Ismail Qemali: Kjo është ditë e shënuar por duhet të kemi parasysh se kemi shumë rreziqe përpara

506
Sigal

Kuvendi i Shqipërisë u çel në orën 4 pasdreke 28 nëntor 1912 në shtëpinë e Xhemil Beut

Flamuri u ngrit në orën 14.30 minuta

Flamuri u ngrit në orën 14.30 minuta te porta e shtëpisë së Xhemal Beut. Mbi situatën aktuale, Mit’hat Frashëri i shkruante Kristo Dakos: “Sot kemi pushim lufte me të tre shtetet.Vetëm Greqia po lufton në Janinë; ka nxjerrë dhe ushtarë në Sarandë, po tanët kanë zënë Delvinën dhe është shpresë që të mos përparojnë; edhe në Himarë janë nja 400 grekër, po shqipëtarët kanë zënë Dukatin, Vranishtin e Kuçin, dhe Grekët s’ bëjnë dot as një çap”. (Revista “Leka” 1937, nr 8-10, f. 420). Pas shpalljes së Pavarësisë “Një komision i zgjedhur vajti edhe nguli flamurin e Shqipërisë nëpër tërë zyrat pubike, ku një ditë më parë valonte ay i Turqisë. Njerëzia që shkonin përpara flamurit nxirrnin shapkat e bardha dhe kush e kush ta puthë më parë…” (Ylli i Mëngjezit, “Si u kasnecua Vetëqeverimi i Shqipërisë”, f. 197).

Mbërrijnë delegatët e Kosovës

Manifestime u bënë edhe në konsullatën e Austrisë dhe të Italisë, të cilat i pritën me dashamirësi dhe më pas te ajo e Rusisë. Të nesërmen pritej ardhja e gjeneral Isa Boletinit, Riza bej Jakovës, Mehmet pashë Kalandelit, e delegatëve, dhe e 400 trimave, të cilët me të mbërritur, zbritën nga kuajt, iu falën flamurit, dhe e puthën me ngashërim. Edhe pse atë ditë binte shi, ishte vërtetë një ditë e bukur, dukej sikur edhe qielli donte t’i bashkohej lumturisë së shqiptarëve, ndaj lotonte prej gëzimit. Por vetëm pak ditë më pas, më 4 dhjetor 1912, sipas revistës “Hylli i Dritës” nanduer 1932, nr. 11, f. 561, anijet luftarake të Greqisë, bombarduan zyrat e shqyptarëve, pallatet private e mbarë qytetin, madje synonte edhe zaptimin e Sazanit. Reagimi i qeverisë shqiptare qe i menjëhershëm. Kundër Greqisë reagoi edhe Italia e cila i bëri të ditur se nuk mund të jepte pëlqimin e saj për zaptimin e Vlorës dhe ishullin e Sazanit. Të njëjtin qëndrim mbajti dhe Austro-Hungaria. E para që njohu pavarësinë e Shqipërisë ishte Turqia: “Trieshte. 29 nanduer 1912. Lajmon prej Durrsit: Ndërsa pardje krenët e Shqypnisë çpallshin pavarësinë kombëtare, erdh nji irade e Sulltanit me të cilën njifej e pëlqehej ajo pavarësi: ky fakt ka përtëri nji entuziazëm mjaft të madh”. (Hylli i Dritës, nanduer 1932, nr. 11, f. 561).

Durrësi ngre flamurin

Kur Ismail Qemali kishte mbërritur në Vlorë, u lajmërua prej Durrësit se serbët po i afroheshin Krujës. Pyetja e durrsakëve për Ismail Qemalin ishte: Çfarë duhet të bëjmë? Përgjigjja e Ismail Qemalit qe e menjëhershme: “Ngrihni shpejto flamurin e Shqipërisë në Durrës, Tiranë, Krujë dhe gjetkë”. Dhe ashtu u bë, në këto vise flamuri u ngrit menjëherë. E njëjta pyetje erdhi dhe nga Elbasani, edhe për ta përgjigjja qe e njëjtë: “Ngrini flamurin!” Flamuri u ngrit edhe në Dibër. Krutanët u dolën përpara serbëve me flamur në dorë dhe u thanë: “Ky është famuri i Shqipërisë, kthehuni prapa!” Kurse komandanti i ushtrisë në Janinë, Esad Pasha Janina, u porosit nga Ismail Qemali të kujdesej për ardhjen e delegatëve në Vlorë. Porosia e Ismail Qemalit u krye, flamuri u ngrit dhe delegatët Myfit Beu, deputeti i Gjirokastrës dhe dy zotërinj të tjerë, mbërritën pranë Ismail Qemalit. Ndërkohë mytesarifi i Durrësit kishte dhënë dorëheqjen, vendin e tij e zuri Hamid bej Toptani. Durrësi dërgoi në Kuvendin e Vlorës delegacionin e përbërë nga z. Ali Kuli, Filip Serreqi e disa të tjerë, të cilët morën me vete edhe flamurin e Shqipërisë vetëqeveritare që ishte bërë sipas këshillave të z. Ismail Qemal Beut. Kryeqeveritar i Durrësit u zgjodh Hamid bej Toptani.

