Suplementi Pena Shqiptare/ Theodhori Proko: “Djali i shtëpisë”

409
Sigal

 

Atë ditë të ftohtë dimri të fillimvitit 1913, në Vlorë, ku vetëm pak ditë më parë ishte shpallur pavarësia e Shqipërisë, u përhap gojë më gojë lajmi se, në qytet kishte ardhur për të takuar Ismail Qemalin, mësuesi dhe patrioti i madh nga Berati, Jorgji Karbunara. Shumë njerëz kërkonin ta takonin, t’i uronin mirëseardhjen, të bisedonin e ta preknin nga afër atë njeri të mençur, emri i të cilit ishte bërë i njohur në krahinat shqiptare. Mbi të gjitha, ata donin t’i shprehnin mirënjohjen për gjithë mundimet, sakrificat e përpjekjet e tij për të përhapur gjuhën shqipe, aso kohe të ndaluar me ligj nga xhonturqit pushtues. Grumbuj njerëzish shëtisnin para godinës së qeverisë, buzë detit, me shpresën e një takimi të rastësishëm me mikun e nderuar. Por, një djalosh i ri, tetëmbëdhjetë vjeçar mendoi ndryshe. Me të marrë vesh lajmin e ardhjes së mësuesit të tij në Vlorë, la strehëzën ku banonte dhe ja nisi vrapit për në Skelë. Pa u ndalur rrugës për asnjë sekondë, “frymën” e mbajti para godinës që shërbente si seli qeveritare, në brendësi të së cilës, dy burrat e mençur të kombit, të cilët kishin miqësi dhe njohje të hershme me njëri-tjetrin, Ismail Qemali dhe Jorgji Karbunara, po bisedonin në zyrën e kryeministrit të ri për mëkëmbjen e shtetit shqiptar, ende “foshnjë” e porsalindur. Me guximin e të riut, që nuk mendohet shumë për rregulla sigurie dhe protokolle qeveritare, me fjalë të shkëputura, duke i’u marrë fryma nga vrapimi i gjatë, i kërkoj rojes ta lejonte të hynte brenda selisë qeveritare, për të takuar Babë Dudën, siç i thërriste ai dhe gjithë populli i thjeshtë në shenjë respekti mësuesit beratas. Duke e parë ashtu të alarmuar, me një veshje të vjetër prej njeriu fukara, roja e mori për ndonjë të “lajthitur”, që mendonte se në selinë e qeverisë mund të hynte çdokush që i shkrepej në kokë diçka e tillë. Me fjalë të urta e të buta, u mundua t’i shpjegonte se kjo gjë nuk ishte e mundur, madje për arsye sigurie atje mund të hynin vetëm anëtarët e kabinetit qeveritar dhe ata që thirreshin prej tyre -Atëhere, -i tha djaloshi rojes, duke i mëshuar me forcë fjalëve, – shko dhe i thuaj Babë Dudës se ka ardhur Kojdhel Zilja. Roja i habitur, nuk mundi dot ta përballonte më këmbënguljen e djaloshit dhe ashtu siç ia kërkonte detyra, lajmëroi për këtë situatë, komandantin e togës së rojave të sigurimit të kryeministrit, kapedanin e njohur nga Vunoi, Nase Beni. Kur ai zbriti poshtë, i shoqëruar nga zëvëndësi i tij, patrioti vlonjat, Tol Arapi, i përsëriti djaloshit që priste përgjigje me ankth, të njëjtat fjalë që i kishte thënë roja i derës, por asnjë shpjegim, asnjë arsye, nuk mund ta bind’te atë të largohej. Duke parë këmbënguljen e tij, Nase Beni, u detyrua të dërgoj një nga xhandarët e togës së shoqërimit, për t’i transmetuar situatën e krijuar mikut nga Berati. Sapo dëgjoi emrin e Kojdhel Ziles, Babë Dudës i “ngriu” shikimi mbi rojen që qëndronte para derës së hapur kryeministrore. Herë duke parë me habi nga ai sikur t’i kishte sjellë ndonjë lajm të çuditshëm, herë me vështrimin nga Ismail Beu që qëndronte i heshtur pas tavolinës, mësuesi plak përsëriste parreshtur: “Nuk është e mundur….nuk është e mundur….!”