Besnik Danaj: Kufitari nga Progonati që ra heroikisht në 2 gusht 1949

1144
Sigal

Provokacioni i 2 gushtit 1949 i Greqisë ndaj Shqipërisë ishte një “tatim pulsi”, një mësymje e fqinjëve jugorë ndaj Shqipërisë

(Kushtuar dëshmorit të Atdheut Novruz Orhan Danaj në kuadrin e 70 vjetorit të rënies në postën e Vidohovës në Korçë)

Nënkolonel (R) Msc Besnik DANAJ

Zaho Golemi

Nga 2.8.1949 deri më 15.8.1949 grekët sulmuan befasisht kufirin juglindor shqiptar, ndërkohë që deri para disa vitesh kishim qenë në të njëjtat llogore për të luftuar nazizmin. 70 mijë forca greke kundër 10 mijë forca shqiptare (por dhe 30 mijë rezervë) u përleshën e gjakosën deri në luftim trup me trup. Rezultati: u vranë qindra ushtarë të pafajshëm grekë e shqiptarë: “300 të vrarë dhe 500 të plagosur nga grekët dhe 29 të vrarë dhe 127 të plagosur nga pala shqiptare”. Një fund i turpshëm i provokacioneve të pabaza të ushtrisë greke; ndërkohë që agresorët futën në luftim 80 tanke, 50 avionë, 400 gryka zjarri artilerie. Këtë 70 vjetor në panteonin e lavdisë ndrinë emrat e toger Novruz Orhan Danaj, kapiten Memo Nexhip Bejko, nëntoger Ferit Neim Bregasi, Tafil Ferhat Feçanji, Jonus Bektash Hajdini, Muharrem Sabri Veizi, Fari Nevruz Totolaku, Vangjel Tasi Prifti, Mehmet Ibrahim Muslia, Qazim Haxhi Manka, Ismail Rexhep Iliazi, Shefik Ymer Pitja, Preni Filip Dedja, Abdulla Mustafa Hida, Estref Maksut Bajrami, Shefik Hasan Alcani, Rexhep Ismail Demiri, Tafil Shahin Rolli, Vasil Naum Golemi, Shyqyri Hazis Gërmenji, Taulla Tahir Saliasi, Teki Zenun Kalemasi, Qani Haxhi Rama, Selam Haki Gjoni, Llambi Thanas Ndreka, Hasan Ramazan Gjyzeli, Shyqyri Avdia, Ibrahim Fetahu, Hasan Ramadani. Ata ishin djem nga krahinat shqiptare të Tepelenës, Skraparit, Lushnjës, Elbasanit, Korçës, Shijakut etj. Që të gjithë këta djem-dëshmorë gjakun dhe jetën e tyre e vunë në shërbim të mbrojtjes së kufirit shqiptar.

Ruajtja e kufirit shtetëror–detyrë sublime e kufitarëve shqiptarë

Nëse në vitet 1945-1948 nëse nuk kishte provokacione nga jugosllavët, pas prishjes me ta më 1948-1949 shkelën tokën shqiptare me dashje apo “pa” dashje në mëse 100 raste ndërsa në kufirin me grekët vetëm gjatë vitit 1949 janë kryer mbi 600 provokacione nga ana monarkofashistëve grekë në kufirin tokësor, ajror dhe detar; ndërsa në prill-korrik, fqinjët jugorë grekë kryen rreth 120 shkelje e provokacione ajrore e tokësore në Bilisht, Leskovik, Përmet, Gjirokastër, Sarandë dhe Konispol. Këto shkelje, kërcënime e provokacione ishin pararoja e një agresioni të mundshëm e të pritshëm kundër vendit tonë me taktikat e njohura të “luftës së kurrizeve”. Shteti shqiptar dhe ushtria e tij koshient për situatën forcoi vigjilencën, rriti gatishmërinë luftarake, u përgatit politikisht, ekonomikisht e ushtarakisht për mbrojtje të kufirit shtetëror shqiptar.