Vendimet e Kuvendit

Kuvendi i Shqipërisë u çel në orën 4 pasdreke në shtëpinë e Xhemil Beut. Ipari e mori fjalën Ismail Qemali, foli për këtë ditë të shënuar dhe rreziqet që i kanoseshin Shqipërisë. Më pas mbledhja vijoi me verifikimin e mandateve. Berati përfaqësohej nga Iljaz bej Vrioni, Hajredin bej Cakrani, Xhelal bej Skrapari, Daut Karbunara, Taq Tutulani dhe Sami bej Vrioni, i cili pritej të vinte; Dibra nga Myfti Vehbi efendiu;  Durrësi nga Abaz efendiu, Mustafa agai, Jahja efendiu i cili pritej të vinte, Dom Nikolla Kacori nga ana e Arqipeshkopit të Durrësit për gjithë shqiptarët katolikë që ishin nën urdhërin e tij; Elbasani nga Shefqet bej Daiu, Lef Nosi, Qemal beu dhe Mit’hat bej Frashëri; Gjirokastra nga Azis efendiu, Veli efendiu dhe Elmas efendiu; Ipeku nga Rexhep beu, Bedri beu, Salih Xhuka dhe Mit’hat bej Frashëri, këta zotërinj ishin delegatë të Gjakovës, Plavës e Gucisë; Kruja nga  Abdi bej Toptani e Mustafa Asim efendiu;  Lushnja nga Qemal beu, Ferid bej Vokopola dhe Nebi efendi Sefa; Ohri e Struga nga Xhemal beu, Ymer beu, Ibrahim efendiu,  Hamdi beu e Mustafa Barotçiu, pritej të vinin; Shijaku nga  Xhemal beu, Ymer beu dhe Ibrahim efendiu; Tirana nga Abdi bej Toptani e Murad bej Toptani; Vlora nga Ismail Qemal beu, Zihni efendiu, Aristidh Ruci, Qazim Kokoshi, Jan Minga dhe Eqerem beu; Kolonia e shqiptarëve të Bukureshtit nga Dhimitër Zografi, Dhimitër Mborja dhe Dhimitër Ilo i cili pritej të vinte; Përmeti nga Veli bej këlcyra; Korça me qenë se ndodhej nën pushtimin grek dhe nuk dërgonte dot delegatë pëlqeu të përfaqësohej nga Pandeli Cali, Athanas Floqi dhe Spiro Ilo. Edhe Shkodra që gjendej si Korça pëlqeu të përfaqësohej nga Luigj Gurakuqi. Përmeti dërgoi telegram: Në qoftë se delegati Veli bej Klisura nuk ka mbërritur ende në Vlorë, vendin e tij ta zënë Syrja bej Vlora e Midhat bej Frashëri.

Shqipëria vend i pavarur

Kryetar i Kuvendit u zgjodh Ismail Qemal beu, i propozuar nga Bexhet beu, shkrues i parë Luigj Gurakuqi, shkrues i dytë Shefqet bej Daiu. Edhe kryetar i qeverisë së përkohshme u zgjodh Ismail Qemali, nënkryetar Dom Nikollë Kaçori, sekretar Luigj Gurakuqi. Çdo kaza do të kishte vetëm një zë (vote), pavarësisht nga numri i delegatëve. Flamuri u ngrit në orën 16.30 minuta mbi konakun e Vlorajve dhe ndërtesat qeveritare, gjithë populli gëzonte. Për shpalljen e pavarësisë u vunë në dijeni fuqitë e mëdha. Entuziazmi qe i madh. Ndërkaq serbët hynë në Durrës dhe Elbasan ku ishte shpallur autonomia. Ismail Qemali telegrafoi në këto qytete që ushtria serbe të mos kundërshtohej me armë sepse Shqipëria tashmë ishte vend i paanshëm dhe do të mbrohej si gjithë kombet e Ballkanit, mirëpo fqinjët tanë, jo të gjithë ishin të besës, ashtu siç njihej raca shqiptare.

