Prof. Nasho Jorgaqi: Krijimtaria e luftës e Sterja Spasses dhe njohja me Ali Kelmendin

322
Sigal

Sterjo Spasse erdhi në letërsi nga gjiri i letërsisë të shtypur e të skamur, duke jetuar me hallet e saj dhe duke i mbajtur gjithmonë të gjalla lidhjet shpirtërore me të, ai pasqyroi në krijimtarinë e tij në radhë të parë jetën dhe aspiratat e klasës së vetë. Fshati dhe fshatarësia shqiptare, rruga e luftës për liri e për tokë, shndërrimet e mëdha që kanë ndodhur në jetën e saj, kanë gjetur në veprat e S. Spasse një shprehje të gjerë e të fuqishme, që e bëjnë ata një nga këngëtarët më me zë të fshatit. S. Spasse lindi në Gllomboç, një fshat buzë liqenit të Prespës më 14 gusht 1914, biri i një familjeje të varfër fshatare, ai provoi qysh i vogël shtypjen e shfrytëzimin,, përbuzjen dhe punën e rëndë. Në fshat ndoqi mësimet e para dhe pastaj në Korçë kreu shkollën plotore, duke punuar ndërkaq për të nxjerrë bukën e gojës, herë në vendlindje nëpër tokat e Bejlerëve, herë në qytet si shërbëtorë.

 

 

Më vonë me ndihmën e mësuesve patriot, ai mundi të ndjek shkollën normale të Elbasanit. Në këtë vatër me tradita, normalisti i ri, u aktivizua në jetën kulturale artistike të rinisë shkollore. Bëhet një nga redaktorët e revistës pedagogjike letrare “Normalisti”, bashkëpunon me shtypin e kohës, hedh hapat e para në fushën e letërsisë. Të kësaj kohe janë disa tregime të botuar në gazetat “Shqipëria e re”, “Zëri i Korçës”, “Monografia”, “Prespa e Vogël” etj. Në 1932 kryen normalen edhe punon si mësues fshati në krahinën e Gjirokastrës e të Korçës. Duke jetuar e punuar në mes fshatrave, mësuesi i ri njihet më thellë me hallet e aspiratat e tyre, mbruhet me ndjenjën e pakënaqësisë, rreh të kërkojë shtigje për të dalë nga gjendja e rëndë e kohës, por duke mos pasur një botëkuptim të qartë e të qëndrueshëm bie në dëshpërim.

Romani  “Pse?!”

Pasqyrë e kësaj gjendje shpirtërore të inteligjencës shqiptare të kohës është romani “Pse?!”, janë tregimet që botoi në fillim të viteve 30 në përmbledhjet “Kurorë rinie” dhe “Në krahët e një femre”. Me gjallërimin e jetës shoqërore në qytetin e Korçës dhe sidomos me aktivizimin e lëvizjes punëtore dhe përhapjen e ideve komuniste, S. Spasse afrohet dhe bashkëpunon me shtypin demokratik e përparimtar, si me revistat “Rilindja” dhe “Bota e Re”. Edhe pse më vonë shkrimtari i ri shërben si mësues në qytet ai nuk ndalet nga fshati, mban lidhje të gjithanshme me bashkëfshatar dhe vendlindjen. Tek ai lë përshtypje të thella revolta e goricarve kundër dhunës së bejlerëve dhe qeveritarëve. Pikërisht në këtë kohë ai njihet me militantin komunist Ali Kelmendi, i cili përmes bisedave përçon tek shkrimtari idetë revolucionare të kohës, që do t’i shërbejnë si bazë mbi një orientim më të shëndoshë të krijimtarisë së tij. Në ndikimin e këtyre ideve, ai do të çlirohet nga nihilizmi i shprehur në romanin “Pse” dhe do të bënte përpjekje për një qëndrim më të thellë kritik ndaj realitetit, duke vënë në qendër të veprës probleme sociale të fshatit shqiptar. Më vonë, nga fundi i viteve 30, i shtyrë nga idetë revolucionare të kohës, do të nis të shkruaj, kapitujt e parë e romanit “Beu”, që u bë pikënisje e romanit të ardhshëm “Ata nuk ishin vetëm. Luftën nacional çlirimtare, shkrimtari e simpatizoi dhe 3 muajt e fundit të pushtimit, jetoi me partizanët e Divizionit I-S.

Romani “Ata nuk ishin vetëm”

Në malësitë e Tiranës ku mundi të njihej siç shkruan dhe vetë “Me madhërinë e epopesë së luftës nacional çlirimtare.” Po në këtë kohë, ai merr pjesë në kongresin e arsimtarëve antifashist që u mblodh në Korçë dhe zgjidhet anëtar i Këshillit të përgjithshëm. Menjëherë pas çlirimit, S. Spasse vihet në radhët e luftës për ngritjen e kulturës së re, punon me mish e me shpirt për zbatimin e reformës arsimore, si autor tekstesh e programesh, si mësues dhe edukator shembullor i brezit të ri. Me çlirimin e atdheut nis një periudhë e re në jetën e shkrimtarit, periudha më e rëndësishme në krijimtarinë e tij. Kjo është epoka e partisë, kur Sterjo Spasse duke përvetësuar botëkuptimin marksist Leninist e duke u vënë i tëri në shërbim të kauzës së socializmit krijon veprat të Shqipërisë Socialiste. Më 1947 shkruan romanin “Ata nuk ishin vetëm”, romani ynë i parë i letërsisë së re, që u botua më 1952. Me këtë vepër të rëndësishme,hapet vargu i romaneve që do të dalin pastaj si “ Afërdita përsëri në fshat (1956-1967) “Buzë liqenit (1961-1965) “Zjarre”(1979) “Zgjimi” (1974) “Pishtarët (1975),vëllimeve me tregime “Të fala nga fshati” (1958 “Sokoleshat” (1966) pa përmendur përshkrimet e reportazhet, antologjitë e tekstet shkollore të letërsisë, studimet e përkthimet. Sterjo Spasse është një nga shkrimtarët e parë të laureuar, me çmimin e Republikës. Ai është zgjedhur në organet drejtuese të lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve, dhe njihet si aktivitet i shquar shoqëror. Disa nga veprat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja.