Si përfundoi në Durrës Meshari 236-vjeçar i Nënë Terezës

    430
    Sigal

    Shkrimtari dhe ish-oficeri Besnik Alibali tregon historinë e librit që është një meshar i Kishës katolike, botuar më 1776

    Në qytetin e Durrësit ndodhet një kopje e rrallë e një libri që ka qenë pjesë e bibliotekës së familjes së Nënë Terezës. Libri është një Meshar i Kishës Katolike (Missale Romanum) i botuar në qytetin e Venedikut në vitin 1776. Libri për shumë vite ka qenë në ruajtje të vete së ëmës së Nënë Terezës, Drande Bojaxhiut dhe të bijës së saj Ages dhe pasi ka filluar lufta kundër fesë të ndërmarrë nga regjimi komunist i Tiranës, ato nënë e bijë, ja kanë lënë në ruajtjeje një gruaje nga Shkodra, Hava Alibalit, e cila banonte në Tiranë dhe që njihej se familja e saj gëzonte një reputacion të mirë nga regjimi i asaj periudhe. Kjo u kishte dhënë garanci atyre që Libri i Shenjtë, pjesë e fondit të familjes së tyre, sido që të kishte qenë rrjedha e ngjarjeve, do të ishte i siguruar nga dëmtimet që mund t’i vinin, qofte atyre në ndonjë kontroll të mundshëm në banesë nga policia sekrete e regjimit, rrezik që në atë periudhë në shtëpinë e Havasë nuk mund të ndodhte. Nënë e bijë Drande dhe Age Bojaxhiu kishin edhe një garanci shpirtërore që ia paraqiste kjo grua fisnike nga qyteti me tradita i Shkodrës, për vetë origjinën e saj nga familjet e mëdha të këtij qyteti dhe forcën e personalitetit, të cilat ato ia kishin kontaktuar nëpërmjet miqësisë që kishin pasur me të duke pasur si ndërmjetëse një grua katolike Kroate, e cila gëzonte miqësinë e të dyja palëve. Interesant është fakti se, këtë libër e kanë marrë në ruajtje një linjë grash myslimane, sepse libri pak kohë me pas ka pasur një shtegtim të detyruar nga Tirana në Durrës dhe ka kaluar nga Havaja në duart e së resë së sajë Ylvija, për të njëjtën arsye që i ka kishin dhënë në mirëbesim edhe Nënë Dranja me të bijën. Pasi libri u dorëzua nga pronarët e saja legjitime në duart e nënës së Besnik Alibalit, Havasë, në atë periudhë oficer në ushtri, rreth 8 vite më vonë edhe kjo familje u godit nga regjimi. Kur familja Alibali në Tiranë mori goditje në vitin 1975, Havaja, duke i qëndruar besnike merakut të Drandes se mos libri binte në duart e shtetit dhe mund të digjej, ia kaloi Librin e Mesharit nuses së djalit të sajë Ylvies, e cila në atë periudhë banonte më të shoqin oficer në Durrës. Ylvija është ndarë nga jeta në vitin 2008. Libri tani ruhet, natyrisht pa tensionin e dikurshëm, në bibliotekën personale të ish- oficerit,  gazetarit dhe shkrimtarit Besnik Alibali. Libri i rrallë i Nënë Terezës është ruajtur për 37 vite… dhe sot ndodhet në gjendje mjaft të mirë.

