Emri i Pelivan Barjamajt është i njohur në botën e letrave në Vlorë dhe në rang vendi, po aq i dëgjuar edhe në jetën aktive folklorike të trevave të Vlorës, qysh nga vitet 1975 e deri sa ndërroi jetë. Një emër i angazhuar në letërsinë politike dhe sociale, që la gjurmë të dukshme në shtypin e kohës për fjalën e spikatur, penën e mprehtë, guximin e të shkruarit, ku vargjet e tij ishin ngjyer pa drojë në bojën e hidhur të sarkazmës, që kishte efekt shërues në shpirtin e dhembur e të çoroditur jo vetëm të popullit vlonjat, por mbarë popullit shqiptar nën presionin e pushtetit, mbushur me strese nga keqqeverisja e kohës, kur autori u shqua për publikimin e poezive politike, në krahë të sivëllait të tij të ndritshëm, Arben Duka (1957-2021). P. Barjamaj është tërësisht poet lirik, ku poezitë e tij, sidomos ato për dashurinë, të kënduara nga grupe të ndryshme folklorike dhe këngëtarë popullorë apo të muzikës së kultivuar dhe përpunuar, i kanë krijuar autorit përjetësinë nëprmjet vargjeve të ëmbla e melodioze të thurura aq bukur artistikisht, estetikisht nga autori.

Dashuria tek ky autor është sa e hollë, e prekshme, e tejdukshme, deri në të ndierit e frymëmarrjes së të dashuruarve nëpërmjet këndimit të tekstit, e ngjyer këndshëm në bojën e tij të qeshur, sepse humorin e gjen natyrshëm pothuaj në çdo këngë apo poezi që ai thuri e këndoi sa qe dhe e la pas si visar. Dashuria tek ky autor ishte po aq universale dhe merrte përmasa tutje e më tutje si hapësirë njerëzore dhe gjografike. Këngët për nënën që P. Barjamaj thurte me aq art e ndjenjë, mbushur çdo fjalë e varg me një dashuri të madhe, të veçantë deri në hidhëri, të cilave ua merrte vetë aq mirë, dridhshëm, kumbueshëm, me zë koke, ku shkrihej në një ëmbëlsia me dhembjen. Janë vërtet perla të Folklorit të Labërisë dhe ndër më të bukurat në Folklorin Shqiptar. Ai ka shkruar poezi me nivel të lartë artistik për vendlindjen, Tërbaçin, Drashovicën, Vlorën e Labërinë; ai i ka kushtuar poezi e këngë shumë të ndjeshme Kosovës e Çamërisë. Ai ishte një poet i dalluar, këngëtar dhe kompozitor i këngës lirike dhe liriko-epike labe, ndër të rrallët poetë të këngës, që kanë dalë nga viset e krijimit të shpirtit të popullit në vargje. Ai ishte liriku i trëndelintë i Labërisë dhe është në krahët e këngës së bukur që thuri vetë me vargje mjaltë e lot, guximtar i vargut përditësor të pakorruptueshëm… Kujtojmë vitin 1995, kur sa ishte botuar libri i Pelivan Barjamajt, “Populli dhe politika”, që u përpi menjëherë, sepse vjerëshërimi i tij ishte shërues si mjaltë i hidhur (siç ia quan miku i tij i veçantë, Namik Jahaj). Ndërsa unë, ato ditë, botova shkrimin: “Pelivan Bajrami, poeti lirik me kostum kombëar”, ku përmbledhtas, po shkëpus nja dy paragrafë: … “Qesh prej zorit, qan prej gazit”. “Qerratai” Pelivan Barjami – e cilësonte Plaku i Bardhë i Letrave Shqipe, qysh më 23 tetor 1995 Pelivanin, poetin tonë të dashur dhe shton – më bëri të qesh aq shumë sa fshiva sytë me mëngë”. (Të më falni, por Plaku i Bardhë i Letrave dihej dhe dihet që është Dritëro Agolli, kështu që unë nuk e pashë të nevojshme t’i shënoja dhe emrin tek shkrimi në fjalë, se … kush nuk e kupton)… Po vijoj dhe pak nga shkrimi im për Pelivanin: “Interesante është se edhe sot ky libër është si një kod shpirtëror e moral në vargje ndër shqiptarë. Edhe pse nuk ka ndonjë ndikim të shfaqshëm nga Kanuni i Lekë Dukagjinit, as nga Kanuni i Skënderbeut, as nga Kanuni i Labërisë dhe as nga ligje apo përmbledhje ligjesh e normash të pashkruara, të trashëguara në mënyrë gojore, që pasqyrojnë gjendjen ekonomike – shoqërore të periudhave të kaluara, si tërësi e normave të së drejtës zakonore, ky libër i veçantë i krijuar nga Pelivan Bajrami ka mushtin, ka lëngun e pastër, ka dhe frymëmarrjen e kësaj kushtetute të pashkruar shqiptare në rrjedhat e kohës; trajtuar artistikisht me magjinë labe të vargut, që Pelua e qëndis si ai me këtë libër – testament etnoartistik”.