Nga provokacione në sulm të hapur në tokën shqiptare, por Vidohova nuk u mposht

Vidohova u përzgjodh nga komanda monarko-fashiste greke, për të mashtruar forcat e ushtrisë demokratike greke në Malin e Viçit. Ata ngritën “strategjinë e mashtrimit” dhe donin të kapin një plazdarmë toke me objekte të rëndësishme në drejtim të fshatit Dradhë. Ishte koha kur bandat e lakmitë e fqinjëve kërkonin zona të rëndësishme shqiptare. Planin grek, ditën dhe orën e sulmit të ushtrisë greke i kishte zbuluar Divizioni i 8-të i Korçës, përmes përgjimeve të zbulimit që vepronin në të dy anët e kufirit në shërbim të shtetit e ushtrisë shqiptare. Më 2 gusht 1949 në orën 5 të mëngjesit bënë një përgatitje të fuqishme me artileri. Veprimet luftarake në drejtim të Vidohovës kishin filluar. Tokës shqiptare i ishin vërsulur me tri batalione grekë të përforcuara me artileri tokësore. Batalionet mbështeteshin nga 15 avionë të tipit “Spitfeier”. Sulmi kishte nisur në tokën shqiptare drejt piramidave 54 e 55. Fronti i mësymjes ishte rreth 750-800 metra. Forcat greke pas 7-8 orë luftimesh me forcat shqiptare të rojes së kufirit të Divizionit të Mbrojtjes së Popullit “Enver”, përparuan rreth 350-400 m në tokën shqiptare. Reparti i vogël kufitar i Vidohovës në rrethin e Devollit, ishte epiqendra e agresionit grek. Përballë tyre shumica e ushtarëve kufitarë ishte nga e gjithë Shqipëria. Nuk ishte vetëm një parandjenjë; dikush prej tyre do të mbetej përjetësisht, në malet e Gramozit, te piramida nr. 55, pa mundur të kthehej më në familjen e vet. Përplasja do të ndodhte, nuk kishte shmangie. Ata ishin bërë pjesë e luftës, ku në fushën e betejës ka të vrarë e të plagosur. Kufitarët shqiptarë ishin përbetuar njëri-tjetërit se, “tokën e tyre nuk do ta lëshonin”. Ishte besa e madhe për Atdheun!. Armiku synonte kapjen e lartësive e kurrizeve të kodrave e maleve dhe mbrojtjen e tyre, duke u përforcuar edhe me manovër krahëmarrëse e shpinëmarrëse. Rreth orës 13.00 sulmi u detyrua të ndalet. Pushtimi i lartësisë 1309 ishte objektiv i batalionit këmbësor të vendosur në rajonin e Sulit. Sulmi për marrjen e kësaj lartësie u zhvillua me përgatitjen e fuqishme të zjarrit të një grupi mortajash e topash.

Luftimet ishin të ashpra e të përgjakshme. Armiku vuri në përdorim artilerinë e aviacionin me sulme të përsëritur. Forcat shqiptare detyrohen të lëshojnë pozicionet e të tërhiqen disa dhjetra metra. Sulme të tjera vijojnë, por mbrojtja është këmbëngulëse, por edhe me kundërsulme të njëpasnjëshme të forcave kufitare. Lartësia 1309 metra ruhej me çdo kusht. Armiku përforcohej në lartësinë 1425 metra, edhe me hendeklidhje. Në 7 gusht, në orën 16.00, Forcat e Ushtrisë shqiptare me tri toga sulmuan për marrjen e lartësisë dhe mes luftimesh të ashpra, kapën 3 QZ, por në pamundësi ta përforcojnë u tërhoqën përsëri dhe sulmin e përsëritën në orën 24.00 pa artileri, por pa sukses. Angazhimi i grupeve të sulmit, një togë xheniere dhe artilerisë bëri që më 18.00 të datës 8 gusht forcat tona u hodhën në sulm të përgjakshëm morën lartësinë 1425 m dhe rivendosën situatën në kufirin shtetëror. Për pushtimin e lartësisë 1309 m, ku mbrohej një togë kufitare me një efektiv 36 vetë, armiku sulmoi me dy batalione me rreth 1000 vetë mbështetur nga artileria dhe aviacioni. Por forcat tona kufitare përdorën me mjeshtëri manovrën dhe shfrytëzuan terrenin malor. Forcat e Kufirit, luftuan heroikisht, duke organizuar zjarr të fuqishëm e kundërsulme të rrufeshme, që ja hoqën inisiativën armikut sepse në fakt përparimi i tij ishte  40-50 m në orë duke përparuar vetëm 350-400 m në token shqiptare. Në një javë luftime me forcat monarko-fashiste forcat tona thyen çdo ditë 1-2 sulme, duke shpalosur një aktivitet të lartë, me 2 kundërsulme në ditë, sidomos më datat 2, 3 dhe 5, 7 gusht. Kundërsulmet me grupe sulmi, me nënreparte xheniere, me bashkëveprim të llojeve të armëve e zjarrit të artilerisë dhanë rezultat për forcat tona përfshirë edhe mbështetjen e sulmit të këmbësorisë me artileri Kundërajrore me qitje të drejtpërdrejt. Vidohova mbeti gjithnjë në fokus të armikut dhe jo rrallë herë ajo bombardohej nga mëngjesi deri në mbrëmje. Ndodhte që të sulmohej dhe disa herë brenda 24 orëve.

