e një ministri do të jetë rreth 345 mijë lekë të reja bruto, ndërsa e një deputeti 330 mijë lekë të reja bruto. Pra një rritje 100%. Pse pikërisht pas zgjedhjeve vendore?

Miratimi i vendimit për rritjen e pagave të ministrave dhe deputetëve përkatësisht në 345.000 330.000 lekë, që përbën një rritje pothuajse 100% të pagës, është një vendim që merret në kushtet e pamundësisë për të mbajtur të shtërnguara radhët rreth partisë.

Deputetët dhe ministrat dhe e tërë shpurra elektorale e sekretarëve të përgjithshëm në dikastere dhe drejtorëve të përgjithshëm në dikastere dhe në ente të pavarura publike, tashmë në kuadër të forcimit të luftës kundër korrupsionit duket se nuk kanë më dëshirë që të punojnë më në shtet dhe duan të largohen nga detyra, pasi “nuk ka më qofte ke daja”. Duket se Evropa e ka shtërnguar edhe më shumë lakun e luftës kundër korrupsionit edhe pse partia në pushtet po bën disa “koka turku”, si për të treguar se po lufton korrupsionin. Kjo është e pamjaftueshme përballë krimit të organizuar ekonomik që gëlon në administratën publike. Pra, duke rritur pagat, u thuhet bashkëpunëtorëve në krim se tani nuk ka më me lugë në brez dhe “kap ç’të kapësh”, kështu që meqë na duheni për vota po u shtojmë “pak” rrogën. Pra, në fund të vitit, bëhet fjalë për jo më rreth 15.000 Euro, por për më shumë se rreth 30.000 Euro për kokë deputeti a ministri.

– Aktualisht kur rroga e një punëtori është 30 mijë lekë, rrogat e deputetëve kalojnë 10 herë më shumë. Ç’farë tregon ky disnivel i theksuar pagash?

Kjo tregon se drejtuesit e shtetit dhe të pushtetit në Shqipëri as që e kanë idenë nga ana praktike se si jeton populli. Ata e dinë se nëse pagat janë të ulëta të tërë luftojnë për një punë në shtet dhe me këtë kartë ata fitojnë votat dhe kjo është ajo që ka ndodhur në Shqipëri për këto 30 vitet e fundit, por vetëm kaq dinë ata. Në fakt ata as që e kanë idenë se çfarë mund të blihet me 30.000 lekë. Ata nuk mund ta dinë këtë, sepse jetojnë në një luks të shfrenuar dhe nuk është se kanë bërë ndonjëherë në jetën e tyre pazar në supermarket. Unë pyetjes tuaj do i përgjigjem me një pyetje:- Cili nga ne ka parë ndonjëherë ndonjë deputet a ministër në supermarket për të bërë pazar? Askush! Unë personalisht kurrë në jetën time këto 30 vitet e fundit nuk kam parë asnjë deputet a ministër që të paguajë ujin dhe dritat vetë. Unë në jetën time në këto 30 vitet e fundit kurrë nuk kam parë ndonjë deputet a ministër që të bëjë blerje në supermarket. Por sa herë që për arsye të rasteve familjare (që janë pak herë në vit), shkoj në ndonjë restorant, e gjej plot me deputetë e ministra e punonjës të niveleve të larta të administratës publike. Fakti se pjesa më e madhe e punonjësve të administratës publike i bën pushimet jashtë shtetit, tregon shumë. Bëhet fjalë për miliona euro, që ata shpenzojnë çdo vit për luks të shfrenuar. Të gjithë e dinë për shembull se punonjës të lartë të administratës publike në sistemin ekzekutiv, gjyqësor, parlamentar, prokurorial, mediatic publik, dhe në dikastere të rëndësishme, shpenzojnë çdo mëngjes dhjetra euro vetëm për të bërë flokët e për të rruar faqet e kokën. Ku gjenden tërë këto para, ndërsa paga minimale është dhjetë herë më e vogël se paga e deputetit dhe e ministrit? Praktika e të paktën 30 viteve të fundit në Perëndim është ngushtimi i diferencës së pagave të larta me ato të ulëta. Rast klasik ishte kriza e viteve 2008 – 2012, ku edhe sektori privat në Perëndim mori masa të menjëhershme që të ngushtonte diferencën e pagave midis niveleve të larta manaxheriale me pagat e niveleve më të ulëta manaxheriale.

