Rama: Institucionet që s’paguan kontributet, dalin para drejtësisë!

    370
    Sigal

    TIRANE – Të gjitha institucionet shtetërore dhe sektorët privatë që kanë abuzuar për vite të tëra duke mos i siguruar punonjësit e tyre, edhe pse kontributet i merreshin nga paga, do të përballen me drejtësinë. Paralajmërimi erdhi nga kryeministri Edi Rama gjatë një takimi të mbajtur në kryeministri për të lidhur pensionet e para sipas skemës së re.  Kreu i qeverise tha se ne Ministrine e Mireqenies Sociale dhe Rinise eshte ngritur grupi i punes per te cuar ne organin e akuzes te gjitha te dhenat mbi abuzimet qe jane bere nga 1600 institucione shteterore e private, dhe shprehu besimin se hetimit do t’i shkohet deri ne fund per te zbuluar te gjitha nivelet e grabitjes.

    “Ne nuk do t’i ndahemi as atyre që kanë abuzuar, dhe ministria ka ngritur grupin për të depozituar pranë prokurorisë të gjitha të dhënat dhe pastaj prokuroria duhet dhe besoj do ta bëjë, të hetojë në të gjitha nivelet natyrat e kësaj grabitjeje. I bëj thirrje të gjithë sipërmarrësve që janë të listuar dhe që sot vazhdojnë të paguajnë punonjës në të zezë dhe rezultojnë debitorë me miliona e miliona dollarë në skemën e pensioneve të vrapojnë të paguajnë borxhet që u kanë punonjësve të tyre që kanë detyrimin të japin rrogën dhe ti sigurojnë pensionin, të cilit nuk i kanë skllevër. Nuk do të tërhiqemi nga asnjë front beteje, duke i garantuar se edhe kjo çështje më shpejt se vonë do të sistemohet. Janë mbi 100 milionë dollarë, një shumë që i afrohet dhe pse nuk e arrin, shumës tjetër të përvitshme që njerëzit e ndershëm, ata që gjithmonë kanë paguar energjinë elektrike”, tha Rama.

    Kjo sipas kryeministrit Edi Rama është një krim ekonomik si pasojë e keqqeverisjes ndër vite të të djathtëve. 

    “Punonjësit e siguruar me ligj po jo me Maliq ktheheshin në punonjës në të zezë, dhe merreshin të tjerë në punë nga shteti, mbaheshin në të zezë dhe kujtonin se paguheshin kontributet për pensionet e tyre. Ky është një krim ekonomik ashtu siç është edhe një batërdi keqqeverisëse, sepse natyra e kësaj grabitjeje të skemës është e shumëfishtë. Jo në të gjitha rastet është bërë për qëllime elektorale apo korruptive, edhe kur është bërë për verbërinë dhe paturpësinë e një qeverie dhe të një shteti që nuk respekton ligjet e veta, si me institucionet e ushtrisë”, u shpreh kryeministri Rama.

    Rama: Institucionet që abuzuan me kontributet, kërcënim për pensionet. Këtë vit aksion i gjerë
    Ndërsa e vlerësoi si një lajm tronditës faktin që 1 mijë e 600 institucione shtetërore dhe sektorë privatë kanë abuzuar me kontributet e paguara nga punonjësit e tyre duke mos i derdhur tek Sigurimet Shoqërore, kryeministri Edi Rama tha se fillimi i këtij viti do të shënojë aksionin kundër sipërmarrësve abuzues, duke e krahasuar me aksionin kundër vjedhjes së energjisë elektrike. Megjithatë kryeministri siguroi se kjo skemë abuzuese e ndjekur nga institucionet nuk do t’i prekë punonjësit që i kanë paguar kontributet ndër vite.

    “Sot po dëgjojmë një lajm që do të kishte tronditur çdo vend të botës, lajmin se në sistemin e sigurimeve tona u janë marrë paratë e kontributeve për pensionet mijëra e mijëra nëpunësve të këtij shteti, mijëra e mijëra punonjësve në sektorin privat, të cilët sot marrin vesh se ndërkohë që u është thënë se pensionin e kanë të sigurt, kontributet që u janë marrë nga rroga për pensionin u janë çuar në drejtim tjetër. Kjo nuk kërcënon pensionin e këtyre njerëzve, por ky është një kërcënim real për sistemin tonë të financimit të pensioneve, për këtë ne e kemi paralajmëruar dhe po e nënvizojmë sërish, kjo fazë e parë e vitit do të jetë faza e përshkallëzimit të një operacioni njësoj si ai i energjisë për të kthyer në vend të gjitha kontributet e njerëzve që janë mashtruar për vite të tëra dhe u është thënë se pensionin janë duke e mbledhur duke i marrë paratë nga rrogat dhe duke mos ia depozituar në sigurimet shoqërore. Nëpunësit e Inspektoriatit të Punës të paguar nga taksat e shqiptarëve dhe të angazhuar nga shtetit shqiptar për të kontrolluar mbarëvajtjen në funksion të mbledhjes së sigurimeve shoqërore, vetë të pasiguruar”, deklaroi Rama.