. Më në fund Ismail Beu, që nuk po kuptonte asgjë nga ndryshimi i menjëhershëm i mikut të tij të qetë e të ditur, e pyeti: “Çfarë nuk është e mundur Jorgji?!” -Nuk është e mundur, – Ismail Bej….Kojdhel Zilja ka vite që ka vdekur. Këtë e di gjithë Berati” Për ta zgjidhur këtë situatë, kryetari i qeverisë, urdhëroi që ta shoqëronin djaloshin në zyrën e tij. Ajo kohë që ju desh rojeve ta sillnin djaloshin në zyrën e katit të dytë, të dy burrave të nderuar të kombit iu duk tepër e gjatë. Sapo u hap dera dhe ai pa mësuesin e vet, u lëshua në krahët e tij duke qarë më ngashërim. Babë Duda i fortë, që kishte kaluar sa e sa situata të vështira në jetë, e “humbi “toruan, dhe nuk po gjente dot fjalë për ta qetësuar atë djalë nga fshati Luar, i cili çdo ditë merrte rrugën me këmbë për të ardhur në shtëpinë e Jorgjit në qytet e për të mësuar prej tij shkronjat shqip. Pas një kohe të kaluar ashtu në krahët e njëri-tjetrit, mësuesi e mblodhi veten dhe i kërkoi ish-nxënësit të tij t’i shpjegonte “fill e për pe” ç’kishte ndodhur, si ishte “ringjallur” sërish ai njeri që njerëzit e dinin të vdekur e të humbur “pa nam e nishan”.  Dhe nxënësi i tregoi: “Atë ditë që u largova nga shtëpia juaj për në fshat, me vehte kisha dhe librat në gjuhën shqipe, që më dhe për t’ua shpërndarë bashkëfshatarëve të etur për dije. Për siguri i kisha fshehur poshtë rrobave të trupit për të mos dyshuar askush dhe po ecja me duart në xhepe. Errësira më zuri te ura e “Goricës” dhe atje më ndali një patrullë turke. Pasi më pyetën: Ku isha? Nga Vija? Ku shkoja? Ç’kisha me vehte?- nisën të më kontrollonin. Më zhveshën lakuriq në atë të ftohtë dhe kur panë librat u bënë si qen të tërbuar. Më kërkuan të tregoja se kush m’i kishte dhënë, ku do t’i shpija? Pas heshtjes time u xhindosën dhe më keq dhe nisën të më qëllonin me kondakët e pushkëve ku të mundnin, në kokë, në trup, në brinjë. Gati m’i thyen eshtrat e këmbëve me goditjet e këpucëve. Më rrahën aq keq, sa humba ndjenjat dhe rashë përmbys. Fuqitë më kishin lënë. As frymëmarrja nuk më ndihej. Me sa duket ky ishte fati dhe shpëtimi im. Ata kujtuan se vdiqa dhe më hodhën në një kanal me baltë anës rrugës. Nuk e di sa orë kalova i shtrirë atje, por ndaj të gdhirë dëgjova zëra. Siç më thanë më vonë, kur u përmenda, ishin ca tregtarë me mushka që vinin nga Këlcyra. Mezi munda të belbëzoj: “Ujë…Ujë…” Ata njerëz të panjohur më pyesnin, por unë isha ende në kllapi dhe nuk i kuptoja se ç’thoshin. Më morrën e më “ngarkuan” në samarin e një mushke dhe më shpunë tek dera e shtëpisë së doktor Fahriut. Ai njeri i mirë më mbajti fshehur në shtëpinë e tij për tre muaj, duke më mjekuar dhe ushqyer për t’u ngritur sërish në këmbë. Dhe kur munda të ecja përsëri, gjykoi