Kyeministri Rama: Ndryshime në kabinet s’ka arsye pse të ketë, për Bllakon vendos drejtësia, nuk ka përgjegjësi kolektive

Kryeministri Edi Rama ka thënë se nuk do të ketë ndryshime në kabinetin qeverisës. Ai theksoi se në mbledhjen e kryesisë është diskutuar për presidentin e ri dhe Kongresin e PS.“Ndryshime në kabinet s’ka arsye pse të ketë. Ne kemi bërë mbledhje që ka në qendër të vëmendjes kongresin e PS, agjendën e kongresit, temat, formën e re, statutin e ri të PS. Kemi folur për mbledhjen e të dhënave të fshehta të të gjithë përfaqësuesve të grupit parlamentar dhe kryesisë, për opinion për presidentin e republikës”,- tha Rama. Ai tha për ish-deputetin Alqi Bllako, për të cilin është kërkuar arrestimi, se do të përgjigjet para ligjit dhe deri në momentin që drejtësia të vendosi, ai prezumohet i pafajshëm. Kryeministri Edi Rama ka thënë se për cilindo përgjegjësia është personale dhe për këtë duhet të përgjigjen në gjykatë. Rama tha se përpara ligjit nuk ka deputet, nuk ka ministra, nuk ka forcë, nuk ka të privilegjuar, janë të gjithë të barabartë. Në nivelin personal ai tha se është shumë i keqardhur. “Deputetët janë të popullit, individët janë të vetes dhe përpara ligjit nuk ka deputet, nuk ka ministra, nuk ka forcë, nuk ka të privilegjuar, janë të gjithë të barabartë dhe habitem që ka akoma nevojë për të tilla pyetje, ndërkohë që gjithçka po ndodh nuk është asgjë tjetër veçse përgjigjja për të gjithë ata që nuk besonin se në Shqipëri do të bëhej një reformë në drejtësi. Nuk besonin se në Shqipëri do të vinte dita që edhe njerëz me imunitet dhe me pushtet do të shkonin para drejtësisë. nuk besonin që këtë reformë ne ndërmorëm dhe unë personalisht me shumë vendosmëri jo vetëm, por së bashku me PS e kemi udhëhequr dhe do vazhdojmë ta mbështesim jo për të kapur drejtësinë, por për të krijuar kushtet që me kohë, me durim, një proces reformimi i drejtësisë të bëjë të mundur që të ketë një Shqipëri të drejtë për gjeneratën tjetër. Kështu që në nivelin personal, njerëzor, patjetër që jam shumë i keqardhur, por në nivelin e detyrës sigurisht që i shoh këto që ndodhin si rezultat i asaj që kemi bërë”, -deklaroi Rama. Kreu i qeverisë deklaroi më tej se mbështet Reformën në Drejtësi për një Shqipëri të drejtë për të gjithë.“Sot që flasim, përgjigja ime është në parim. Në rastin konkret dhe në të gjitha rastet nuk e caktoni as ju dhe as unë. Deri kur drejtësia të thotë fjalën e fundit, këta njerëz quhen të pafajshëm. Përgjegjësia nuk është kolektive në demokraci.”-tha Rama. Kjo nuk është hera e parë që Kryeministri Edi Rama shfajësohet për zyrtarët e PS, të cilët shkelin ligjin duke thënë se përgjegjësitë janë individuale.

NOA