Nikoll Ndoku: Kur do të restaurohet Selita e Mirditës!?

    465
    Në verilindje të Mirditës, në lartësinë 753 m mbi nivelin e detit në kilometrin e 120-të rrugës Tiranë- Lurë të zë syri një vendbanim tashmë të braktisur, që shtrihet në brigjet e një lumi të kaltër e mjaft piktoresk. Ky vendbanim urban e ka emrin qyteti Kurbnesh, i cili shtrihet në brigjet e lumit Urakë, afërsisht në qendër të Selitës. Me emërtimin qytet është pagëzuar që në vitin 1966 nga Kuvendi i Shqipërisë, i asaj kohe për të plotësuar nevojat për strehim për punonjësit e indrustrisë nxjerrëse dhe përpunuesve të mineralit të bakrit. Qyteti Kurbnesh që tashmë ka vetëm emrin të tillë ishte qendra e komunës Selitë. Në këtë qytet kam kaluar rininë time, duke mësuar breza të tërë fëmijësh të këtyre minatorëve. Ndërsa shoh me mirënjohje krahinën time, që jam mësuar ta njoh e ta çmoj, sepse përfaqëson sigurinë tonë në të ardhmen, tmerrohem përballë atentateve të panumërta ndaj kësaj natyre të mrekullueshme që sjell pakujdesia, egoizmi dhe padituria e njeriut. Për rreth 50 vjet, banorët e kësaj treve kanë hyrë e dalë nëpër “brinjët” e shqyera të nëntokës. Male minerali kanë nxjerrë prej saj. 

    Të gjitha këto prej duarve dhe djersës së këtyre pirustëve, minatorëve të Kurbneshit e fshatrave përreth. Vite të tëra gërmuan tokën e nëndheshme, duke nxjerrë mbi tokë bukën e përditshme për fëmijët. Me atë heroizëm e idealizëm brilant u lodhën,por ndërtuan qytetin,ndërtuan Shqipërinë. Qyteti u ndërtua në vitet 1950- 1960 dhe po në këto vite hodhi hapat e para të jetës me 1500 banorë. U hapën shkolla,u ndërtuan pallate, Spital, Pallati i Kulturës që funksiononte dhe si kinema, arkiv i shtetit, ujësjellësi, kopshti e çerdhja e fëmijëve. Padyshim mund të themi se ky qytet ecte me hapat e qyteteve të tjera. Deri në fund të viteve 1980 numëroheshin 3000 banorë. Miniera dhe fabrika e pasurimit ishin vende që kishin numrin më të madh të punëtorëve. Njerëzit kishin mundësi të shpenzonin për vete e për fëmijët. Por me kalimin e viteve, ky qytet ngadalësoi hapat drejt rrugës së zhvillimit. Ky ngadalësim filloi në vitet 1990. Industria minerare hyri në një kolaps të plotë. Kështu fabrika e pasurimit nuk pati jetëgjatësi. Për 31 vjet ajo mori nëpër duart e hekurta bakrin e nxjerrë nga miniera e këtij qyteti, por edhe me bakrin e nxjerrë nga Perlati e Kaçinari. Në këto vite tranzicioni u shkatërruan nga themelet miniera dhe fabrika. I gjithë hekuri e çeliku u shit në Mal të Zi. Po kështu u prishën Pallati i Kulturës, kopshti e çerdhja e fëmijëve. Njerëzit që kishin mbetur filluan të largoheshin nga qyteti. Rrugë të boshatisura, pallate të shembura e të pabanuara. Silikoza e mushkërive një sëmundje vdekjeprurëse mori jetën e qindra minatorëve që punuan nëntokë e që nuk gëzuan pensionin e tyre. Të tjerë enden rrugëve të spitaleve me pak shpresë. Pavarësisht gjithë kësaj sakrifice pas ndryshimeve të mëdha politike, si gjithë shqiptarët e tjerë një pjesë e të rinjve morë rrugën e kurbetit për një jetë më të mirë. Nga mungesa e vendeve të punës, Selitasit u detyruan ta braktisin Selitën në masë. 

    Të parët që e braktisën janë banorët e qytetit Kurbnesh, por me kalimin e kohës braktisja në masë u bë edhe nga banorët e fshatrave, ku tanimë nuk bëhet fjalë për jetesë, por veç mbijetesë. Kjo ka ardhur nga mungesa e vëmendjes së shtetit për këtë pjesë të territorit shqiptar. Sikur Kurbneshi të jetë epiqendra e varfërisë dhe e padrejtësive administrative. Ka rreth 7 vjet që zyra e Gjendjes Civile, e vetmja zyrë që u vinte në ndihmë banorëve të qytetit e fshatrave përreth, është larguar në ish komunën Kthellë rreth 30 km larg. Për të marrë një certifikatë duhet të humbasësh dy ditë dhe të paguash 1000 lekë të rinj për rrugëtim. Qyteti ka mbetur në letër, se në teren është shndërruar në gërmadhë deri tek dyert e shqyera të ish spitalit modern, ku shkojnë e dimërojnë bagëtitë e fshatit e vetmja pasuri e tyre, por edhe kjo është e pamundur për mungesë totale të infrastrukturës në këtë fushë, mbasi mungon tregu i shitjes së prodhimeve blegtorale. Selita është një trevë mjaft e pasur me resurse natyrore, ku përveç mineraleve dhe pyjeve, gjëja më kryesore është se ka kushte ideale për zhvillimin e turizmit malor, sepse ka një brez malor mjaft të pasur me resurse turistike, duke filluar që nga lumi Urakë, malet mjaft piktoreske, ka shumë shpella ku përveç bukurisë së rrallë, kanë edhe efekte të fuqishme kurimi. Ndodhet Kroi i Bardhë tepër kurativ, megjithëse në kushte mjaft të këqija nga mungesa e investimeve dhe për shkak të infrastrukturës rrugore shumë të amortizuar, këtu i kalojnë pushimet shumë familje nga gjithë Shqipëria. Eh Kurbnesh, Kurbnesh! Dikur prodhoje flori për shtetin. Çdo natë binin telefonat nga qeveria e atëhershme për sasinë e cilësinë e mineralit që nxirrej brenda ditës. Aksion ditë e natë. Sot ke mbetur qyteti më i vogël në botë. Sa shumë kujtime më zgjon. Dhe teksa më përlot, më nxit të shprehem, duke besuar që në të ardhmen, kësaj krahine t’i kthehet ajo çka koha i mori padrejtësisht e që për bukuritë e tjera natyrore të rikthehet në kujtesën e të përzgjedhurve të shtetit. Shpresojmë, pasi shpresa vdes e fundit tek njeriu!
    Sigal