Robert Martiko: Kadareja dhe pesë intelektualët francezë

32
TO GO WITH STORY BY LAURENT LOZANO Albanian novelist Ismail Kadare gestures during an interview with AFP on February 8, 2015 in Jerusalem. Born in 1936 in the Albanian mountain town of Girokaster, Kadare has won a number of prestigious prizes including the first international Man Booker Prize in 2005. AFP PHOTO/ GALI TIBBON
Sigal

Për herë të parë në Shqipëri, në kuadrin e kritikës letrare, për të gjykuar shkrimet e Kadaresë, dua të mbetem vetëm brenda kuadrit të mendimeve të Kulturës Universale të Qytetërimit Perëndimor. Sepse nga këto varet e ardhmja e një vendi, jo nga mendimi fosil i vdekur për së gjalli, që sot mbretëron në Shqipëri, duke lënë të patrazuar në thelb përçarjen dhe vëllavrasjen shekullore, që është patologjia më kryesore e shoqërisë.
Njeriu në kohën e lirë mund të merret me çfarë të dojë. Nuk i jep llogari askujt për llojin e hobit të tij. Por nëse bëhet fjalë për shkrimtar, madje të dëgjuar, dhe nëse atij i mungojnë njohuritë e domosdoshme filozofike, nuk bëhet fjalë fare për atë lloj letërsie çudibërëse, me mision të thellë për ndryshimin e njeriut. Flitet në këtë rast për shkrime me karakter tmerrësisht të sipërfaqshëm. Pa njohuri rreth Kohës dhe sidomos stafetës së mendimit filozofik në mijëvjeçarë, vetë shkrimtarë apo krijues si Dantja, Da Vinçi, Mikelanxhelo, Shekspiri, Gëtja, Betoveni, Hygoi, dhe çdo gjigant tjetër perëndimor, do të ishin xhuxhë kaluar xhuxhëve. Përfytyroni mendjet e kufizuara me njohuri materialiste, qesharake, të Moskës së Kuqe, që nuk mungojnë të duken në faqet e librave të shkruar.
Në këtë prizëm, çfarë mund të thuhet për librin “Përbindëshi” të Kadaresë…! Nuk është i vetmi nga shkrimet e tij, që i mungojnë Pikat e Referimit të Qëndrueshme, pa të cilat nuk mund të konceptohet një shkrimtar çfarëdo perëndimor. Gjithashtu nuk mund të imagjinohet as çmimi “Nobel”. Anëtarët e komisionit të Stokholmit, të dalë nga shkolla perëndimore, nuk mund të mos kuptojnë, me një përpjekur të qerpikëve, se për çfarë libra të mangëta bëhet fjalë.


Duken si fjalë të thjeshta: Pikat e Referimit të Qëndrueshme. U zbuluan nga mendimi filozofik grek para më shumë se 2500 vjetësh dhe u përforcuan në mënyrën më të shkëlqyer në Evropë, pas Rilindjes Shpirtërore. U bënë shkak të ndryshonin fatin e shoqërive perëndimore. Ky është edhe shkaku i këtij shkrimi. Mjaft më me vlerësimet tip shpelle, me të vetmin qëllim për t’i bërë qejfin njëri-tjetrit. Mendimi pa idenë e Kohës nuk është vetëm problem i krijuesit, por i gjithë shoqërisë. Njeriu nuk shpëton dot nga Mesjeta e vetvetes. Në shekuj. Matet me gjak, kaos e tragjedi të përjetshme.
Konkretisht, shkruajnë për librin “Përbindëshi” të Kadaresë pesë francezë. Më i dëgjuari ndër ta është Eric Faye, shkrimtar, fitues i Çmimit të Madh të Akademisë Franceze, një person që, në fillim të karrierës së tij është marrë në mënyrë intensive për t’u bërë i njohur Kadareja në Francë. Vijojnë emra jo shumë të njohur në internet: Yves Landevennec, Jean-Marc Regent, André Clavel. E njohur deri diku është Nicole Zand, kritike e letërsisë dhe filmave, e cila shfaq një admirim të thellë për Bashkimin Sovjetik.

