Nëse SPAK po çon në burg deputetin A. Bllako me argumentin e diskutueshëm se babai i tij është shpërblyer për punë të pakryer në një kompani private, e cila ishte përzgjedhur nën drejtimin e tij, automatikisht nuk mund të perjashtohen edhe sqarimet e mëposhtme.
- Punimet e ndërtimit dhe administrimit të një vepre të tillë me para publike (incineratorët) pasqyrohen në situacionet përkatëse. Dmth shpenzimet e kryera, vetëm ato që janë parashikuar në kontratën koncesionare, likujdohen (paguhen) nga buxheti i shtetit. Çdo shpenzim tjetër, që nuk është parashikuar në koston e veprës së ndërtimit dhe menaxhimit të saj, ligjërisht nuk mund të paguhet nga buxheti i shtetit. Zyrtarët e lartë të Ministrisë së Mjedisit në Komisionin hetimor deklaruan se nuk kanë bërë asnjë verifikim të kryerjes së këtyre shpenzimeve nën argumentin se kjo është punë e supervizorëve. Atëherë këtu lind pyetja e parë: nëse SPAK ka gjetur gjurmë dërgesash për punë të pakryer në shumën 4 milionë Euro në rastin e ish-shefit të z. Bllako dhe rreth 150 mijë Euro për vetë z. Bllako përmes pagesës së të atit për punë të pakryer, përse nuk hetohen dhe merren të pandehur supervisor që kanë certifikuar punimet e pakryera duke dëmtuar kështu arkën e shtetit? E njëjta gjë lidhet me mungesën e plotë të dy inceneratorëve, me pagesat për udhëtimet jashtë vendit, etj.
- Burime të ndryshme flasin për miliona Euro të shpenzuara për të blerë mas-median ose për të kompensuar financiarisht një numër opinionistësh si pjesë të makinerisë propagandistike të pushtetit. Nuk besoj se institucionet shtetërore psh Ministria e Ekonomisë dhe Financave të ketë qenë aq e çmendur sa të miratojnë në koston e projekteve individuale të inceneratorëve edhe shpenzime të tilla, qoftë edhe nën emrin e promocionit për të cilin rezulton se janë shpenzuar. Atëhere pyetja e natyrshme është: SPAK a është duke hetuar në këtë drejtim dmth si për përgjegjësinë e palëve zyrtare të përfshira (nëse kanë lejuar parashikime zëra të tillë kostoje që nuk lidhen me qëllimin e koncesionit) ashtu edhe për detyrimin e palëve për të kthyer paratë e grabitura “me ligj” në buxhetin e shtetit. Publikimi i një liste pagash vetëm disa muaj më parë dha mundësinë për të mësuar emra protagonistësh të mbipaguar për punë të pakryer me para buxhetore koncesionesh, por me rol jo të vogël në helmimin e opinionit publik në favor të qeverisë…

Për t’u kthyer te argumenti i fillimit: duke gjurmuar vetëm korrupsionin, SPAK duket se ushqen tezën e njohur të z. Rama se “hetimet nuk thonë asgjë për procedurën, e cila rezulton e rregullt”, dhe po e mban stekën te “peshq” të pavlerë (ndjese për alegorinë), ndërsa “peshkaqenët” e vërtetë të kësaj afere vazhdojnë të lëvizin fijet e pushtetit e ndoshta edhe teatrin e arrestimeve të derisotme. E nëse SPAK ecën në këtë drejtim, do të jetë një rrugë e gjatë dhe pakrye për të gjetur edhe 396 milionë Euro të tjera, përveç atyre 4 milionë Euro që thotë se i ka gjetë se në cilat llogari kanë përfunduar. Në të vërtetë dëmi me i madh i është bërë buxhetit të shtetit përmes procedurës, qysh nga shpallja e emergjencës mjedisore apo nxitja e saj, ndërtimi i kompanive si rrjete merimange për të grabitur buxhetin, transferimi i parave jashtë vendit në llogari off-shore deri te vazhdimi i pagesave edhe në ditët e sotme. Kjo duket aq e vërtete dhe se aq shumë dinë dhe zotërojnë informacion për zyrtarë të lartë të qeverisë koncesionare në arrati, aq sa qeveria nuk guxon as të ndërpresë pagesat në një aferë kaq të lexueshme për cilindo qytetar, votues e taksapagues të këtij vendi. Një kontratë e fituar në rrugë korruptive apo e dyshuar si e tillë, mund të kontestohet ligjërisht dhe askush nuk do ta penalizonte shtetin shqiptar nëse vepron në mbrojtje të interesave publike.
Përtej pritshmërive të mëdha të opinionit publik për rezultate nga SPAK, mendoj se të gjithë duhet të kontribuojmë në mbështetjen e këtij institucioni, duke e konsideruar këtë mbështetje si ndërtim i urave midis shtetit dhe qytetarit, për një Shqipëri më të jetueshme.




