Institucionet shqiptare po ngriheshin

Në dt 30, vjeshta e tretë, ora 15.30 u çel mbledhja e dytë. Mungonin delegatët Ferid bej Vokopla, Mahmut bej Toptani e Gaq Tutulani. Si delegatë të rinj erdhën: Mehmet pashë Dërhalla, Isa Boletini, Ajdin bej Draga, Dervish bej Ipeku nga Kosova, Sami bej Vrioni nga Berati, Dervish bej Elbasani e Mahmud efendi Kaziu nga Peqini. Me telegram u emërua Ismail beu nga Gramshi dhe Tomorica. Meksi u njoh si delegat i Tepelenës, Sherif efendiu si delegat i Dibrës. Qeveria do të kishte Ministrinë e Punëve të Jashtme; të Punëve të Brendshme; të Ushtrisë dhe Sigurisë së Përbotshme; të Kursimit; të Drejtësisë; të Mësimit; dhe të Punëve të Përbotshme. Këshilli i Pleqësisë do të ishte me 18 veta. Me qenë se Ismail bej Qemali ishte zgjedhur edhe kryetar Kuvendi dhe kryetar qeverie, vendi i kryetarit të Kuvendit iu propozua Myfid Vehbiut, kurse i nënkryetarit Lef Nosit. Mbledhja e tretë u bë dt.08.01.1912, ora 14.00. Mungonin delegatët: Ferid bej Vokopola, Nebi Sefa dhe Gaq Tutulani. Me kërkesë të Ismail Qemalit, u vendos që formimi i ministrive dhe zgjedhja e anëtarëve të pleqësisë të bëhej kur të vinin edhe delegatët e Janinës, të Gjirokastrës, të Çamërisë dhe të Tepelenës. U shtuan edhe 2 shkrues të tjerë: Mustafa Kruja dhe Dhimitër Berati. Njerëzit që do të dërgoheshin në Europë do t’i zgjidhte ministria përkatëse.

Vijon marrja e vendimeve

Mbledhja e katërt u hap në orën 14.00, dt. 3.11.1912, në nkryesinë e Myfit Vehbi efendiut. Mungonin delegatët Bedri bej Ipeku, Ferid bej Lushnja, Nebi efendi Lushnja dhe Jahja Durrësi, ky i fundit kishte marrë leje. Kavaja kishte zgjedhur si delegat Abdi bej Toptanë. Tepelena dërgoi telegram: Me që sheh Maksuti dhe Sami beu ishin të sëmurë, vendin e tyre ta zinin Myfit bej Gjirokastra dhe Fehim Efendi, kryetari i klubit të Janinës Kristo Meksi dhe Aristidh Ruçi. Ndërkohë mbërritën edhe delegatët e Gjirokastrës: Myfit bej, P. Poga, Jan Papadhopulo, Hysen efendi Gjinokastra dhe Veli bej Klisura (Këlcyra). Me qenë se telegrafi me Çamërinë nuk punonte, delegatë të kësaj krahine u quajtën Veli Gëra Reshadia, Vesel (Jakup Vesel) Margëlliçi, Azis Tahir Ajdonati dhe Rexhep Demi nga Filati. Si delegat i Ipekut u propozua Qerim beg, kurse Jahja efendi Durrësi la si mëkëmbës të tij Abdi beun, por ky propozim nuk u mor parasysh. Kryetari i Qeverisë Ismail Qemali kërkoi që njerëzit që do të dërgoheshin në Europë të ishin emra të njohur brenda dhe jashtë Shqipërisë. Mbledhja u mbyll në orën 18.00.

