Nën maskën e qëllimeve turistike/ Oligarkët shtrijnë tentakulat drejt privatizimit të Syrit të Kaltër, firma “Fusha” 300 mijë USD për ndërtimin e parkimit

190
Sigal

Oligarkët shtrijnë tentakulat edhe drejt privatizimit të Syrit të Kaltër

“Biznesi” Dedej-Kumbaro me Syrin e Kaltër, firma “Fusha” fiton tenderin 300 mijë USD

 

Nën maskën se po bëhet për qëllime turistike, parkimi do të vendoset në rrugën Qafa Muzinë-Sarandë, disa kilometra larg Syrit të Kaltër. Por, si do të shkojnë turistët te Syri i Kaltër? Me tren, furgon apo autobus?

Para pak ditësh, u denoncuan tentativat e ministres së Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe drejtorit të Zonave të Mbrojtura, Zamir Dedej, për krijimin e një biznesi në afërsi të Syrit të Kaltër në Sarandë, që synon që këtë atraksion turistik ta kthejnë në fitimprurës për një grup njerëzish.

Projekti parashikonte ndërtimin e një parkimi, por jo në afërsi të vendburimit, por disa kilometra më larg. Më saktësisht, në afërsi të rrugës nacionale Gjirokastër-Sarandë. Por, nëse qytetarët parkojnë në vendin e përcaktuar, si do të shkojnë deri te vendburimi?! Natyrisht, në këmbë, rruga përshkruhet për rreth 35-40 minuta, ndërkohë që në këtë zonë, me këto investime, parashikohet të lulëzojnë bizneset e para. Apo më saktë, firma apo individë të caktuar do ta administrojnë! Sërish në kurriz të shqiptarëve, të cilët po shohin dita-ditës që pasuritë publike po i marrin oligarkët. Sipas Boldneës.al, kompania “Fusha”, e njohur fillimisht për lidhje ka fituar tenderin 300 mijë USD për ndërtimin e parkimit te Syri i Kaltër. Kompania njihet për “aferën” e Teatrit apo me ndërtimin e Sheshit Skëndërbej. Por, kohët e fundit, i ka shtrirë tentakulat edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, teksa ka marrë me dhjetëra tendera në Vlorë. Por, i fundit është sërish në të njëjtin qark, por më në jug, në Sarandë. Sipas dokumentit, drejtori i AKZM-së, Zamir Dedej, ka firmosur shpalljen e fituesit të tenderit “ndërtimi i hapësirave publike për akomodimin e automjeteve dhe aksesimin e tyre në zonën e mbrojtur ‘Syri i Kaltër’”. Vlera e tenderit ishte 333 milionë lekë të vjetra, ndërsa kompania “Fusha” ka ofruar 283 milionë lekë të vjetra pa TVSH, ose me TVSH rreth 300 mijë USD. Por, oferta e kompanisë “Fusha” nuk ka qenë më e ulët, pasi kompania “Mane/s” ka ofruar 275 milionë lekë. Por, ashtu si edhe skema me tenderët e fituar në Bashkinë e Tiranës, Zamir Dedej ka s’kualifikuar ofertën më të ulët, duke shpallur fitues kompaninë “Fusha”. Arsyeja ishte se s’ka punë të ngjashme! Syri i Kaltër në Sarandë, një nga zonat më atraktive në Shqipëri po shndërrohet në një biznes të mirëfilltë privat. Para disa muajsh, Ministria e Mjedisit e nxori në ankand këtë pasuri për t’ia dhënë privatit. Por, pas bërjes mediatike të ankandit, ish-ministri i Mjedisit, Blendi Klosi, tha se “shpallja ishte një gabim njerëzor”. Më pas, kjo ministri tenderoi bërjen e rrugës, teksa pas shumë vitesh e vitesh premtime do të bëhej rruga deri te Syri i Kaltër. Por, pas rrugës, u tenderua edhe parkimi. Sipas dokumenteve që disponon, parkimi do të vendoset në rrugën Qafa Muzinë-Sarandë, disa kilometra larg Syrit të Kaltër.“Parkimi është pas ndërtimit të rrugës lidhëse dhe shëtitores të zonës së mbrojtur të ‘Syri i Kaltër’” thuhet në dokumentet e këtij tenderi. Bashkëlidhur dokumenteve është edhe vendi ku do të jetë parkimi, i cili është buzë rrugës Qafë Muzinë – Sarandë. Pra, disa kilometra larg Syrit të Kaltër. Por, si do të shkojnë turistët te Syri i Kaltër? Me tren, furgonë apo autobusë? Do t’i marrë AKZM-ja apo ndonjë subjekt privat që ka kontraktuar AKZM-ja. Duket se edhe Syri i Kaltër është kthyer në një burim fitimi, pasi pritet që t’i jepet totalisht privatit.