Në vazhdimësi, ka një prirje mbarëevropiane për rritjen e pagave të ulëta dhe sidomos të pagave në sisemtin arsimor, shëndetësor, rendit publik etj., me syim përmirësimin e cilësisë së jetës të punonjësve të sektorit publik në këto fusha, pasi sektori privat në këto vende ka ecur më shpejt dhe me më shumë efektivitet në këtë drejtim. Është fakt se në Perëndim është sektori privat që vendos nivelin e pagave në treg dhe është sektori public, që ndjek trendin, ndërsa në Shqipëri ndodh e kundërta. Këtu për çdo gjë duhet të hedhë shashkën kryeministri dhe nëse shashka bën zhurmë të tërë tremben. Nëse shashka nuk bën zhurmë, tymi shkon si më parë.

-Sa do ndikojë në buxhetin e shtetit kjo rritje pagash? A e thellon varfërinë dhe si? – Po në Ballkan apo në BE sa është disniveli pagave kur ne jemi vendi i fundit në Europë për Lumturinë?

Ndikimi në buxhetin e shtetit nga ky vendim është në tërësi rreth 350 milionë euro në vitin 2023 dhe për vitet 2024 dhe 2025 do jetë përkatësisht rreth 400 dhe 450 milionë euro. Këtu përfshihen të tëra synimet për shtimin e pagës në sektorin publik, ku pjesën e luanit e marrin nivelet e larta administrative dhe manaxheriale të dikastereve kryesore. Kjo është një shumë e madhe dhe një barrë shumë e madhe për sektorin privat, që paguan taksa, nga të cilat dalin paratë për pagat dhe sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të punonjësve të sektorit publik si dhe shpenzimet e tjera administrative të tyre. Mos harrojmë se në një ent publik përpara dy a tre vitesh, drejtuesi kishte firmosur me dhjetra mijëra euro për pagesën e bërjes së flokëve dhe makiazhit të femrave që punonin në atë ent publik. Kjo është e tepërt, për të mos e klasifikuar si abuzive me paratë e taksapaguesve. Raste të tilla ka me shumicë. Shqipëria është e fundit për indeksin e lumturisë në Evropë, por është gjithashtu e fundit edhe për indeksin e inovacionit, indeksin e krijueshmërisë, indeksin e standardeve të cilësisë, indeksin e sofistikimit të tregut, indeksin e sofistikimit të biznesit, indeksin e zhvillimit të qëndrueshëm, etj. Nuk është e rastit pra që jemi të fundit për lumturinë. Gjerat ecin paralelisht. Nuk mund të ketë lumturi kur shqiptarët hedhin plehrat nga ballkoni dhe nuk mund të ketë investime kur shqiptarët ikin nga sytë këmbët dhe nuk mund të ketë zhvillim të turizmit kur ne importojmë ende shumicën e ushqimeve dhe produkteve të tjera bazë për një jetesë cilësore.

– A nuk do ishte më e pranueshme dhe më sociale që kjo shumë e madhe parash të shkonte në ndihmë të familjeve në nevojë me ndihmë ekonomike?

Problematika e Shqipërisë në lidhje me familjet në nevojë ekonomike, individët dhe familjet me kushte të vështira jetese, individët dhe familjet që kërkojnë mbështetje sociale, individët dhe familjet që kërkojnë mbështetje për shkak të papunësisë, etj, të kësaj natyre, është një problematikë sa e trashëguar nga regjimi i mëparshën, aq edhe e krijuar në këto 30 vite. Kjo problematikë u shtua me ardhjen në pushtet të përpara rreth 10 viteve të këtij grupi njerëzish që si karkalecat që bien në grurë, kanë rënë me kokë e duar e këmbë në paratë publike dhe po bëjnë kërdinë. Përpara dhjetë vitesh, në kuadër të luftës kundër korrupsionit, skema e pagesave për ndihma papunësie dhe mbështetje sociale e shëndetësore u pastrua me mijëra individë dhe shpata e Demokleut ra mbi dru të thatë e dru të njomë, aq sa kjo fshesë, që ngjan me fshesën që fqinjët u bëjnë emigrantëve shqiptarë, e detyroi Bankën Botërore të ndërhynte dhe të frenonte revanshin ndaj këtyre shtresave. Banka Botërore e parandjeu se kjo do ndikonte në shtimin e ritmit të emigracionit, në një kohë që Evropa, ashtu si edhe sot, ka vështirësi të mëdha në absorbimin e hyrjeve të qytetarëve të ndryshëm pa aftësi, njohuri dhe kompetenca në territorin e saj. Si rezultat, tashmë jemi në një gjendje ku edhe pse shtesa natyrore e popullsisë është në rënie, përsëri ritmi i shpenzimeve për shtresat në nevojë është shumë lart të qenit në nivelet evropiane, që edhe këta qytetarë, të ndiejnë se mund të jetojnë, qoftë edhe në kushte minimale jetese, pasi në fakt ata jetojnë në mizerje.