Zgjidhen ministrat

Mbledhja e pestë u hap në dt 4.11. 1912, ora 14.00, nën kryesinë e Myfit Vehbi Efendiut. Nga 63 kongresistë mungonin 6 veta: Ferid bej Lushnja, Dervish bej Ipeku, Jahja efendi Durrësi, Jan Papadhopuli, Nebi efendi Lushnja dhe Taq Tutulani. Delvina zgjodhi delegat Mehmet Ali pashën, por me qenë se ai ishte i sëmurë, Kuvendi pranoi birin e tij, Avni beun. Rendi i ditës kishte 2 çështje: zgjedhjen e ministrave 4 myslimanë dhe 4 të krishterë, dhe zgjedhjen e anëtarëve të Pleqësisë. Për zgjedhjen e tyre, Ismail Qemali ia la fuqinë Kuvendit. Në votimin e parë fituan 5 të parët: Luigj Gurakuqi 54 vota, Myfid bej Gjirokastra 52, Mehmet pashë Tetova 42, Abdi bej Toptani 34, Mithat bej Frashëri 35, Pandeli Cali 22, Pjetër Poga dhe K. Meksi nga 21, Lef Nosi 20, Sami bej Vrioni 15, Myfit Vehbi Efendiu dhe Dud Karbunara nga 14, Murat bej Toptani 13, Ekrem bej Vlora 10, Jan Papadhopulo 8, Ilias bej Vrioni 7 dhe  Dhimitër Zografi 6 vota. Nga këta zotërinj u proklamuan të zgjedhur pesë vetë, ata që kishin marrë një numër votash më të madh se gjysma, d.m.th mbi 28: Myfid beu, Luigj Gurakuqi, Mehmet pasha, Abdi beu edhe Midhat Beu. Dymbëdhjetë emrat që vijojnë u vunë përsëri në votim, fituan 3 të parët që kishin marrë më tepër se gjysma e votive: P. Poga 40 vota, Pandeli Cali 39, Lef Nosi 37, K. Meksi 19, Dud Karbunara 16, Eqerem beu 2, Myfit Vehbi efendi dhe D. Zografi nga 1.

Mbrojtja e Shqipërisë para Europës

Propozimi i Dhimitër Beratit që zgjedhja e pleqëve (senatit me 18 veta) të bëhej me një votim u pranua. Rezultati ishte ky: Ilias bej Vrioni 55 vota, Sami B. Vrioni 54, Dud Karbunara 48, Mustafa Asim Kruja 42, Murat bej Toptani 42, Eqerem bej Vlora 40, Myfti Vehbi Efendi dhe K, Meksi nga 39, Dh. Berati 38, Dh. Zografi dhe Bedri bej Ipeku nga 35, Sali Gjuka 35, Veli bej Klisura dhe Hajredin bej Cakrani nga 32, Xhelal bej Skrapari dhe Shefqet Daiu nga 30, Dervish bej Elbasani 29, dhe Ajdin bej Draga 27. Midis atyre që s’muar dot aq zëra sa duheshin që të zgjidhen, po gjithë që patën më shumë se 10 janë: Veli Efendi Gjinokastra dhe Zenel bej Peja nga 24, Rexhep bej Peja, Isa Boletini dhe Azis ef. Gjinokastra nga 23, Zihni efendi Vlora 21, Jan Minga 20, Qemal bej Elbasani 19, Aristidh Ruci e Th. Floqi nga 14, Qazim Kokoshi e Jan Papadhopulos nga 13, Qerim bej Ipeku dhe Riza bej Jakova nga 11. Pleqësia e zgjedhur do të mbronte shqipërinë para Europës. Qeveria e Ismail qemalit në mbrojtjen e kësaj çështjeje do të kishte dorë të lirë.

Shqipëria po bëhej

Shumë shpejt qeveria vuri në funksionim linjën detare me vaporë. Revista “Xgjimi” shkruante:Vlora ose të themi më mirë Shqipëria, tashmë ka vaporë që të udhëtojnë për çdo anë. Përditë ka vapor për Brindisi dhe për Trieshte sepse u shtuan. Kjo ngjarje rrëfen gëzim dhe  lulëzim të Shqipërisë. (Xgjimi, v. 1913, nr.2, f. 121). Shqipëria po bëhej. Shumë shpejt u vu në funksionim administrata, institucionet dhe gjykatat, mehmurët u ndërruan. Në krye të punëve u vunë njerëz të ndershëm. Të gjitha ministritë punonin çdo ditë për të mirën e shqiptarëve. Numri i deputetëve kishte shkuar në 80. Gazetat e huja shkruanin: Ideja e të mëkëmburit të një Shqypërie autonome është pëlqyer me simpati gjithkund në Europë dhe po gjen përkrahje. Prandaj Europa do të kujdeset me e pru më së miri me Shqyptarët, duke i garantuar kufijtë e shtetit të pavarur”, botuar te “La Nazione Albanese”, nëndor, dhjetor. Sot kemi një shqipëri ashtu siç e ëndërronte  plaku flokëbardhë Ismail Qemali.