Komunikata operative e Ministrisë së Mbrojtjes së RPSH, njoftimin e ka të dokumentuar në AQFA-së: “Në orën 03.30 të mëngjesit të datës 12.8.1949, forcat monarko-fashiste deri në një brigade, të mbështetura nga artileria dhe 4 aeroplanë të tipit “Spitfire” sulmojnë tradhtisht tokën e atdheut tonë në drejtim të piramidës nr 35 në sektorin e Bilishtit, ku mbas luftimesh të ashpra me rojet tona të kufirit u fut në tokën tonë deri në kuotën 932. Forcat tona kundërsulmojnë, i thyejnë ata në mënyrë të turpshme dhe i detyruan të tërhiqen me panik në drejtim të kuotës 966 në thellësi të tokës së tyre. Po në këtë datë, në orën 13.10. monarkofashistët me një brigadë të mbështetur me artileri dhe 6 aeroplanë sulmuan përsëri në piramidën 32-34 sektori i Bilishtit dhe depërtuan në tokën tonë deri në kuotat 11.20 dhe 11.77”. Flasin faktet kokëfortë: “Më 14.8.1949, në orën 7.30 ushtarët grekë me Brigadën e 41-të të Divizionit të 9-të, i mbështetur me një regjiment artilerie dhe me skuadrilje aeroplanësh “Spitfire”, vazhduan sulmin e tyre kundër atdheut tonë në drejtim të piramidës 30-31 sektori i Bilishtit. Forcat tona kundërgoditën dhe e detyruan armikun të kthehet në pozitat e tij duke i shkaktuar 60 të vrarë dhe mjaft të plagosur. Gjatë kësaj dite armiku ka rrahur me 2000 predha artilerie tokën tonë në katundin Trestenik, Kapshticë, Bilisht dhe Cangonj. Nga goditjet e artilerisë mbetën 5 civilë të vrarë dhe u shkaktuan dëme në disa shtëpi të katundeve të mësipërme”. Hedhja në mësymje e forcave shqiptare  i çorientonte grekët.

Novruz Danaj – i lindur për Shqipërinë -…Krenarë për birin tuaj Novruz Orhan Danaj..!