– Pse nuk ka asnjë reagim as nga opozita për këtë rrije çmendurake të pagave të baballarëve të kombit? Opozita bërtet për vjedhje votash, por për rritjen e pagave të deputetëve të tyre hesht. Pse?

Unë mendoj se në Shqipëri që nga viti 1946 nuk ka patur ndonjë opozitë të vërtetë. Pas luftës së dytë botërore, që për Shqipërinë ishte në fakt një luftë e brendëshme civile, që ka kushtuar me mijëra jetë njerëzish dhe humbje pasurie dhe të drejtash qytetare, civile, pasurore dhe morale, vetëm për rreth dy vite (1944 – 1046) ka patur përpjekje për organizimin e opozitës, qoftë kjo edhe parlamentare. Me eliminimin e grupit të deputetëve, që nga ajo kohë dhe në vazhdim, edhe në ditët tona, partitë politike janë të tëra rudimente të Partisë Socialistë të Shqipërisë, e cila e ka zanafillën nga Partia Komuniste, kështu që mendoj se nuk ka asnjë mundësi që në Shqipëri të bëhet fjalë për ndonjë opozitë reale dhe funksionale.

– Po nga Shoqëria civile pse ka heshtje, kush i pengon?

E ashtuquajtura shoqëri civile në Shqipëri është ndarë në tre pjesë: shoqëria civile, shoqëria kopile dhe shoqëria debile. Kuptohet se shoqëria e vërtetë civile është në minorancë, paratë e projekteve dhe mbështetjen qeveritare e merr shoqëria kopile dhe duartrokitjet për qeverinë, në raste tubimesh e zgjedhjet për pushtetin qendror dhe vendor, i bën shoqëria debile. Fakti se më shumë se 65% e të rinjve janë alfabetë funksionalë, që dinë të lexojnë dhe dinë shkronjat e alfabetit, por nuk dinë të logjikojnë dhe të interpretojnë faktet dhe ngjarjet e dukuritë, flet shumë për gjendjen e Shqipërisë në tërësi dhe i jep një përgjigje të qartë pyetjes tuaj me këtë rast në veçanti.

– Sërish PS thellon fitoren në zgjedhjet vendore. Kjo fitore që blindon pushtetin qendror dhe vendor të PS a do ndikojë në ekonominë e vendit?

Po. Vërtetë. E ashtuquajtura Parti Socialiste fiton përsëri zgjedhjet e pushtetit vendor dhe blindon edhe mundësinë për të fituar zgjedhjet për pushtetin qendror në vitin 2025. Kjo për faktin e sipërpërmendur se në vend nuk ka opozitë të vërtetë. Duket se të dy palët kanë bërë një marrëveshje qëkështu të ndodhë. E ashtuquajtura Parti Demokratike, tashmë e shkërrmoqur në tre a më shumë grupime, të cilave u kanë mbajnë pishtarin deri tani me dhjetra partiçka të vogla për ndonjë kockë, duket se është inekzistente. Tashmë nuk ka opozitë as edhe për sy e faqe. Perëndimi e dinte këtë prej kohësh por tashmë u bë e dukshme edhe për shqiptarët. Padyshim që ndikimi i politikës në ekonominë e një vendi është diçka e njohur, por në rastin konkret, duket se efektet e papritura për qytetarët do jenë edhe më të mëdha.

Është e ditur tashmë se me përfundimin e zgjedhjeve, Rama ka sjellë gjithmonë të papritura për qytetarët dhe ekonominë shqiptare. Unë e kam theksuar edhe më parë. Me Ramën mund të përballesh vetëm me inteligjiencë dhe jo me fjalë boshe, pasi ai është mjeshtër i futjes në kurth me anë të fjalës. Duhet të lexojmë me shumë kujdes midis rreshtave kur ai shkruan. Duhet të dëgjojmë me shumë kujdes midis fjalëve kur ai artikulon. Duhet të shikojmë me shumë kujdes midis imazheve kur ai përdor penelin. Aksionet e vërtetë na politikë dhe në ekonomi mund të gjenden vetëm midis detajeve, pasi aty ato fshihen me kujdes nga hartuesit e tyre. Vetëm me inteligjiencë mund të përballemi me revanshin e pakrahasueshëm që ka ndërmarrë, ndërmerr dhe do ndërmarrë Rama. Ekonomia shqiptare kërkon një reformism të thellë dhe këtë nuk mund t’a japë kjo klasë politike e cila është e kapur nga krimi i organizuar dhe korrupsioni galopant, pavarësisht nga dëshira e ndonjërit apo e disave që janë pjesë e kësaj klase politike. Unë nuk paragjykoj, Rama ndoshta ka vënë mend nga gafat e së kaluarës, dhe ndoshta kërkon që të bëjë ndonjë ndryshim apo lëvizje pozitivce në vijën politike që ndikon në vijën ekonomike, por tashmë pavarësisht nga dëshirat, ai është i pafuqishëm për këtë. Ata që e rrethojnë janë më të këqinj se hijenat. Luani kur është i ngopur nuk të ngacmon. Hijenat, sado që të kenë ngrënë, përsëri kërkojnë që copëtojnë, pasi nuk kanë logjikë.