    Rama thirrje punonjësve: Denonconi sipërmarrësit që ju mbajnë në të zezë, mos kini frikë i monitorojmë ne!

    Në kuadër të operacionit që do të nisë kundër institucioneve që nuk kanë siguruar punonjësit e tyre, kryeministri Rama i bëri thirrje vetë të prekurve nga kjo grabitje, siç ai e cilësoi, që të denoncojnë punëdhënësit dhe të mos i druhen faktit se mund të hiqen nga puna, pasi këta sipërmarrës do të jenë në monitorim.  

    “Mos pranoni të hyni në pazar me punëdhënësin tuaj, sepse ulni pensionin tuaj, i falni pjesë të pensionit punëdhënësit tuaj. Operacioni që do të nisim javën e ardhshme, do të jetë një operacion ku një nga elementët synon bashkëpunimin intensiv me çdo punëmarrës që do të denoncojë punëdhënësin që i kërkon këtë pazar, me çdo punëmarrës që do të kërkojë mbështetjen tonë për të mos lejuar që ai të mbahet në të zezë, dhe ai nuk duhet të ketë frikë, se nga denoncimi i punëdhënësit do t’i vijë fundi punës së tij. Ne do t’i monitorojmë hap pas hapi këto procese”, u shpreh Rama.

    Akuzat e opozitës, Rama: Pafytyrësi! Keqqeverisën vendin e tani bëjnë sikur kanë ardhur nga Hëna!
    Lidhur me akuzat e vazhdueshme të opozitës për skemën e re të pensioneve, kryeministri Edi Rama u shpreh: “Parafytyroni se çfarë pafytyrësie duhet që pasi ta kesh qeverisur vendin me metoda të tilla dhe pasi të kesh braktisur në një rrugë pa krye mijëra njerëz, të flasësh sikur ke ardhur nga hëna dhe vetëm të akuzosh dhe të përbaltësh çdo ditë, ne që po përpiqemi me mish e me shpirt, ditë natë që në radhë të parë të mbushim gropat e hapura. Duhet një kurajo dhe një pafytyrësi që është e pamundur të parafytyrohet nga njerëz normal”. 

    Rama: Sot kurorëzojmë reformën e pensioneve…e vonuar nga një qeveri hipokrite!
    Rama tha se reforma e pensioneve është e vonuar për shkak se qeveritë e mëparshme e kanë lënë të pazgjidhur problemin e mos derdhjes së kontributeve duke krijuar gropa të mëdha financiare. Rama e quajti “hipokrizi të pashembullt në qeverisje”, faktin që qeveria Berisha e promovonte si histori suksesi rritjen e pensioneve, ndërkohë që nga ana tjetër, sipas tij kontributet që punonjësve u mbaheshin nga rroga nuk siguroheshin.

    “Jam krenar që sot kurorëzojmë konkretisht dhe kthejmë në mjet të jetës reale një nga reformat më të rëndësishme dhe më të vonuara të Shqipërisë së pas rënies së komunizmit. Reforma e pensioneve është një reformë që qeveritë njëra- pas tjetrës preferuan t’ia lënë qeverisë që vinte pas, dhe qeveria që na pararendi preferoi jo vetëm ta shtynte por edhe si në fusha të tjera të aktivitetit të saj të zgjidhte mënyrën më hipokrite e të pabesë në raportin e vet me pensionistët duke ua shitur disa rritje të pensioneve si frutë të një suksesi të madh të Shqipërisë, vend i zhvilluar. Ndërkohë që prapa shpinës së pensionistëve dhe në rrugën e të gjithë atyre që ishin drejt pensionit hapi një gropë të madhe ku pa as më të voglin ekzagjerim ishim të kërcënuar të binim si shtet, njësoj siç ramë si shtet në gropën e madhe të hapur nga rënia e piramidave të Sudës së Vehbiut. Mjafton të kujtojmë se për të financuar pensionet është e domosdoshme të sigurohen kontributet. Një rrugë si ajo e deri para një viti, ku financoheshin pensionet dhe nga ana tjetër zgjerohej hendeku mes çfarë paguhej nga pensionet e çfarë merrej nga kontributet, është shprehje e një hipokrizie të pashembullt në qeverisje”, tha kreu i qeverisë Edi Rama.