se nuk mund të rrezikoja më shumë duke ndenjur i fshehur atje, por as në shtëpi nuk mund të kthehesha më. Të gjithë më dinin të vdekur. Më kishin qarë për së gjalli. Doktori ndërmjetësoi me ca miq të tij të sigurtë dhe më nisi në Vlorë, në familjen fisnike “Sharra”, tek të cilët kishte besim se do më trajtonin si njeriun e tyre, pa më spiunuar tek turqit. Këtë histori, siç më porositi edhe doktor Fahriu, e kam mbajtur brenda vetes për kaq kohë. Dhe sot, sapo mora vesh lajmin për ardhjen tënde, vrapova të të takoj…!” Ismail Beu, që deri atëhere kishte ndjekur në heshtje tregimin e djalit, ndjeu dhimbje në shpirt për vuajtjet dhe peripecitë e hequra prej tij, por edhe admirim për qëndresën, patriotizmin dhe besnikërinë e tij ndaj mësuesit. Aty për aty, mori një vendim: ta bënte “Djalë Shtëpie”. Kur ia tha, Kojdheli u ul në gjunjë dhe i puthi dorën, duke e falenderuar me nderim. Këtej e tutje, ai do të ishte çdo ditë pranë Ismail Beut. Si “Djalë i Shtëpisë”, detyra e tij ishte që çdo ushqim që do i servirte Kryeministrit, kafenë apo ujin, për të qënë të sigurtë nga çdo intrigë që synonte eleminimin e kryetarit të shtetit të parë shqiptar, ta provonte ai vet i pari. Kjo do të thoshte që në një farë mënyre, Kojdheli do të vinte jetën e tij para çdo rreziku për të mbrojtur plakun e Vlorës. Kohëzgjatja e provës së ushqimit, bëhej diçka më shumë se dy orë para se t’i servirej kryetarit të shtetit nga vet Kojdheli. Askush tjetër nuk mund të merrej me këtë punë të një rëndësie të veçantë për sigurinë e Ismail Bej Vlorës. Intrigat nuk munguan të shfaqeshin dhe pas disa sinjalizimeve shqetësuese, Ismail Beu, për një periudhë kohe pesëmbëdhjetë ditore do të flinte në një anije austriake, të ankoruar rreth tre milje larg bregut të Vlorës, në det të hapur. Çdo mëngjes, varkëtari myzeqar i quajtur Sotir, shkonte dhe e merrte atë dhe grupin e shoqërimit, midis të cilëve edhe “Djali i Shtëpisë” te shkallët e vaporit të huaj dhe e sillte në selinë e qeverisë, për ta kthyer sërish në mbrëmje në kuvertën e asaj anije, që shërbente si “kështjellë” sigurie.  Kojdhel Zilja, vazhdoi ta kryente me besnikëri detyrën e tij pranë Ismail Qemalit, deri në 22 Janar 1914, kur ai dha dorëheqjen dhe u largua nga Vlora. Dëshira e Ismail Qemalit ishte ta merrte me vehte “Djalin e Shtëpisë”, por ai nuk pranoi, duke i thënë se, do të jetonte dhe do të vdiste në Vlorë. U ndanë si babai me birin për të mos u takuar më. Ajo ndarje Kojdhelit i mbeti peng gjithë jetën, Po ta kishte shoqëruar, ndoshta do ta kishte shpëtuar nga ajo kafe e mallkuar që piu në një nga hotelet e Peruxhias, e që u bë shkak për vdekjen e tij. Fundja, kjo kishte qënë detyra e tij për sa kohë i shërbeu si djalë shtëpie. Tregimet e përcjella gojë më gojë nëpër kohë, tregojnë se atë ditë të hidhur të 12 Shkurtit 1919, pas karrocës që mbante arkëmortin me trupin pa jetë të Ismail Qemalit, kokëulur, i përlotur, zemërthyer “hiqte këmbët zvarrë”, edhe ai “Djali i Shtëpisë”, Kojdhel Zilja.