Vangjush Saro: Poshtërim i fëmijëve nga politika

235
Sigal

Këto ditë, Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kanë përuruar të ashtuquajturën “Micro Folie”, që “synon të afrojë më shumë të rinjtë dhe fëmijët me teknologjinë dhe artin”. Kështu u tha. Kjo qendër (e parë, saktësojnë përuruesit) u hap në lulishten pas Kryeministrisë. Kryebashkiaku na shpjegon: “Që kur Kryeministri më tha përpara Vitit të Ri që kishte parë një koncept fantastik në Francë, ku praktikisht nga 5 kutiçka të vogla që mund të futen në një furgon hapet i gjithë ky ambient, si një tendë kryesisht për fëmijët që kanë dëshirë të merren me hapësirën digjitale, të shikojmë se si mund të bëjnë gjëra kreative me duart e tyre, me mendjen dhe fantazinë e tyre jam shumë i lumtur sot që arritëm ta sillnim këtë projekt nga Parisi në Tiranë.”

Pra, bëhet fjalë për një mjedis prapa Lulishtes së Kryeministrisë dhe për fat të keq, vetë përuruesi flet për ca “kutiçka”. Fundja, po i quajmë mirë edhe ato, sepse çdo mundim duhet përshëndetur. Unë jam i prirur të përshëndes gjithë sa bëhen për fëmijët dhe të rinjtë, përveçse përpiqem të mos bëj pohime a përfundime të anuara e të mos lëndoj askënd. Por nuk i shmangim dot pyetjet: Çfarë bëhet përtej kësaj lulishteje? Pastaj… ato dhjetra kënde lojërash, fusha sporti, biblioteka lagjesh, etj., të trashëguara nga ai ‘rendi i poshtër’, ku shkuan?

Me këtë rast, kam gjithë të drejtën të them se në çdo kohë, në çdo sistem, fëmijët përdoren si stoli a mbushje (arnë) për interesat e politikës, për aktivitetet apo daljet në publik të politikanëve. Jo vetëm politikanët, por (sapo e thamë) edhe qeveritë e institucionet i kanë përdorur dhe i përdorin ata më së shumti si sfond. Në dukje, është thjesht një dëshirë për t’i kujtuar, për t’u kujtuar për ta, pastaj edhe për të pozuar bashkë me ta, duke bërë pak spektakël e duke thurrur ndërkaq hartime… Në të vërtetë, fëmijët përdoren, abuzohen; dhe asgjë tjetër veç kësaj nuk ka në këtë mes.

Enveri (Hoxha) e bënte këtë me shumë zotësi (edhe pse, për hir të së vërtetës, mjediset për fëmijë ishin të shumta). Duke i pasur përqark e duke i përkëdhelur, nga afër apo në distancë, ai bënte demagogji dhe reklamë në mënyrën më të paskrupullt. Një pjesë e madhe nuk e dinin asokohe që ndërsa ‘udhëheqësi i madh’ qeshte dhe pozonte me fëmijët, shumë asish gjendeshin nëpër internime apo kishin prindërit burgjeve. Dhe për çfarë? Në të shumtën e rasteve, për arsye politike. (Dy gjëra këso i kemi parë që atëhere, dymbëdhjetë i mësuam më pas…)

“Por nuk i shmangim dot pyetjet: Çfarë bëhet përtej kësaj lulishteje? Pastaj… ato dhjetra kënde lojërash, fusha sporti, biblioteka lagjesh, etj., të trashëguara nga ai ‘rendi i poshtër’, ku shkuan? Në çdo kohë, në çdo sistem, fëmijët përdoren si stoli a mbushje (arnë) për interesat e politikës, për aktivitetet apo daljet në publik të politikanëve.”

Por modeli mbeti. Fill pasi u vendos pluralizmi dhe filloi ‘era’ e Demokracisë, zakoni i vjetër i mbajtjes së fëmijëve përqark a në sfond, u ringjall. Në të gjitha takimet politike, kishte fëmijë ose të rinj. Në të gjitha takimet politike, edhe sot e gjithë ditën, ka fëmijë dhe të rinj. Gjithnjë në sfond, gjithnjë për të zbukuruar episodet e vështira apo për t’i paraqitur sa më të besueshëm politikanët. Por ngado që ta vërtisim argumentin, është poshtërim. Dhe vërtet, çfarë bëjnë fëmijët dhe të rinjtë në ‘background’ të politikanëve? (Herë duke qëndruar si mumje, herë duke tundur tufa lulesh e kështu më tej.) Pse gjenden ata atje? Janë të orientuar politikisht? Janë të forumeve rinore? Të forumeve fëmijërore… Nuk ka të tillë a? Domethënë, i kanë çuar dhe i çojnë me përdhunë në takime e mitingje? Apo e kanë për hobi? Të rriturit ose ata vetë… marrin lekë?

Asnjëra nga përgjigjet e mundshme nuk e kthjellon dot këtë qiell të mbushur me re dhe stres. Dhe çfarë është kjo? Ku jetojmë? Ata, politikanët, kanë tridhjetë vjet që zihen e përleshen për prona e pushtet, janë shfytyruar me gjithsej, janë shndërruar në karikatura… Ka një distancë të frikshme mes jetës dhe të ardhurave të tyre e të familjeve të tyre nga njëra anë, dhe pjesës tjetër të popullsisë. Megjithatë, gjithnjë do të gjenden fëmijë e të rinj që u rrinë në krah e përqark, si për t’i zbukuruar, shtojcë, sfond, mbështetje… Si e pranojnë këto vajza të reja, këta djem – që s’kanë hyrë ende në jetë – një poshtërim të tillë? Ç’janë ata prindër që i lejojnë të plotësojnë zbrazëtinë dhe shëmtinë e politikës e të qeverisjes?

Po kujtoj më poshtë (me shumë dhimbje) herën më të fundit kur fëmijët bëhen viktimë (edhe e mungesës së shtetit.) Lexoj një gazetë: “Alketa, 40 vjeç dhe tre fëmijët e saj, Danjela 19 vjeç, Klarisa 15 vjeç dhe Enriko 12 vjeç u nxorrën të plagosur, por humbën jetën njëri pas tjetrit në një spital në Itali, ku ishin dërguar për kurim të specializuar. Hetimet paraprake të policisë dhe një raport i Inspektoriatit Shtetëror Teknik dhe Industrial, ISHTI, fajësuan rrjedhjen e gazit të lëngshëm nga njëra prej bombulave. Të dy institucionet e drejtuan gjithashtu gishtin ndaj stacionit lokal që i kishte shitur gazin familjes Gjoka dhe që një ditë pas shpërthimit, u bllokua nga ISHTI për kryerjen e aktivitetit pa licensë dhe dokumentacion.” (Uau, e paska bllokuar shteti! Bravo! Si kofini pas të vjelit.)

Është vetëm një ndër shumë raste kur tronditet apo humbet jeta e shqiptarëve, e fëmijëve shqiptarë… për shkaqe banale, por që kanë gjithnjë një shpjegim në të cilin, pa asnjë diskutim, politika, qeveritë institucionet, mbeten përgjegjës; sepse ata e kanë krijuar dhe e mbajnë të ngritur këtë sistem jete e biznesi të papërgjegjshëm dhe që, kohë pas kohe, shkakton drama. Tash, besoj, kuptohet edhe më mirë pse më brengos aq shumë ai sfond ku janë fëmijët dhe ato “kutiçkat” e kryebashkiakut që ndërkohë, bashkë me shefin e tij, u kanë marrë ajrin fëmijëve me ndërtime të pakontrolluara, jashtë çdolloj standarti urbanistik dhe human.