    HISTORIKU I MESHARIT

    Besnik Alibali, tregon historinë e këtij Meshari të Kishës Katolike Romane, i cili tashti ka kapur kufirin e 236 viteve që kur është botuar nga Shtëpia Botuese Veneciane EX TYPOGRAPHIA BALLEONIANA. Besniku tregon se e ëma prej kohesh i kishte bërë me dije të birit se kishte një libër që ia kishin lënë amanet Drande dhe Ageta Bojaxhiu, nëna dhe e motra e Nënë Terezës. Në ato kohë, sqaron Besniku, ato ishin njohur nga një grua me origjinë kroate katolike, Luiza Rasku, e cila ka ndërruar jetë para dy muajsh. Ato thotë Besniku, vinin shpesh së bashku dhe pinin kafe në shtëpinë e nënës sime. Në atë kohë familja ka pasur qëndrim shumë të mirë politik për regjimin e asaj periudhe dhe besoj se edhe ky ka qenë një ndër shkaqet kryesore që i shtyu nënën e bijë që këtë libër t’ia besonin nënës sime. Ndërkohë që rrol ka luajtur edhe miqësia që ato patën krijuar me njëra-tjetrën, sepse ato i tregonin asaj se si komunikonin me letra me Nënë Terezën. Besniku thotë se i a vlen të theksohet se si e ëma i thoshte kur bisedonin së bashku, se Ato i kishin thënë asaj se Nënë Tereza ishte bërë e famshme në botë dhe se ato merrnin letra prej saj. Interesante është edhe një përgjigje letre që u ka dërguar Nënë Tereza nga India kur ato i kanë kërkuar një farë ndihme ekonomike. Megjithëse përgjigja na vjen në mënyre indirekte, ajo ka shumë rëndësi, sepse në një farë mënyre përmban edhe bërthamën e suksesit që arriti shqiptarja e famshme, respektin e thelle për varfërinë dhe të varfrit. Në përgjigjen e saj Nënë Tereza i drejtohet nënës dhe motrës; “Unë jam e gëzuar që ju jeni të varfra, sepse do të ja dini vlerën njerëzve të varfër më tepër se askush!” Sipas Besnikut që e tregon, ky postulat mbahet mend që në atë kohë në familjen tonë, megjithëse ne e njihnim shumë pak jetën e saj në atë periudhë.

    PIKËPYETJET E SHUMTA

    Pasi njihesh me historikun e librit të ruajtur nga familja shkodrane Alibali, natyrshëm lindin edhe disa pyetje, të cilat ata që e ruajtën nuk e dinin përgjigjen, ose nena e Besnikut aq ka folur në përcjelljen e amanetit, për të ruajtur sekretin e saj. Pyetja është se nëse ky libër është i sjellë në familje nga Nënë Tereza, apo ka qenë i familjes. Me gjithë mjegullën që është e vështirë të shpërndahet pasi protagonistët e kësaj ruajtjeje, tashmë, nuk jetojnë më, përsëri duke u nisur nga qëllimi i domosdoshëm që kishin nëna dhe motra e Terezës së Madhe, për ta ruajtur atë, mund të ketë shumë garanci që ai libër i përkiste shqiptares së famshme dhe ato e ruanin relikën e shenjtë si një lidhje shpirtërore qoftë me fenë që besonin qoftë edhe me Nënë Terezën që kishin vite pa e parë. Besniku të çon me historinë që tregon deri tek libri dhe nga ato gjëra të pakta që i ka thënë e ëma, e cila duhet të ketë qenë grua fjalëpakët e që i peshonte fjalët… Sidoqoftë ky Meshar i ruajtur me kujdes dhe në një gjendje për tu pasur zili pas 236 viteve botimi, është një rrugë tjetër që na çon deri tek porta e Shtëpisë së Nënë Terezës së Shenjtë…

    Libri, pjesë e familjes Bojaxhiu

    Besniku thotë se libri ka qenë pjesë e bibliotekës së familjes Bojaxhiu dhe libri i është dorëzuar nënës së tij rreth viteve 1967-1968, kohë kur në Shqipëri kishte filluar aksioni politik i ndalimit të besimeve fetare. Nënës së tij ky libër kur i është sjellë në banesë i është lënë në mirëbesim dhe me porosi duke kërkuar që; “Të ruhet, të mos griset dhe të mos digjet”! Ky amanet u mbajt besnikërisht nga Hava Alibali. I biri thotë se, ajo e ruajti librin e Shenjtë në Tiranë deri në vitin 1976 dhe më pas ajo për siguri me të njëjtën porosi që i kishin dhënë asaj kur ja lanë në dorëzim, ia kaloi librin gruas së besnikut Ylvijes, e cila banonte në qytetin e Durrësit. Ky transferim i librit nga Tirana në Durrës përkon me periudhën kur ajo pjesë e familjes që ndodhej në Tiranë mori goditje nga regjimi dhe nga pasiguria e krijuar atje Havaja e dërgon në Durrës tek Besniku, i cili ishte oficer atje.