Tortura/ 1.7 milionë shqiptarë pa spitale në qytete, “marshim” drejt 12 prefekturave

    516
    Sigal

    Modeli i shëndetësisë “Beqaj”: 30 qytete me spitale të mbyllura, janë kthyer në ambulanca me mjekë… roje

    Në protestën e bluzave të bardha të qarkut të Durrësit, një prej mjekëve, tha: – “Ministri Beqja, përpara se të na bëjë provim, duhet të na plotësojë kushtet për shërbim ndaj qytetarëve, mbasi jemi aq katastrofë si në mesjetë, sa po detyrohemi t’i çojmë pacientët deri në Tiranë për një apendicit, mbasi spitali rajonal i Durrësit nuk ka reanimator, nuk ka specialistë të tjerë sëmundjesh, nuk ka ilaçe, nuk ka pajisje për shërbime ekzaminuese etj.”. Kjo gjendje dihet tashmë. Qysh prej katapultimit të ministrit Ilir Beqja në krye të shëndetësisë shqiptare, gjendja e këtij shërbimi është katandisur në “traumë” institucionale, në kaos shërbimi, në qendër korrupsioni, në shpërfillje ndaj qytetarëve e në biznes privat të ministrit e klaneve të tij. Nisur prej faktit, që në spitalin e Durrësit nuk bëhet dot një operacion apendiciti, mbasi nuk ka mjek reanimator, përfytyro se ç’ndodh me shërbimin mjekësor në qendrat e banuara larg Durrësit e Tiranës…, ku mungojnë mjekë specialistë, pavijone, shtretër, pajisje dhe ilaçe, pa bërë fjalë për operacionet, të cilat nisen “me shoqëri e lutje” drejt Tiranës, ose spitaleve rajonale të prefekturave, ku ka mundësi.

     Fakti/ 30 qytete pa spitale, janë kthyer në ambulanca me mjekë… roje

     Ka ndodhur dhe po vazhdon të praktikohet ajo që nuk ndodh në asnjë vend të botës me shërbimin mjekësor. Në Shqipëri, modeli që aplikohet në shërbimin mjekësor ka mbyllur përfundimisht spitalet e bashkive, ka hequr plotësisht shërbimet e mjekëve specialistë nga spitalet e rretheve, ka lënë spitalet rajonale me vetëm 40% të specialistëve, ka përgjysmuar fondet financiare të ilaçeve bazë, ka përgjysmuar efektivët e shërbimit në urgjenca, ka lënë në gjendje mjerane pavijonet dhe bazën materiale, ka lënë “skrap” pajisjet ekzaminuese dhe ka lënë në masën 15% shërbimet mbështetëse në shërbimin spitalor. Aktualisht, në 30 qytete nuk ka më shërbim spitalor me shtrime, trajtime e vizita specialistësh, urgjenca, obstretikë-gjinekologji, operacione etj., duke i kthyer ato thjeshtë në ambulanca injeksionesh, regjistrimesh e lëshim rekomandimesh për në spitalet e prefekturave. Nga 56 spitale që kanë patur rrethet, vetëm 12 prej tyre vazhdojnë të kryejnë këtë funksion, ato spitale që gjenden në qendrat e prefekturave. Mbyllja e spitaleve të qyteteve mund të quhet “Rilindje”, por ky model shërbimi detyron banorët që janë jashtë qendrave të prefekturave, që qoftë edhe për një vizitë mjekësore, të udhëtojnë drejt spitaleve të rretheve e prefekturave. P.sh., qarku i Beratit ka 170 mijë banorë, por vetëm 32 mijë banojnë në qendër të prefekturës pranë spitalit, ndërsa 138 mijë banorë që nga Vërzhezha e Skraparit, nga Sinja e Beratit dhe Kozarja e Kuçovës, duhet të udhëtojnë dhjetëra e qindra kilometra drejt Beratit për shërbim mjekësor. Qarku i Gjirokastrës ka 102 mijë banorë, por vetëm 43 mijë banojnë në qendër të prefekturës, ndërsa 59 mijë banorë nga Buzi i Tepelenës, nga Bubësi i Përmetit dhe nga Zagoria e Gjirokastrës, duhet të udhëtojnë drejt spitalit të prefekturës. Po kështu 131 mijë banorë të zonave të Peshkopisë, 63 mijë banorë të zonave të Kukësit e të çdo qarku, janë pa spitale pa shërbim të plotë mjekësor pranë qendrave të banuara dhe detyrohen natën e ditën, dimër e verë, në këmbë, me makina e me kafshë, të udhëtojnë drejt spitaleve të prefekturave.

