Nis puna për Bazën Ajrore të NATO në Kuçovë, Rama e Peleshi: Shqipëria, vlerë e shtuar e Aleancës

128
Sigal

Nis puna për realizimin e projektit për modernizimin e Bazës Ajrore të Kuçovës dhe transformimit të saj në Bazë Ajrore Taktike të NATO-s.

Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast morën pjesë kryeministri Edi Rama, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA Gjeneralmajor Bajram Begaj, ambasadorja e SHBA Yuri Kim, ambasadorë të vendeve të tjera të akredituar në Tiranë.

Kryeministri Edi Rama theksoi gjatë fjalës së tij se: “Vendimi që NATO mori për ta përzgjedhur këtë hapësirë si një mjedis të ri për adresimin e sfidave të sigurisë, duke e transformuar në një bazë ajrore taktike të Aleancës në rajon, konfirmon faktin se Shqipëria e vogël është sidoqoftë një vlerë e shtuar në këtë Aleancë, e cila bashkon së bashku shtete që besojnë në disa vlera dhe parime për të cilat ia vlen të luftohet”.

Kryeministri theksoi më tej rolin e stërvitjes “Defender 21”, duke shtuar se Shqipëria është në pozicionin më të favorshëm për ta rikthyer atë në vitin 2023. Shndërrimi i Bazës Ajrore të Kuçovës në bazë ajrore të NATO-s, u cilësua nga kryeministri Edi Rama si një mundësi e shkëlqyer për Forcat tona të Armatosura në ngritjen e kapaciteteve kombëtare dhe modernizimin e Forcës Ajrore.

Duke shprehur mirënjohjen, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, deklaroi se kjo nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen pa rezerva të aleatëve tanë dhe lidershipit civilo-ushtarak të NATO: “Përzgjedhja e Shqipërisë për të zhvilluar këtë projekt, është dëshmi e qartë mbi aftësitë tashmë të konsoliduara të vendit tonë, për të marrë më shumë përgjegjësi dhe për të vazhduar me maturi angazhimin dhe kontributin tonë në arkitekturën e sigurisë së rajonit dhe më gjerë. Ndërtimi i kësaj baze në vendin tonë, ështëdhe mesazh i qartë që i dërgohet aktorëve të tjerë me qëllime jo-të mira në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Rritja e pranisë perëndimore në gjithë rajonin tonë nuk do të lejojë depërtimin dhe influencën e këtyre rivalëve, që kanë agjenda dhe interesa të tjera, të ndryshme nga ato që ne besojmë dhe ndajmë. Projekte dhe iniciativa të tjera si kjo e Kuçovës janë mëse të mirëpritura në të ardhmen, dhe ne jemi besimplotë se zhvillime të tjera do të na ndjekin.” –  theksoi ministri Peleshi.

Ministri i Mbrojtjes tha më tej se me përfundimin e rikonstruksionit dhe vënien në gatishmëri operacionale, Baza Ajrore Taktike e Kuçovës do të luajë një rol vendimtar në mbështetjen e NATO-s dhe vendeve aleate për t’u dislokuar me shpejtësi dhe efikasitet. Por, sipas ministrit Peleshi baza do të ketë impakt pozitiv edhe në fushën sociale dhe ekonomike për komunitetin që jeton pranë kësaj baze.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneralmajor, prof. asoc. Bajram Begaj, teksa e cilësoi një moment historik tha se: “Baza Ajrore Taktike e Kuçovës do të shndërrohet në një gjurmë të rëndësishme të prezencës së NATO dhe do të jetë në shërbim të stërvitjeve dhe operacioneve të ndryshme të Aleancës, duke qenë e gatshme 24 orë në 7 ditë të javës, si në kohë paqe, ashtu edhe në kohë krize”.

Investimi në këtë bazë arrin vlerën e rreth 45.8 milionë € dhe konsiston në ndërtimin e depove të armatimit, ato të karburantit, stacioneve të armatimit, parkingut të avionëve, stacionit kundër avarive dhe zjarreve, rindërtimin e pistës dhe kullës së kontrollit. Punimet parashikohet të përfundojnë në vjeshtën e vitit 2023.