Karakteristikë e përbashkët e të pestëve është se ata e kanë idenë e Hapësirës dhe të Kohës. Sepse nuk mund të konceptohet shkrimtari perëndimor pa këto dy koncepte bazë. Interesante është se vetë Kadareja nuk ka idenë e tyre. Kjo duket në gjithçka ka shkruar, pa përjashtim, deri më sot. Jo më kot thonë se letra këndon, sipas latinëve: “verba volant scripta manent”. Edhe kur ra Muri i Berlinit, nuk u kujdes të merrte asnjë mësim filozofie, gjë e pakonceptuar për një shkrimtar. Tjetër është Milan Kundera, i ardhur në Francë nga Çekosllovakia, që, në çdo vepër të tij, është fjalë dhe filozofi.
Dhe nëse sot në Shqipëri ka tru aq të shkalluar, që mendojnë se vetë shoqëria shqiptare do të shpëtojë nga mungesa e konceptimit të kohës, kjo nuk mund të ndodhë në asnjë vend të botës. Mosnjohja e Kohës për Mendimin Intelektual është sot problemi më kryesor kombëtar. Është në dorën e intelektualëve nëse duan të ndryshojnë apo ta lënë mendimin të fantaksur, jashtë Kohës dhe Historisë. Prandaj i kam propozuar Akademisë Shqiptare të marrë një vendim të vërtetë historik për të futur në mendim idenë e “Rilindjen Shpirtërore” me të gjitha çka e shoqërojnë nga pas.
Si shpjegohet kjo çudi e madhe që pesë francezët edhe pse nuk dallojnë elementin “Kohë” në shkrimet e Kadaresë, shkruajnë sikur ai jo vetëm i kupton, por është edhe “lëvizës i kukullave të historisë, mjeshtër i lojës, finok demiurg”. Janë fjalë që të bëjnë për të vjellë. Është sikur shkrimtarët të fantaksur, në stratosferë, iu drejtohen qenieve debile.
Tani, vini re sesi pesë francezët, ngaqë njohuritë e tyre filozofike janë tmerrësisht elementare, vjen një fjali prej vetëm pesë fjalësh, që i bën të bien të gjithë si qefuj brenda në rrjetë. Janë fjalët: “Koha në Iliadë i nënshtrohet absolutisht Hapësirës”.
Nuk ka gjë më të tmerrshme nga këto fjalë. Është gjendja e egërsisë së plotë humane. Koha është tmerrësisht e mbyllur, e bërë burg nga shtazëria më primitive, humane. E njëjta gjendje egërsie, akoma më e përforcuar dhe më e tmerrshme, vjen në shekullin e XX. Mungesa totale e Kohës në një hapësirë ruse, kineze, shqiptare dhe gjithë Evropës Lindore u mat me mbi 100 milionë të vrarë nga regjimet komuniste. Nga kjo hapësirë dhe në mungesë totale të Kohës nuk vinte edhe Kadareja? Apo mos vallë ishte një tip burrëror si Simon Jubani, të pathyerit e paktë në hetuesi si im atë, Dino Martiko, Mbinjeriu, Pjetër Meshkalla, që u fut në burg me vullnetin e tij në kohën e tre milionë skllevërve-duartrokitës? Mos vallë si karakter Kadareja ishte diametralisht i kundërt me ta? Çfarë lloj trush fëmijërorë janë ata të pesë francezëve me në krye Eric Faye që shkruajnë për librin “Përbindëshi” gjëra qesharake, të fantaksura, pa pasur idenë e kuptimit të thellë të Kohës dhe Hapësirës?

E bukur është se pikënisje për të shkruar librin “Përbindëshi”, u bë një banalitet i madh i atyre viteve. Ishte koha kur shqiptarët piqeshin të gjallë në skarën e Luftës së Klasave, propagandës së shfrenuar, vëllavrasëse, të Realizmit Socialist, ku Kadareja udhëhiqte. Koha u mbyll si në gjithë Lindjen e Kuqe. Këto vuan shqiptari sot dhe në brezat që do të vijnë. Francezët, copa mishi me dy sy, nuk kuptojnë gjë prej gjëje, edhe pse përmendin një e dy, si majmunë të mësuar, Kohën dhe Hapësirën. Nuk ka gjë më qesharake. Sa për banalitetin, në bazë të së cilës u shkrua libri, bëhet fjalë për parullën e famshme të Diktaturës: “Revizionizmi Jugosllav është Kali i Trojës”. Dhe i futet Kadareja si gjithnjë me kokë, me ca të dhëna qesharake empirike në libër, pa ditur gjë prej gjëje nga temat e thella filozofike të Iliadës. Sa për dijeni, Homeri, para tremijë vjetësh, kur shoqëria ishte në gjendje natyrore dhe Hapësira ishte burg për Kohën, tentoi ta hapte dhe e hapi. Nuk e mbylli si Realizmi Socialist, që ktheu kohën e shoqërisë shqiptare shekuj të tërë pas.
Sa për të pasur një ide, ja disa nga temat e jashtëzakonshme, me karakter universal, të Iliadës, që trajtojnë në mënyrë të vijueshme profesorë me emër universitetesh perëndimore, elita e mendimit botëror. Homeri bën fjalë për fatin e përbashkët të njerëzve, për vdekjen, luftën civile, nga e cila shpëtoi para tre shekuj Evropa. Zotat janë në luftë kundër Zotave. Dënimin e pësojnë gjithnjë të vdekshmit. Olimpi konsiderohej institucion i pasigurt për t’u bazuar njeriu. Zotat janë kujdestarë të fatit të njeriut, pa mundur ta kontrollojnë. Vlerat që thekson Homeri janë lavdia, fama më e lartë. Forca ka një masë që e mban brenda konceptit të saj moskryerjen e dhunës. Heroi është personi që dëshiron të mbetet gjithnjë brenda formës së tij, e dallon etja për jetë, është sikur thotë se për mua nuk ekziston psikika, trupi i tij të mbetet i bukur edhe pas vdekjes. Akili pasi vret Hektorin kërkon të shkatërrojë bukurinë trupore, ndërkohë që Zotat përpiqen që kjo të mos ndodhë. Bukuria për Homerin është integritet shpirtëror, fuqi, përsosmëri, jo estetikë. Këto tema dhe qindra të tjera brenda Iliadës, bëjnë veprën e Homerit unike në botë.
Homeri me Iliadën e tij, nuk është revizionizmi jugosllav, as Kali i Trojës i Kadaresë. Nuk janë as pesë të fantaksurit e Majit Francez, që çdo vit i festojnë në Francë funeralet.