Suplementi Pena Shqiptare/ Petrit  Malushi: Karafili mbi mermer

28
Sigal

Ishte e treta herë që te varri i burrit gjente karafil të freskët. I njëjtë si edhe dy herët e tjera të mëparshme; i kuq i ndezur, i çelur plotësisht, erëkundërmues. Fiks, pa asnjë ndryshim edhe pozicioni i vendosjes; shtrirë mbi mermerin e zi shkëlqimtar me pika, drejt me fotografinë, jo brenda vazove anësore. Kuptohej që ishte e njëjta dorë, me përkujdesje. Mbeti e shtangur. Nuk i bënin këmbët të hidhte asnjë hap më tutje. Ç’të jetë kjo kështu? Që në të parën herë e kishin gudulisur mizat, por nuk e kishte dhënë veten. Ndoshta ndonjë prej të afërmve a nga fisi i tyre mund të ketë  qenë në varreza dhe do të jetë kthyer edhe aty. Herën e dytë nuk e kishte përtypur dot. E kishin kapur të dridhura të forta dhe tensioni i ishte rritur menjëherë. Me vështirësi mundi të pinte një kokërr atenalol, të cilat i mbante gjithmonë në çantë. Me të mbërritur në shtëpi u kishte telefonuar me radhë tri kushërirave të para të burrit. Tërë ankth priste përgjigjet. Ato të befasuara prej telefonatës i ishin përgjigjur me „jo“, disi të habitura. Të dy herët si e xhindosur i kishte rrëmbyer karafilat, i kishte plasur në tokë dhe i kishte shkelur me të dy këmbët deri sa ishin shkërmoqur. Pastaj me tërë forcën e krahut i kishte flakëritur pesë-gjashtë rreshta tutje nga perëndimi duke i shoqëruar me një të pështytur nga pas. Ishte viti i tretë që i shoqi kishte ndërruar jetë. Në çdo dy-tre muaj ajo merrte rrugën „për të biseduar“ e çmallur me të. Me të ndjerin kishte kaluar shumë vite jete. Fati nuk u kishte dhënë fëmijë. Kishin kaluar për bukuri, mjaft mirë. Ai ishte qejfpaprishur. S‘kursehej për asgjë. Ia plotësonte të gjitha tekat edhe kur thoshte ndonjë fjalë të papeshuar. Nuk kishte dyshuar kurrë për tradhëti nga ana e tij. Për të fituar sa më shumë siguri nuk kishin munguar edhe provokimet prej saj. Kishte gërmuar edhe në vitet para se të lidheshin bashkë se mos kishte patur ndonjë rast tjetër. Ajo ishte xheloze, madje më tepër se ç’duhet. Këtë e kuptonte edhe vetë. Por më mirë kështu se sa të përjetonte drama. Ç’nuk i dëgjonin veshët dhe i shikonin sytë. Gra që i ndanin burrat, burra që i ndanin gratë. Pa pyetur as për moshë e as për vese të tjera. Gra që ndaheshin vetë nga burrat, burra që ndaheshin vetë nga gratë. Gra që mbanin lidhje paralele, burra që bënin të njëjtën gjë. Në ndërmarrjen ku punonte, në ndërmarrjen e të shoqit, në institucione, në lagje, pallat…Frika se edhe asaj mund t’i ndodhte ndonjë „larg qoftë“ nuk i ndahej. Sidomos me ndryshimin e sistemit. Të dy ishin punësuar në firma të ndryshme private. Burri në zyrë kishte një koleg dhe pesë kolege. Pas kësaj ajo e shtoi edhe më shumë vigjilencën. Ata mbaheshin si çift model. E vështroi me kujdes karafilin. Ah sikur ai të fliste ! Do ta pyeste thellë e më thellë. Ngjyra e kuqe përkonte me atë që pëlqente më shumë i shoqi. Edhe ajo vetë këtë ngjyrë e zgjidhte të kuqin e buzëve. Edhe veshjet kur ishte e re. Pra sjellësja e karafilave ia njohka mirë shijet! Ziente nga brenda. Ashtu si e goditur u afrua. Zgjati dorën drejt të pafajshmit karafil, por kur ishte gati duke e prekur e tërhoqi sikur të kishte përpara një hekur të nxehtë. Jo, dora  e saj nuk mund të përlyhej. Prej çantës nxori tri-katër kartpeceta. Me shumë kujdes e mbështolli karafilin dhe e futi brenda saj „O do ta gjej dorën që të ka sjellë, o do të plas nga marazi! „ Nuk përtoi, eci deri te parcela tjetër, ku puntori i varrezave po merrej me disa rregullime. „A mos vallë të ka rënë në sy personi që vjen e vendos lule te ai varri atje ?„ e pyeti dhe shtriu dorën në atë drejtim. „Eh, moj zonjë sa vijnë e vendosin lule këtu…“, ishte përgjigja indiferente. Në hyrje të varrezave kaloi nga dy herë pranë të gjithë luleshitësve, por tek asnjëri nuk pikasi karafil të tillë. Ata tregëtonin vetëm lule artificiale, ndërsa aroma e „karafilit të burgosur“ në çantën e mbyllur me zinxhir të shponte hundët pesë metra larg. Të tillë gjendeshin vetëm në vazot e luleve nëpër familje. Gjatë kthimit me urban lëshoi sa e sa rrufe si mot i ngarkuar me re të zeza. „Si ma paske punuar kështu!…Sa finok paske qenë!…Si nuk të pikasa dot!…Po ç’të kisha lënë mangët?…Sigurisht këto vitet e fundit duhet të të ketë ikur mendja…More çfarë kishte ajo tjetra më shumë se unë?…Po me cilën vallë?… Ndonjë nga ato të zyrës?…në pallat…në lagje…më tutje…Apo ndonjë lidhje në fejsbuk?…Ah, do të  t’i kontrolloj të gjitha adresat e lidhjet në telefonin dhe laptopin tënd! Fat që i kam akoma ashtu siç i ke lënë…Jo, jo shpirti im nuk gjen qetësi pa e zbuluar këtë proçkë …“ Kur u fut në lagje i mori me radhë rrugicat duke u ndalur poshtë pallateve. Vështronte gjatë vazot e luleve nëpër ballkone për të pikasur ndonjë karafil si ai që kishte me vete. Ecte ! Ndalonte ! Ngrinte kokën ! E shkreta,- po thoshin dy shoqe të saj me njëra-tjetrën, pasi e kishin përshëndetur,- i paska ikur mendja !“