     Fakti/ 1.7 milionë shqiptarë, “marshim” drejt spitaleve të 12 prefekturave 

     Shqetësimin e mungesës së mjekëve specialistë dhe pajisjeve për shërbim të kompletuar mjekësor, na i bëri prezent edhe një letër e ardhur në gazetën “Telegraf”, prej 1 pacienti nga Bubësi i rrethit të Përmetit. Ai shkruan: – Në fshat nuk kemi as infermiere. Në komunë nuk kemi as mjekë. Në Këlcyrë, kanë detyrë vetëm sa të regjistrojnë emrin si të sëmurë, të na japin ndonjë kokërr aspirinë e të na bëjnë ndonjë gjilpërë po patën gjendje e të na japin rekomandim, për vizitë në Përmet. Në Përmet, nuk të shërbejnë dot sipas kërkesave të sëmundjes, sepse nuk ka mjekë, aparatura e ilaçe dhe të regjistrojnë emrin që je vizituar e të japin rekomandim për në spitalin rajonal në Gjirokastër. Në Gjirokastër, nuk ka mjekë specialistë e aparatura për çdo lloj sëmundje, ndaj edhe ata, të nisin për trajtim në… QSUT ose në Spitalin Ushtarak Tiranë, por edhe në spitale private (të shokëve të tyre). Në Tiranë, dihet se çfarë ndodh, mbasi shkon e gjithë Shqipëria dhe duhet të harxhosh mijëra lekë që të vizitohesh, të bësh analiza, të shtrohesh, të blesh ilaçe e ushqime deri të vij radha për operacion, ose trajtim tek specialistët”. Letra e pacientit nga Përmeti, evidenton një problem shqetësues që krijon shërbimi shëndetësor i organizuar sipas modelit “Beqaj”. Shqetësimi është ky: me skemën e mbylljes së spitaleve të rretheve dhe të qyteteve dhe përqendrimi i tyre në qendër të prefekturave, tashmë nuk shkon shërbimi shëndetësor pranë qytetarit, por “marshon” afro 70% e popullsisë drejt qendrave të prefekturave dhe Tiranës për të kryer shërbimin mjekësor që kanë nevojë. Ky model shëndetësie që ofron ministri Beqaj, nuk u afron, por u largon e ua vështirëson shërbimin njerëzve, duke u shtuar jo vetëm kostot financiare prej udhëtimit drejt spitaleve të prefekturave dhe Tiranës, por edhe duke krijuar raste humbjesh jete, sidomos në lindje, trajtime urgjencash operacionale fëmijësh e të moshuarish, të cilët në zonat e banimit, por edhe në qendrat e prefekturave gjenden shpesh përballë mungesës së shërbimit prej mungesës së mjekëve specialistë, pajisjeve e ilaçeve. Heqja e shërbimit mjekësor nga qendrat e banimit dhe përqendrimi i tyre dhjetëra e qindra kilometra në qendër të prefekturave, krijon stresin dhe ineficencën e këtij shërbimi. Banori nga Bubësi i Përmetit, p.sh., që të bëj një vizitë mjekësore nga syri, veshi, koka, kockat e diagnoza të tjera, duhet të udhëtojë 110 kilometra vetëm vajtje deri në Gjirokastër! Pacienti nga Konispoli, duhet të udhëtojë 105 kilometra deri në Vlorë. Pacienti nga Levani i Tepelenës, duhet të udhëtojë 100 kilometra për të shkuar në Gjirokastër. Pacienti nga Leskoviku, duhet të udhëtojë 120 kilometra për të shkuar në Korçë. Pacienti nga Burreli, duhet të udhëtojë 110 kilometra për të shkuar në Peshkopi. E kështu ndodh me banorët e çdo zone, qyteti e rrethi që ministria u ka mbyllur spitalet, duke ua kthyer në ambulanca ditore me mjekë të përgjithshëm e me infermierë, (në 80% të rretheve, qyteteve e qarqeve), spitale këto që, me emërimet klienteliste e me pazare, të bëra prej ministrit Beqaj, drejtohen nga teknikë pyjesh, agronomë, mësues filloreje, mësues fizkulture, kitaristë, inxhinierë minierash e deri… oficerë artilerie!

    ——————————–

     Ja 10 tregues skandalesh e primitivizmi nga mjekësia shqiptare

    1. Shqipëria është vendi i vetëm në Europë, që shpenzon 5 herë më pak financime për frymë, në sektorin e shëndetësisë, se ish-vendet e lindjes komuniste në këto 20 vite.

    2. Edhe pse që nga viti 2005 e deri sot, duket se janë rritur shpenzimet mjekësore për frymë, ky tregues është 6 herë më i ulët se mjekësia në Maqedoni e Moldavi dhe 3 herë më pak se në Bosnjë.

