Si ja hoqën pulpën e këmbës Mikel Çobos në hetuesi

    450
    Xhemal Bali, miku i gazetës “Telegraf”, vuajtës i 26 viteve e 28 ditëve nëpër burgjet famëkeqe të Shqipërisë komuniste, në kujtimet e tij, ekskluzivisht për “Telegraf”, sjell ngjarje rrëqethëse, tmerruese e të çuditshme deri në botën e pabesueshmërisë e të ndodhisë, nga bota brenda qelive dhe kampeve, burgjeve dhe internimeve të kohës së diktaturës komuniste. Ai ka preferuar të publikojë tek gazeta “Telegraf” ,fillimisht me një intervistë të gjatë mbi vuajtjet 26-vjeçare nëpër burgjet komuniste, pjesë nga kujtimet dhe promemorien e famshme dërguar Enver Hoxhës dhe Byrosë politike të KQ të PPSH në Korrik 1967, botuar sipas origjinalit në faqet e “Telegrafit” dhe sot sjell kujtimet për dy vëllezërit Engjëll dhe Mikel Çobo nga Shkodra, xhaxhallarët e ish- kryetares së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Jozefina Topalli, në të gjitha shkrimet e karakterizon realiteti dhe po këtë na kërkon kur publikon: ashtu si ka ndodhur, me realizëm dhe pa denigrim. Me kujtimet e tij në duar, e pyesim: -Zoti Xhemal, si i keni njohur vëllezërit Çoba? Xhemali hesht me një buzëqeshje enigmatike dhe mes përsiatjes dhe meditimit, na përgjigjet: -I kam njohur mirë në kushte të vështira. I kam përfshirë edhe në kujtimet e mia të shumta se janë 26 vite( na tregon fletët e shkruara me makinë shkrimi, pasi atë përdor akoma). I kam njohur dhe ndaj në këto vite për shumë gjëra nuk jam pajtuar me Jozefinën si parlamentare dhe si kreu i tij. 

    Ishin burra që në shpirt kishin mirësinë, në zemër dashurinë, në mendje diturinë, në krahë fuqinë, në trup papërkulshmërinë. Të dy vëllezërit qenë eruditë. Nevoja për të mësuar prej tyre më afroi me ta, por edhe vitet e gjata të burgimit dhe sjellja ime krijuan besim tek ata, se ne qanim hallet me njëri-tjetrin, po jo me të gjithë, pavarësisht se të gjithë vuanim njësoj. Pra u afrova me ta që të mësoja. Ata dinin shumë gjuhë të huaja dhe midis tyre anglishten, frëngjishten, italishten etj, por këto gjuhë me ta i mësova dhe i zotëroj edhe sot, madje përkthej, siç kam përkthyer librin e Vaslav Havelit nga frëngjishtja në shqip. Ishin të papërtuar, lumturoheshin kur u kërkoje ndihmë për mësime. Fisnikëria e tyre këtu përzihej me patriotizmin. Kur dënoheshin këta intelektualë, qe dënuar demokracia, fjala dhe mendimi i lirë, inteligjenca qe varrosur e gurgosur. Dy vëllezërit, Engjëll dhe Mikel Çobo, qenë dënuar në vitin 1946(në mos gaboj) fillimisht me burgim të përjetshëm. Më pas, kur u bënë ndryshime ligjore në kodifikimin gjyqësor, dënimi kaloi në masën 25 vite. Nuk e di kur u ndamë, se si përfunduan, i bënë të gjitha vitet apo jo. Kur u takuam për herë të parë ishte viti 1964 në burgun e Laçit. Vëllezërit Çoba, që nga dënimi i tyre, qenë në burgun e Burrelit. Në vitin 1964, komandanti i kampit tonë, Hazbi Lamçja shkon në burgun e Burrelit për të marrë fuqi punëtore për kampin e Laçit, që në atë kohë punonim për ndërtimin e uzinës së acidit sulfurik dhe plehrave kimike. Ndër këta, fuqi punëtore qenë edhe dy vëllezërit Çoba që erdhën në kampin e Laçit. Këtu u njoha. 

    Qenë njerëz të kulturuar me fytyrë e vështrim engjëllor. Burra të mençëm. Të arsimuar. Mikeli për gjeologji dhe teologji, ndërsa Ëngjëlli për filozofi, Ëngjëlli më duket se kishte punuar edhe si nëpunës i Ministrisë së Jashtme shqiptare para çlirimit të vendit, gjatë okupimit. Kujtimet janë të shumta e të gjata, po kjo që dua tu tregoj sot, i kalon kufijtë e shtazërisë: -Kishim kohë që punonim dhe mësonim bashkë. Atë ditë ishim duke punuar në gërmim-nivelim dheu. Ishte gusht e vapa përzihej me djersë, pluhur e lodhje deri në rraskapitje. Mikeli punonte me karrocë dore. Dy vetë ia mbushnin me baltë dhe Mikeli e çonte për ta zbrazur. Nga vapa kishte përveshur këmbëzat e pantallonave. Hodha vështrimin dhe u çudita. Fërkova e rifërkova sytë nga ajo që pashë e nuk po u besoja syve. Mos isha verbuar nga vapa, djersa e pluhuri? Jo. Mikelit në njërën këmbë i mungonte pulpa. Nuk e mbaj mend se e cilës këmbë, po në njërën i mungonte. Iu afrova dhe u binda për çka më shikonin sytë. I mungonte pulpa dhe këmba i ngjante një cungu. U bëra kurioz dhe e pyeta me drithërima zemre, se çfarë kishte pësuar. Ai hodhi sytë e zgjuar njëherë rreth e rrotull dhe pastaj mu përgjigj: Xhemal! Pulpën ma ka hequr kryetari i degës së punëve të brendshme të Shkodrës, Zoi Themeli dhe shefi i hetuesisë, Ali Xhunga ishte dhe një person i tretë që nuk e mbaj mend. Ma hoqën që të pranoja ato që thoshin dhe donin ata. Nuk pranova dhe nuk u shburrërova. Pasi panë rezistencën time vijuan me torturën çnjerëzore, ma mbushën vendin e zbrazur nga heqja e mishit të pulpës me kripë dhe ma fashuan. Edhe sot çuditem, se si jetoj nga ky veprim makabër dhe si shpirti mundi të jetojë pas asaj dhimbjeje torturuese që provova, si munda ta duroj, çuditem! Ja, kështu është kjo ndodhi e dhimbshme dhe Keli jetonte e punonte me një pjesë të trupit të hedhur poshtë, a ku i dihet se ku përfundoi pjesa e mishit të këmbës së tij. I vetmi gabim i tyre ishte, se qenë me kulturë perëndimore dhe fetarë katolikë. Dhe kjo përbënte krim për komunizmin. Besoj kaq ja vlen, për këta personalitete se kemi akoma shumë e më shumë që bashkë do t’i publikojmë e ndoshta edhe botojmë ndonjë libër. Faleminderit zoti Xhemal! 
    Agron Mema
    Sigal