Novruz Danaj ishte lindur në Progonatin e Kurveleshit më 22 mars 1926, ditën e Sulltan Novruzit. Fëmijëria e tij ishte e vështirë dhe e varfër sikurse edhe bashkëmoshatarëve të tij në fshatin e thellë të Progonatit në zemër të Labërisë. Që në fëmijëri edhe pse mori vetëm arsimimin fillor ju bashkëngjit halleve të rënda të pushtimit si dhe u mundua t’ju bëhej krahë prindërve të tij në punët e përditëshme, për të lehtësuar sadopak fukarallëkun që kishte pllakosur jo vetëm fshatin e tij por mbarë vendin. Ai e vuante shumë shtypjen e shfrytëzimin. LANÇ-i u bë për familjen e tij një strehë ku Danajt gjetën  të ardhmen. Novruzi në moshë fare të re ju bashkua formacioneve partizane ashtu sikurse gjithë fisi i tij. Stani i Danajve ishte shtëpia e oratorëve dhe agjitatorëve të flaktë të LANÇ-it Mustafa Matohiti dhe Asim Zeneli. Ata rrënjosën tek djemtë e Danajve, Tafili, Murati, Qerimi, Novruzi dhe çdo zemër labe ndjenjën antifashiste si dhe ndezën prushin atdhetar. Krisma partizane e Danajve u dëgjua fort në betejat e Shkallës së Zezë, në Salari, në Borsh, në aksionin për marrjen e minave me sahat, etj. Veçanërisht Tafil Danaj korieri tepër energjik i Asim Zenelit u bë udhërrëfyes e frymëzues në jetën partizane të Novruzit dhe të Danajve të tjerë. Pushtimi dhe Lufta e mundimshme Nacionalçlirimtare la mbrapa djegje e shkatërrime, varfëri, por solli liri dhe shpresë dhe optimizëm. “Akademinë e luftës” Novruzi e bëri më 1942–1944 në betejat antifashiste në rreshtat partizane.

Kur ishte 16 vjeçar, më 1942 u aktivizua në çetën territoriale partizane dhe në batalionin territorial. Pasi ishte bërë një luftëtar me përvojë Novruzi bashkë me Tafilin, që në ditën e parë të krijimit të Br12S u bënë pjesë e këtij formacioni të rëndësishëm partizan. Me këtë optimizëm Novruz Danaj ngeli në radhët ushtarake dhe për më tepër u caktua për të kryer shërbim në një nga sektorët më të vështirë dhe imediatë për vendin që ishte ruajtja e kufirit shtetërore… Kështu detyra dhe rrethanat e çuan djalin nga Progonati në Vidohovë në një ndër postat që ballafaqimin me monarko-fashistët e kishte thuajse të pritshëm. Novruz Danaj i përbetuar për mbrojtjen e tokës në kufi kishte merituar më parë edhe dy herë dekoruar për trimëri dhe guxim të shquar gjatë LANç-it në përballje me armikun. Një sprovë e re për të ishte përballja luftarake bajonet më bajonetë në kufi, atje ku u çimentua njësh me kufirin shqiptar.

Kapiten Novruz Danaj ra në moshën 23 vjeçare në gushtin e 1949-ës, në përleshje me forcat e monarkofashiste greke duke përgjakur tokën arbërore në roje të kufirit shqiptar në Vidohovë të Korçës. Ishte koha kur fqinjët flisnin me gjuhën e armëve dhe përgjigjen e morën flakë për flakë, sepse pas artilerisë së topave dhe zjarrit të armëve të këmbësorisë “fjalën” e kishte marrë përleshja. Novruzi mposhti një duzinë ushtarësh, dhe nuk u mposht, sepse në mendje e zemër kishte një porosi të babait të tij ditën që e nisi kufitar në Vidohovë: “Bir, mos lejo që hasmi të na shkelë vatanin, mos lejo që hasmi të kalojë në shtegun, që të është caktuar ta mbrosh..”. Për këtë arsye edhe në libra të ndryshëm kur flasin për mbrojtjen e kufirit shqiptar, në radhët e para trajtojnë skicën e përjetshme për dëshmorin progonatas “një me dymbëdhjetë”. Trimi kufitar progonatas, Novruz Danaj, bashkë me 28 dëshmorët e tjerë ngelën përjetësisht atje në Vidohovën e pakalueshme dhe në altarin e lirisë së kombit. Novruz Danaj ishte dhe mbeti një shkëmb labërie në mbrojtje të truallit arbëror.

