Suplementi Pena Shqiptare/ Arben Duka: Në kërkim të së vërtetës

21
Sigal

Në kërkim të së vërtetës,

kot e gjithë përpjekja.

Unë në emër i flas jetës,

më përgjigjet vdekja.

Më fton vdekja që të zgjedh;

heshtjen a litarin?

Unë i kundërt jam me heshtjen,

si uji me zjarrin.

Re të zeza, porsi nata,

ma kanë fshehur diellin.

Unë i largët jam me natën,

si toka me qiellin.

Re të zeza, porsi nata

ma kanë veshur ballin.

Unë i kundërt jam me natën,

si Krishti me Djallin.

Jetën krejt ma kanë shkallmuar,

veç nga fjalë e hidhur.

Jam në botën e shkalluar,

Promethe i Lidhur.

S’janë asgjë të gjitha humbjet,

sa s’ke humbur nderin,

në parajsë jetojnë mumjet,

unë kam zgjedhur ferrin.

Tallin Sokratin e varfër,

derrat e kënaqur,

dhe trashin shtresën e dhjamit,

në llum të zgërlaqur.

Në kërkim të së vërtetës

paqe s’ka me horrat,

Digjem si zjarri i Kometës

të bëj dritë për qorrat.

Në kërkim të së vërtetës,

s’më lodh kurrë përpjekja!

Ndaj në emër i flas jetës,

Të tromakset vdekja.

Në një kohë kaq të sertë,

veten time njoha,

një statujë të mermertë,

do ma gdhendi koha.