Vlerësimi i tradhëtarëve një lajthitje e Ramës

615
Sigal

Forum/ Flasin Pëllumb Zaimi, Drago Shehu dhe Hajro Limaj: Sot Rama duhet të shikojë të forcojë  atdheun dhe jo të  provokojë historinë

Më parë Rama të zgjidhë hallet e popullit

Kryeministri Edi Rama përkujtoi para disa ditësh  përmes rubrikës “Homazh” në facebook, Safet Butkën, i cili sipas tij ndikoi që arsimi të kthehej në Shqipërinë e viteve 1930, në një prioritet mbarëkombëtar.

Para disa ditësh në një status në Facebook kryemnistri Edi Rama lartësoi figurën e Safet Butkës, i cili sipas dokumenteve historike kishte bashkëpunuar me fashistët. Menjëherë pas këtij statusi filluan reagimet, ku nuk kanë munguar kritikat ndaj Ramës nga qytetarë me profesione të ndryshme, veteranë,  familje dëshmorësh por edhe njerëz të thjeshtë. Të gjitha mendimet e tyre konvergojnë në një pike: që Rama nuk është historian dhe ka probleme të tjera për të zgjidhur. Më parë Rama të zgjidhë hallet e popullit, pastaj të merret me historinë.

Ja statusi i plotë i Ramës:

Safet Butka nuk mund kurrësesi të harrohet dhe vepra atdhetare e iluministe e tij, kurrësesi nuk mund të mos vlerësohet. Siç kishte luftuar trimërisht në aq e aq beteja babai i Safetit, Saliu, po aq trimërisht luftoi, derisa hoqi dorë nga kjo jetë edhe i biri, Safeti, më 19 shtator të vitit 1943. Vdekja e tij sa tragjike, po aq sa edhe simbolike nuk tronditi vetëm lëvizjen nacionaliste, por edhe me dhjetra partizanë të Nacional-Çlirimtares, të cilët në gjimnazet e ndryshëm të vendit ku pat dhënë mësim, e kishin pasur mësues e udhëheqës shpirtëror.

Shqiptari shqiptarit, vetëm vëllazëri dhe përparim të përbashkët duhet t’i mbrothësojë. Kjo ishte bindja për të cilën edhe në fund e shkriu vetë jetën e tij Safet Butka. Asokohe për djalërinë, t’i përngjasoje Profesorit ishte kthyer në një ambicje, në një qëllim në vetvete, ndërsa motoja e tij, “T’i jepet mësimit trajta e lodrës, shkollës forma e familjes dhe mësuesit roli i prindit”, ishte e mishëruar në shembullin e tij.

Profesor Safeti u formua në Linz e në Grac, për mësuesi e filozofi dhe dha mësim duke shënjuar formimin e disa brezave, nga Korça në Vlorë e nga Gjirokastra në Tiranë. Nuk mëkoi vetëm lëndë mësimore e didaktike pedagogjike, por shëndoshi mendjet dhe karakteret e nxënësve dhe trupës pedagogjike, nëpërmjet shembullit të njeriut që në beben e syrit ka barazinë e aksesit në dije dhe mirëqënie të të gjithëve, meritokracinë dhe drejtësinë në trajtim të çdo anëtari të stafit, organizimin në struktura sindikale për të mbrojtur të drejtat e mësuesve dhe pedagogeve. Me përpjekjet e tij dhe falë emrit familjar që diti ta mbajë me nder, por edhe me shumë autoritet, Safeti ndikoi që arsimi të kthehej në Shqipërinë e viteve ‘30, në një prioritet mbarëkombëtar.

Si inspektor i arsimit nuk u kthye kurrë në censor të kulturës dhe fjalës së lirë. Përkundrazi, i promovoi sa mundi këto parakushte të të drejtave themelore. Kur, më 30 shtator 1938, Safet Butka u lëviz nga kjo detyrë për t’u emëruar drejtor i gjimnazit shtetëror të Tiranës, nxënësve të atëhershem iu duk se zunë Perëndinë me dorë. Së bashku organizuan qëndresën e parë kundër pushtimit, më 7 prill 1939, duke mbledhur armë dhe municione. Fashistët e larguan paskëtaj në Shkodër Safetin, prej ku e pezulluan nga detyra dhe e internuan në Ventottene, për shkak të veprimtarisë së spikatur antifashiste.

Deri më 19 shtator 1943, veprimtaria e tij në shërbim të kombit dhe djalërisë do të zhvillohet fuqishëm, sikundër fuqishëm do të perceptohet prej tij rreziku i një paslufte tragjike. Sa mundi, ai iu bë pengesë skenareve katastrofike të perçarjes e vëllavrasjes. Atëherë kur e kuptoi që skena e luftës do të shndërrohej pashmangshmërisht në një skenë asgjësimi për pushtet, burrërrisht dhe ndershmërisht, e uli me dorën e tij siparin e jetës dhe mbylli sytë me Shqipërinë një dhe të pandarë në mendje.

 

Reagime

Kolonel, Pëllumb Zaimi

 

Ringjallje e kolaboracionistëve sikur është bërë pjesë e jetës së Edi Ramës.  Nëse shihet në vijimësi mënyra e komunikimit dhe sjelljes së tij  një ndër ndërveprimet është bashkëpunimi me të zezën. Me atë të zezë që e duan shumë pak njerëz. Ai duket sikur është lidhur me antisocialen dhe antishqiptaren

Nuk është situata e duhur, por ai shmnag problemet duke hedhur pilula të tilla. Një politikë e tillë nuk lidhet me partinë që ai përfaqëson. Rama nuk duhet të provokojë historinë dhe të lartësojë tradhëtarët.

 

Kolonel, Hajro Limaj

 

Erdhi si befasi. Detyrimisht që do të ketë reagime,sepse Rama po merr rolin e institucioneve zyrtare historike në vlerësimet që po bën. Ai po del mbi këto insitucione dhe sigurisht nuk do heshtet.

 

Drago Shehu, familje dëshmori

Nuk mund të them se në çfarë situate e ka thënë këtë z. Rama, por di të them se historia nuk ndryshohet me një të rënë të lapsit. Histrorinë e bëjnë historinët e vërtetë dhe jo politikanët. Politika ndryshon me vitet, historia mbetet  e pandryshuar. Tradhëtinë e dënojnë në çdo vend të botës. Dihet se pas Luftës së Dytë Botërore sa njerëz që bashkëpunuan me nazi-fashizmin u pushkatuan. Nuk është koha të rehabilitohen tradhëtarët por të ruajmë atdheun dhe ta zhvillojmë atë. Ka plot halle vendi ynë dhe nuk do miremi me rehabilitime të tradhëtarëve.

/ “Telegraf”