Ai derdhi gjakun për atdheun bashkë me ajkën e djalërisë kufitare, plot 29 dëshmorë tashmë të trupëzuar njësh me barikadën e lirisë së kufijve të Shqipërisë. Babai i tij Orhani dhe nëna Fajkoja, që e kishin rritur me njëmijë mundime dhe e prisnin me leje ato ditë gushti, sepse kishin dasëm dhe për një javë do martohej trimi progonatas, por as trupi nuk erdhi kurrë në Progonatin e trimërisë. Por lavdinë ja rriti edhe në tej Progonatit historik. Atje në fshatin e Labërisë mbriti pas disa ditësh një letër ngushëllimi nga Ministria e Punëve të  Brendshme në të cilën shkruhej: “të jeni krenarë për trimërinë dhë atdhetarizin e flaktë të djalit tuaj..”, si dhe një letër me nënshkrimin “Mehmet Shehu”, që vlerësonte lart aktin e trimërisë së kufitarit trim Kapitenit Novruz Danaj. Me Vendim të ish-Komitetit Ekzekutiv të Këshillit popullor të rrethit të Tepelenës nr. 21 datë 25.5.1972, Novruz Danaj nga Progonati është shpallur me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut”, edhe pse eshtrat e tij janë bërë kurban për ruajtjen të paprekur të truallit arbëror, një varr simbolik ndodhet në varrezat e dëshmorëve të Atdheut në Progonat. Vendi i dëshmor Novruzit nuk ngeli bosh sepse i vëllai i tij Çarçani studioi për ushtarak, ngjiti shkallët e karrierës, u bë pedagog topografie në Shkollën e Bashkuar të Oficerave, më tej në MPB për çështjen e piramidave dhe kufirit. Fëmijët e Çarçanit Arbeni, Mitati dhe Marjeta janë rritur, shkolluar e mirëedukuar që mbajnë lart frymën patriotike e atdhetare, respektojnë gjakun që Danajt derdhën gjatë LANÇ-it, dhe të xhaxhait që derdhi gjakun për mbrojtjen e kufirit shqiptar.

 “Tatim pulsi”, “provokacion”/“mësymje”- njollë e errët në marrëdhëniet e fqinjësisë

Provokacioni i 2 gushtit 1949 i Greqisë ndaj Shqipërisë ishte një “tatim pulsi”, një mësymje e fqinjëve jugorë ndaj Shqipërisë, me rreth 70 mijë forca të armatosura, mbi 50 avionë, 80 tanke dhe 400 topa të artilerisë tokësore. Shteti shqiptar mobilizoi në luftën mbrojtëse 10 mijë ushtarë, dhe në gatishmëri mbante 30 mijë trupa pranë zonës së sulmit. Përfundimi i këtij “provokacioni” 13 ditor: 300 trupa monarkiste greke të vrarë, rreth 500 të plagosur e 270 robër; ndërsa nga pala shqiptare pati 29 ushtarë e oficerë të rënë si dhe 127 të plagosur, në një betejë që zgjati nga 2 gushti  deri më 15 gusht 1949.  (Sipas dokumentacionit të evidentimit të betejës në AQFA dhe AQMB, bazuar në iventarët me Rëndësi Historike Kombëtare). Ajo ka qenë dhe mbetet një njollë e errët në marrëdhëniet e fqinjësisë.

Progonati – djepi që rrit burrëri, trimëri dhe mëkon mençuri

Në Kurvelesh e Labëri fshatrat janë me zakone e tradita të veçanta, që rrjedhin nga lashtësia kaonike. Nuk gjen oxhak e vatër atdhetare që nuk ka mëkuar në breza shëmbuj burrërie, trimërie e fisnikërie. Kështu edhe fshati i kapiten Novruz Danaj, Progonati përkundëte në djepe me dru lisi, djem e vajza për Labërinë e për Shqipërinë. Progonati ndodhet në zonën malore të Kurveleshit të Sipërm. Ashtu si dhe fshatrat e tjera në këtë kështjellë malore, shquhet për histori të lashtë dhe të pasur me tradita patriotike. Në shekuj Kurveleshi ka lindur burra trima, të mençur, e liridashës, që mbanin afër jataganin e pushkën. Të parët e fisit Danaj kanë luftuar me armë në dorë sa herë e ka kërkuar nevoja për liri ndaj çdo pushtuesi. Gjatë LANÇ-it, në Progonat  fisi “Danaj” kishte më shumë partizanë se çdo fis tjetër, prandaj kur vinin në Progonat banorët shpreheshin: “erdhën “Danajt” dhe jo “erdhën Partizanët”.