    3. Më shumë se 80% e shtetasve paguajnë ryshfete në shërbimin shëndetësor ndaj mjekëve, ndërsa pothuajse 50% u paguajnë ryshfet infermierëve.

    4. Afro 95% e qytetarëve, që trajtohen në shërbimin spitalor, i përballojnë privatisht shpenzimet dhe shërbimet spitalore. Kontributi i sigurimit shëndetësor në Shqipëri është vetëm 3.4% e pagës mesatare, ndërkohë që ilaçet rimbursohen nga shteti vetëm në masën 10% të vlerës financiare dhe vetëm 40% të tyre si emërtesa.

    5. Në Shqipëri, mbulohet vetëm 30% e popullsisë me sigurim për kujdesin shëndetësor, 70% detyrohen të paguajnë mbasi janë të papunë e të pasiguruar.

    6. Me buxhetin 2.1%, të caktuar për kujdesin shëndetësor, Shqipëria renditet në 30 vendet në botë dhe në 4 vendet e rajonit, që ka buxhetin më të ulët për kujdesin mjekësor.

    7. Shqipëria është vendi i fundit, me 129 dollarë trajtim shëndetësor për frymë, ose 7 herë më të vogël se Mali i Zi, 6 herë më të vogël se Maqedonia dhe 17 herë më të vogël se Greqia.

    8. Në spitalet shqiptare futesh me një sëmundje dhe del prej andej me 2, 3 e 4

    sëmundje të tjera, për shkak të kushteve higjieno-sanitare skandaloze dhe për shkak të mungesës së sigurisë në shërbim.

    9. Në Shqipëri, afro 60% e ilaçeve që përdoren në në shërbimin spitalor dhe që shiten në farmaci janë të skaduara, në 30% të rasteve, mjekët bëjnë mjekime të gabuara e më këto ilaçe.

    10. Në spitalet shtetërore shqiptare, prej 22 vjetësh nuk shkon për trajtim asnjë shtetar e familjar i tyre, vetëm në 15 vitet e fundit, shteti shqiptar ka harxhuar 67 milionë dollarë për trajtim mjekësor shtetarësh e familjarësh të tyre në spitalet e Gjermanisë, Anglisë, Italisë, Francës, Rumanisë, Austrisë, Danimarkës, Greqisë, SHBA etj..

    ——————————————-

     Spitalet në qytete duhet të kenë këto 9 shërbime, kanë vetëm 4

    1. Urgjenca
    2. Mjekësi e përgjithshme
    3. Kirurgji e përgjithshme
    4. Pediatri
    5. Obstetrikë-gjinekologji
    6. Radiologji
    7. Laborator kliniko-bio-kimik
    8. Njësi e anestezi-reanimacionit
    9. Farmaci spitali

    —————————————–

     Spitalet në prefektura, duhet të kenë këto 14 shërbime, kanë vetëm 8

    1. Urgjenca
    2. Mjekësi e përgjithshme
    3. Kirurgji e përgjithshme
    4. Ortopedi-traumatologji
    5. Obstetrikë-gjinekologji
    6. Pediatri
    7. Radiologji
    8. Fizioterapi
    9. Anatomi- histologji patologjike
    10. Laboratorë kliniko-biokimik
    11. Laboratorë mikro-biologjie
    12. Anestezi-reanimacioni
    13. Njësi farmaceutike
    14. Këshillim ambulator për çdo specialitet

    ———————————————

     Spitalet në prefektura, duhet të kenë këto 8 klinika, kanë vetëm 4

    1. Hemodializë
    2. Okulistikë
    3. Otorinolaringologji
    4. Urologji
    5. Neurologji
    6. Psikiatri
    7. Dermatologji
    8. Onkologji

    ———————————————–

     Ja 30 spitalet që janë kthyer në ambulanca

     1. Shëngjini

    2. Memaliaj

    3. Rubik

    4. Vau-Dejë

    5. Këlcyrë

    6. Krahësi

    7. Klos

    8. Bulqizë

    9. Delvinë

    10. Himarë

    11. Patos

    12. Kuçovë

    13. Ballsh

    14. Laç

    15. Fratar

    16. Maliq

    17. Përrenjas

    18. Cërrik

    19. Fushë-Arrëz

    20. Leskovik

    21. Koplik

    22. Divjakë

    23. Rrogozhinë

    24. Urë-Vajgurore

    25. Has

    26. Mamurras

    27. Poliçan

    28. Fushë-Krujë

    29. Buz

    30. Selenicë-Vlorë

    Përparim HALILI