Presidenti Meta bën thirrjen: Prodho shqip! Bli shqip! Konsumo shqip!

290
Sigal

Ditën e sotme, Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka qenë i ftuar në 30 vjetorin e themelimit të kompanisë “Filipi & CO”, kompani e cila njihet në shumë vende të botës për rolin e saj në fushën e grumbullimit, përpunimit dhe eksportit të bimëve aromatike. Gjatë fjalës së tij në këtë event, Presidenti Meta tha, “Prodho shqip! Bli shqip! Konsumo shqip!”.

“Me më shumë mbështetje të këtij sektori, malet tona do të jenë edhe një burim në rritje i mirëqenies familjare dhe kombëtare, si dhe një mundësi për forcimin e lidhjeve me trevat tona me pasuri të shumta, për të ndalur në këtë mënyrë edhe fenomenin dramatik të shpopullimit të zonave rurale dhe malore të vendit tonë.”,- u shpreh më tej gjatë fjalës së tij Kreu i Shtetit.

Mesazhi i plotë i  Presidentit Ilir Meta:

Prodho shqip! Bli shqip! Konsumo shqip!

E pranova me shumë kënaqësi ftesën e sipërmarrësit Filip Gjoka, për të qënë sot i pranishëm në 30-vjetorin e themelimit të kompanisë “Filipi & CO”, lider në fushën e grumbullimit, përpunimit dhe eksportit të bimëve aromatike dhe mjekësore, për të ndarë urimet më të ngrohta për sukseset e arritura në këto dekada.

Bimët aromatike dhe mjekësore bio “Made in Albania”, me cilësi dhe vlera të jashtëzakonshme, janë një pasuri e madhe kombëtare, që i ka dhënë vendit tonë, përparësi të madhe konkurruese në tregun rajonal dhe ndërkombëtar.

Me më shumë mbështetje të këtij sektori, malet tona do të jenë edhe një burim në rritje i mirëqenies familjare dhe kombëtare, si dhe një mundësi për forcimin e lidhjeve me trevat tona me pasuri të shumta, për të ndalur në këtë mënyrë edhe fenomenin dramatik të shpopullimit të zonave rurale dhe malore të vendit tonë.