Zyhdi Kroj : Ja përse ushtarakët e liruar duhet të përfaqësohen në parlament

    464
    Sigal

    Në disa prononcime të mëparshme të miat kam shprehur opinionin tim për mundësinë e përfaqësimit në Parlament.  Për ndonjë pasaktësi, por edhe duke qenë se jemi në prag të fushatës elektorale e shoh të nevojshme të ndalem konkretisht në disa çështje. Gjykoj dhe kërkoj që edhe ushtarakët e liruar (në pension të parakohshëm apo në pension të plotë), pavarësisht se ku bëjnë pjesë, në shoqata apo parti politike, duhet të mendojnë dhe reflektojnë se çfarë aspiruan dhe çfarë u ofroi tranzicioni i tejzgjatur politik dhe konkretisht partitë politike që ata kanë mbështetur me votën e tyre. Për ta kuptuar këtë është e nevojshme që kolegët ushtarakë të kujtojnë ligjet e shumta të hartuara e miratuara në këto 22 vite, por që asnjëherë nuk u zbatuan konkretisht për të vlerësuar dhe shpërblyer profesionin dhe misionin e ushtarakut. Janë një mori ligjesh, duke filluar nga statusi i ushtarakut i vitit 1991, ligji nr. 8087, statusi tjetër i ushtarakut i vitit 2004, ligji nr. 9418 dhe ligji nr. 9481 e deri ligji nr. 10142 i vitit 2009, si dhe dy vendime të Gjykatës Kushtetuese, të cilat nuk u zbatuan asnjëherë. Edhe ligji nr. 10142 i vitit 2009, filloi të zbatohej vetëm pasi u sakatua nga famëkeqi Akt Normativ, i kthyer në ligj në dhjetor te vitit 2010, por që cenoi rëndë mënyrën e rillogaritjes së pensioneve, duke i kthyer në debitorë  rreth 8000 ushtarakë në pension të parakohshëm. Në mbështetje të ligjeve të mësipërme kanë dalë edhe shumë VKM e akte të tjera nënligjore, të cilat jo vetëm nuk janë zbatuar, por kanë krijuar një kaos juridik dhe kanë çuar në përkeqësimin e trajtimit financiar të ushtarakëve, të cilëve u kanë ndërprerë karrierën “për nevoja të reformës”. Këto, sa përmenda më sipër, por edhe të tjera, janë produkt i klasës sonë politike, përfshi këtu edhe subjektet politike që ushtarakët kanë votuar apo dhe janë të anëtarësuar. Kolegët e mijë duhet të binden se, në këtë sistem shoqëror, marrëdhëniet  e çdo natyre qofshin, janë së pari marrëdhënie interesi. Pra, megjithëse, janë miratuar një mori ligjesh, asnjëherë ushtarakëve, praktikisht, nuk u është dhënë ajo që u takon. Jo vetëm kaq, por dua të theksoj edhe  faktin tjetër, atë të shkatërrimit të pasurisë ushtarake. Kush i mori objektet e ndërtimit, territoret, armët e municionet e shumta? Të gjithë e dimë dhe jemi dëshmitarë se pronarë u bënë militantët e partive dhe të afërmit e tyre, matrapazët e trafikantët, ndërkohë që, ka ushtarakë ende të pastrehë. Mendoj se, shembujt e mësipërm janë tregues i një defekti disa vjeçar, pasi komuniteti i ushtarakëve  nuk ka pasur dhe nuk ka përfaqësuesit e vet në administratë, në pushtetin vendor dhe sidomos në Parlament. Edhe nëse ka pasur apo ka ndonjë përfaqësues në Parlament ata kanë qenë thjesht  servilë të bindur të partive politike, pasi nuk kanë qenë të zgjedhur  nga ushtarakët, por nga miqësitë dhe të afërmit e politikanëve të ndryshëm. Të kthehemi në realitetin e sotëm. Ushtarakët janë të organizuar, nga 8 prilli i vitit 1996, në Shoqatën Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë – SHKURSH. Në vitin 2009, për hatërmbetje dhe ndoshta të nxitur edhe nga politika, u krijua një shoqatë tjetër, e cila përfshin edhe  një minishoqatë xhenierësh, kredibiliteti i të cilave, pas dëmit që bënë ushtarakëve në vitin 2007, duke mos lejuar dhënien e pensionit sipas gradës, u vulos me turp nga vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese. Ata që e konsiderojnë veten drejtues të këtyre shoqatave, duhet t’u kërkojnë ndjesë kolegëve të tyre për dëmin e madh që u kanë shkaktuar, të japin dorëheqjen dhe t’i lënë të lirë edhe ata pak ushtarakë që kanë si anëtarë, të rikthehen në Shoqatën e tyre, me qëllim që zëri dhe veprimi i tyre të jetë më i fuqishëm, në të gjitha aspektet. Theksoj se është momenti që, të gjithë ushtarakët e liruar, ta kuptojnë se vetëm të bashkuar në Shoqatën Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë, duke unifikuar qëndrimin e tyre politik, t’u diktojnë partive politike përfshirjen në listat e tyre të oficerëve, të propozuar nga Shoqata, njerëz me përvojë, me cilësi morale, me gjuhë të huaja e kualifikim perëndimor, pasi vetëm kështu do të imponohen në marrjen e nismave për rehabilitimin moral, social dhe ekonomik të tyre. Pra mendoj se, për të rifituar ato që na janë mohuar deri me sot, është domosdoshmëri përfaqësimi në Parlament me ushtarakë të denjë e të devotshëm, të propozuar nëpërmjet Shoqatës. Në mungesë të ofertës  nga dy partitë kryesore, të cilat nuk e di nëse do të jenë të tilla edhe pas 23 Qershorit po nuk krijuan koalicione të gjëra, ka një mundësi tjetër reale, marrëveshje me parti të tjera, të cilat kanë vullnet të pranojnë si kandidatura kryesore ushtarakë të propozuar nga Shoqata, në bazë qarqesh. Le të sjellim në vëmendje situatën politike të zhvilluar në vendet fqinje, si Greqia dhe Italia, ku partitë tradicionale kanë humbur maxhorancën, jo vetëm atë absolute, por edhe relative, për shkak të partive apo lëvizjeve të reja të padëgjuara më parë. Kjo na bën të besojmë se, edhe nëpërmjet bashkëpunimit me parti apo lëvizje të tjera, aktualisht më të vogla, mund të realizojmë synimet dhe aspiratat tona. Së fundmi, sqaroj lexuesit dhe kolegët oficerë se, përsa më përket mua konkretisht, nuk kam synime dhe ambicie politike, por  do të mbështes kandidaturat e propozuara nga Shoqata, duke filluar nga Presidenti i Shoqatës, Mehdi Pogaçi, i cili është edhe zëvendëspresident i Konfederatës Ndëraleate të Oficereve në Rezervë të NATO-s, si dhe të çdo kandidature tjetër  të propozuar nga Shoqata, pavarësisht ngjyrimit politik. Besoj se shumë shpejt, organet drejtuese të Shoqatës, do të diskutojnë dhe vendosin për qëndrimin politik për zgjedhjet e 23 Qershorit 2013. *President Nderi i Shoqates Kombetare te Ushtarakeve ne Rezerve te Shqiperise