Të mos e humbim racën shqiptare

Raca shqiptare duhet të mbrohet, kjo ishte motoja e trilidhjes Austri, Gjermani dhe Itali. Ishte Gjermania ajo që hyri në marrëveshje për t’i dhënë Shqipërisë vetësundimin. Deputetët e tyre e rrahën këtë çështje me rëndësi, kurse deputetët sllavë dhe çekë nën perandorinë Austro-Hungareze, dolën kundër kësaj ideje. Megjithatë shumica e deputetëve austriakë ishin të të njëjtit mendim: çështja shqiptare duhej përkrahur. Rol të veçantë luajti shtypi i Austrisë, i cili ishte tepër i interesuar mbi historinë e racës shqiptare, sepse me mjaft përkushtim kishin gjurmuar karakterin e kombit shqyptar; madje është kjo aryeja që nuk dëshironin të humbin nji komb trim, me virtytet më të mira se kombet e tjera që rrojnë në Ballkan. Për më tepër, qeveria austriake dhe italiane i dërgouan notë qeverive të Cetinës dhe të Belgradit të njohin pavarësinë e Shqipërisë. (Referuar revistës “Leka” nr. 8-10, f. 416).

 

Flamuri i shqiptarëve vinte prej lashtësisë

 

Lashtësinë e Kombit shqiptar e tregon edhe flamuri i Skënderbeut. Një nga burimet e hershme që flet për lashtësinë e flamurit shqiptar, është një libër i botuar në vitin 1480 në Venedik, vetëm 13 vjet më pas nga vdekja e Skëndërbeut  me titull: “Historia Scanderbegi edita per quemdam Albanensem”. (Historia e Skënderbeut e botuar prej një Shqiptari). Autori nuk e ka vendosur emrin e vet, por dihet që ishte nga Tivari dhe kishte një vëlla me truprojat e Skanderbeut. Prej ktij vëllai, shkruesi shqiptar mësoi gjithçka mbi kreshnikun tonë. (Frater meus qui in ipsis Domini stationariis ordines ducebat, cuius traditions ego potissimum sequebar…). Nga sa kuptohet, libri i Tivarasit mbetet një burrim me shumë vlera për jetën e Skanderbeut. Libri i shkruar në origjinal nuk është gjetur ende, por ekziston  përkthimi në italisht prej priftit Bjermmi, botuar te shtypshkronja Breshia më 1742, ku sqarohet panorama e flamuri shqiptar.  Fjalët e shkruesit të librit të cituara prej Bjermmit faqe 23, pohojnë: “L’insegna di Scander begh era un’ Aquila negra distinta in due teste sopra campo rosso”, që shqip shprehimisht thonë:  “Flamuri i Skanderbegut ishte nji shqype e zezë me dy krena e hapur në shesh të kuq”

Një burim tjetër për flamurin shqiptar

Një burim i dytë që flet për flamurin e Shqipërisë vjen nga shkruesi i jetës së Skënderbeut, Marin Bardheci, (Historia de vita e gestis Scanderbegi…), i cili flet për flamurin, kur pas rënies së Shkodrës në dorë të anadollakëve, Bardheci shkoi në Venedik ku botoi në latinisht Historinë e Luftës së Shkodrës më 1508. Madje atë që thotë Bardheci për për flamurin tonë në faqen XV: “Rubea vexilla nigris et bicipitibus distineta aquilis gerebat Scanderbegus” që do të thotë: “Skanderbeu mbante flamur të kuq me shqype të zezë dy krenash”, ben krenar çdo shqiptar. Më qartë se kaq nuk mund të thuhej. (Revista “Përparimi”, v.1914, nr.10, f.145-146).