-Pritet sezoni turistik, që mund të sjellë të ardhura në buxhetin e shtetit, por nuk shihet asnjë masë paraprake sidomos në përgatitjen e infrastrukturës dhe të personelit të specializuar në shërbim. Mos vallë edhe ky sezon do ketë të njëjtat probleme si vitin e kaluar?

Manaxhimi në hoteleri – turizëm është art më vehte, si në sektorin publik ashtu dhe në atë privat. Unë kam patur rastin që të jem pjesë e disa projekteve të rëndësishme të financuara nga ana e Bashkimit Evropian për mbështetje dhe zhvillimin e sektorit të hoteleri – turizmit në vendet e Ballkanit, përfshirë edhe Shqipërinë. Me kënaqësi vërej se ka investime nga sektori privat në vend. Melia international është padyshim një histori suksesi. Dëshëroj shumë që kjo histori të përsëritet me të tjera ngjarje të tilla. Por kjo nuk mjafton. Hoteleri – Turizmi është sektori që ka mbajtur Greqinë për më shumë se 35 – 40 vitet e fundit si shtet dhe si komb. Greqia nuk ka burime natyrore. Ajo nuk ka asnjë pasuri nëntokësore, me përjashtim të disa qymyrgureve të tipit linjit në afërsi të Janinës. E vetmja mundësi për Greqinë në kohët moderne ka qenë bujqësia, agrobiznesi dhe turizmi. Ne në komunitetin e ekonomistëve dhe të specialistëve të zhvillimit e etiketojmë ekonominë e Greqisë si “ekonomia e lëngjeve të frutave”, pasi është pikërisht ky model ekonomik që e ka mbajtur vendin deri tani në nivelet e një vendi anëtar të Bashkimit Evropian. Po kështu ky sektor ka ndikuar pozitivisht në ekonominë e Malit të Zi, Turqisë, Kroacisë, që janë vende që i kemi pranë, pa u futur më thellë në mundësitë e zhvillimit ekonomik me anë të mbështetjes së sektorit të hoteleri turizmit në vende të tilla si Singapori, Malajzia, Tailanda, Emiratet e Bashkuara Arabe, disa vende afrikane, disa vende të paqësorit, etj. Modeli ekziston. Nuk ka nevojë për shpikje. Mjafton që të lejohet të funksionojë ekonomia e tregut. Nëse ka dëshirë të mirë për këtë nga ana e vendim marrjes, atëhere asgjë nuk mund ta ndalë këtë sektor në Shqipëri, që të bëhet dhe të qëndrojë fuqimisht konkurrues në një treg agresiv ndërkombëtar.

Ajo që më shqetëson është fakti se shumica e shqiptarëve nuk e njohin vendin. Shumë pak mundësi kanë fëmijët dhe të rinjtë që në mënyrë të organizuar dhe individuale të lëvizin lirshëm në të tërë territorin e vendit dhe kjo nga mungesa e njohurive, informacionit, mundësive, ekonomike, nivelit të lartë të riskut në vend, vendosja pa logjikë e çmimeve nga ana e operatorëve privatë në këtë sektor dhe nga pamundësia e kontrollit nga ana e institucioneve publike në këtë sektor, shoqëruar edhe me mungesën e standardeve të hoteleri – turizmit dhe të cilësisë, sigurisë dhe garancisë ushqimore, kryesisht në konsumin e produkteve të bar-restorantit në periudhën e verës, kryesisht nga operatorët e vegjël, që me këtë mungesë të cilësisë, sigurisë dhe garancisë ushqimore, i prishin imazhin edhe atyre që janë operatorë seriozë. Në tilla situatë populli thotë: “Më mirë të dalë syri se sa të dalë nami”. Ky është një rast klasik që ndikon në këtë sektor për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.

 

-Nesër do lexoni:

– Të huajt e shikojnë Shqipërinë ende si një mundësi vetëm për turizëm të diellit dhe ujit dhe jo   të kulturës

– Personelit tonë të sektorit të menaxhimit të hoteleri – turizmit në përgjithësi i mungojnë aftësitë komunikuese

Kemi 50% më pak traktorë, autokombajna, makina mbjellëse, korrëse, mjete transporti për bujqësinë, freza, disqe, etj.

-Kemi pothuajse 50% më pak bagëti se sa 100 vite më parë, në vitin 1923, kur popullsia ishte vetëm 1 milionë banorë