Një me dymbëdhjetë – Beteja e ditës së fundit e dëshmorit Novruz Danaj

Ditë gushti e përzhitur nga vapa dhe flakët e armëve në të dy anët e kufirit. 2 gusht 1949. Novruzi 23 vjeçar ishte si një copëz shkëmbi ku mishi, gjaku e kockat ishin bërë njësh me tokën shqiptare në pritje të së keqes, që vinte nga errësira xëc e përtejkufirit. Ai ishte kufitar i sprovuar, që krismat e shpërthimet e predhave të artilerisë, aviacionit e tankeve  nuk e lëviznin nga pozicioni. Ahishtet dhe shkurret e zonës i kishin hedhur tokës kufitare një vello maskimi, që rrugët këmbësore, gjarpëronin përmes kësaj rjete massive. Në çdo shteg kishte një mburojë, një trim, një kufitar. Situata kompekte e luftimeve e përballi trimin progonatas me një duzinë ushtarësh grekë të hedhur në sulm me bajoneta të mbërthyera. Lufta kishte nisur me goditje artilerie, me sulme të përsëritura ndaj një qëndrese që nuk e njihte tërheqjen. Kufitarët vriteshin dhe nuk tërhiqeshin. Vendi kishte zot. Gjithë Devolli, Vidohova… buçiti nga poterja e luftës. Novruzi ishte pozicionuar në shtegun e verbër edhe kur lufta ishte bërë lesheli, për të mbisunduar majat. Agresorët ishin mizë lisi. Pushkët e bombat e kufitarëve shqiptarë gjëmonin si oshëtimë topi. Tanët mbaheshin, qëndronin. Luftonin me burrëri. Korça në verë nuk ka zheg e thatësirë. Pozicioni i Novruzit, ishte njomishte dhe ahishte.

Me plumba e granata me qitje  precise me të mëngjër luftoi heroikisht kapiten Novruz Danaj tek “pozicioni i verbër”. Kish llogaritur njëzet e katër fishekë për një duzinë ushtarësh, sepse kufitari ishte vetëm një dhe armiqtë dymbëdhjetë, por ai nuk i maste punët me numra, po me zemër. Ndërkohë që luftimet në kuotën 1309 dhe rreth Vidohovës “ranë në qetësi”, radha i erdhi Novruzit, i cili priste me faqen në qytën e armës, të mbështetur mirë në gropën e supit për të bërë qitje të sigurtë. Zëri i shokëve që u përleshën e gjakosën në lartësi për tokën e shenjtë e thërriste. I priti të afroheshin mirë, edhe pse ishin maskuar me “kaçube” të gjelbra me gjethe ahu e afroheshin me kujdes, pa zhurmë por përmes aheve i priste tyta e një pushke. Novruzi shënoi monarkon e parë në gjoks dhe qëlloi! E mbushi dhe rimbushi disa herë pushkën dhe krismat që ngjanin të shurdhëra rrëzonin një nga një “kaçubet” të veshura brenda ngjyrë kaki. Lebetitjet e pushtuesve nuk i shpëtonin grykës së pushkës së kufitarit. Por një plumb i pret fuqitë. Mbledh forcat dhe vërvit dy bomba dore. Duzina e ushtarëve të përgjysmuar e sulmuan llogoren e kufitarit shqiptar që kishte  njomur tokën me gjakun e tij. Pushtuesit nuk u mjaftonte vdekja, por morën edhe kufomën e kufitarit. Bilanci nga të dy palët u bë pas luftimeve. Në rreshtat kufitarë mungonin 29 dragoj e 127 të plagosur; por nga kundërshtarët i morën me qefin mbi 300 egërsira të vrarë dhe 500 të plagosur. Novruz Danaj luftoi trimërisht, vdiq heroikisht në Vidohovë, pranë lartësisë 1309, në “pozicionin e verbër”, në shtegun e keq, ngeli në përjetësi dëshmor i kufirit. Maja e Alevicës vëzhgonte kufitarët, që si maja malesh luftonin trimërisht dhe nuk lëshuan asnjë pëllëmbë tokë shqiptare, duke ngelur shkëmbenj të çimentuar të pavarësisë e shenjtërisë së tokës arbërore.