Shqipëria bëhet pjesë e programit të BE-së “Evropa për Qytetarët”

    406
    Sigal

    BRUKSEL – Është nënshkruar në Bruksel marrëveshja për pjesëmarrjen e Shqipërisë në programin e Bashkimit Europian “Europa për Qytetarët”. Në emër të qeverisë shqiptare ajo u firmos dje nga zëvendësministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Gentjana (Mara) Sula, ndërsa për Komisionin Europian nga Drejtori i Përgjithshëm për Çështjet e Brendshme dhe të Migracionit, Matthias Ruete.

    Pas ceremonisë së nënshkrimit, zv/ministrja Sula u shpreh se ky program është një mundësi e mirë, sidomos për grupet e interesit që janë prekur direkt nga regjimi i shkuar komunist, siç janë shoqatat e ish-të përndjekurve politikë dhe grupet e tjera të të drejtave të njeriut, për të realizuar programe të përbashkëta me partnerë të vendeve të tjera që kanë patur të njëjtën histori, ashtu si Shqipëria.

    “Ky program ka dy shtylla kryesore: kujtesën për atë që ka ndodhur gjatë të shkuarës komuniste dhe së dyti, për të promovuar shkëmbime midis qyteteve tona dhe qyteteve të Europës. Nga ana tjetër, programi ka për qëllim të sigurojë një bashkëjetesë harmonike, një jetesë që e pranon diversitetin dhe që i jep frymë bashkëjetesës integruese”, tha zv/ministrja Sula.

    Ajo shtoi se ky program krijon gjithashtu mundësi edhe për shoqërinë civile për të realizuar projekte në fushën e promovimit të frymës së bashkëjetesës harmonioze, tolerante dhe të integruar.

    Me anë të këtij projektvendimi bëhet e mundur pjesëmarrja e Shqipërisë në Programin “Europa për Qytetarët” duke kontribuar në të kuptuarit e qytetarëve historinë e BE-së, të diversitetit, për të nxitur qytetarinë evropiane dhe për të përmirësuar kushtet për pjesëmarrje qytetare dhe demokratike, për të rritur ndërgjegjësimin e kujtesës, historisë dhe vlerave të përbashkëta, duke zhvilluar të kuptuarit e qytetarëve në procesin e vendimeve të politikave të BE-së dhe duke promovuar mundësi për angazhim shoqëror, ndërkulturor dhe për vullnetarizëm.