Në vargjet e tij ka Vlorë, ka Labëri, ka Elbasan, ka Lushnjë, ka Dibër, ka Has, ka Skrapar, ka Tiranë, ka Janinë, ka Tuz, ka Preshevë, ka Prishtinë, ka Ulqin, ka Korçë, ka Artë e ka Nartë, ka Përmet e ka Skrapar, ka Krujë e ka Shkodër, ka Kolonjë e Tepelenë, ka Gjirokastër e Mallakastër, ka Kelmend e Prevezë, ka Librazhd e ka Dukagjin, ka Sazan e ka Himarë. Një lexues, që nuk ia ka njohur jetëshkrimin këtij autori, mund ta mendojë nga çdonjëra krahinë a qytet që citova dhe nuk gabon, sepse Pelivan Barjamaj mendohej ashtu siç shprehej – krijues gjithëpërfshirës i trevave shqiptare. Me origjinë të hershme Pelivani është nga Tërbaçi i Vlorës, nga fisi i nderuar i Bajrame, mëhalla Bita. Drashovica është vendlindja e tij. Por jo më pak i rrahu zemra e krijimit për hapësira shqiptare me rol në historinë kombëtare, si trevat shqiptare të Malit të Zi, ato të Maqedonisë së Veriut, si Kosova e Çamëria, që i donte sa Vlorën, sa vendlindjen, e s’i këmbente sa qe, siç shprehej dhe vetë, edhe sikur t’i falnin botën…
Kush e ka njohur Pelivanin, e ka vlerësuar si njeri i mirë, shumë i dashur, i qeshur si ai, shumë i qetë, shumë bashkëpunues, dashamirës, mendimtar e ndjenjëtar. Ai qe dhe ngelet një nga penat e arta të polifonisë, jo vetëm për Tërbaçin, Drashovicën, Treblovën, Sevasterin, Vajzën, Trevllazrin etj., ndërkohë që tutje hapësirave labërore dhe shqiptare vështirë se do të ketë një vlerë të tillë kurajoze si e Pelivan Barjamit, i krahasueshëm me penën e Arben Dukës, Skënder Haskos. Kujtoj që kam qenë në krahë të tij, kur në fillim vitet 1990 Pelivani organizoi Grupin lab të Shoqatës Kulturore Atdhetare Mbarëkombëtare “Ismail Qemali”, apo kur në fillim vitet 2000 ngriti një grup simpatik, i cili u bë shpejt i mirënjohur me këngëtarë të rinj, si grup polifonik lab, të cilit i dha emrin simbolik “Djemtë nga Lumi i Vlorës”. Ky grup përbëhej nga 5 artistë popullorë; marrës ishte vetë Pelivani, kthyesi, hedhësi dhe dy për iso. Gjithashtu ai ka dhënë ndihmesë speciale për ansamblet folklorike “Çipini”, “Jehona labe” etj. Vargjet e shkruara prej tij këndohen dhe do të këndohen nga populli. Po ai vetë këndonte aq mirë e sa bukur ia merrte, unikal me zë të ulët koke, i qante si bilbil sidomos këngët e nënës me aq mall, dhëmbje e trishtim, që tek pakkush i kam ndier. Patjetër ai kishte në sy, në penë, në zë, në frymë, në shpirt, në gjak nënën e tij, Zelihanë halleshumë. Po ku ka vlerë më të madhe se ajo që ngelet në gojën dhe mendjen e brezave që vijnë!… Ai do të regjistrohet në kujtesën sociale si njeriu që ishte shumë i lidhur me vendlindjen, me Labërinë, me historinë, kulturën dhe artin, për të cilin kontribuoi edhe vetë lartësisht sa jetoi. Pelivan Barjamaj na dha një ndihmesë të vlefshme edhe në fillimet e riformatimit të Grupit të Grave të Tërbaçit “10 Shqiponjat e Tërbaçit” në vitet 2015. Ajo është e regjistruar dhe ne nuk mund ta mohojmë, por e kujtojmë me nderim. Ai do të kujtohet edhe përsa e sa vargje, vjersha, këngë satirike e humoristike, ku, mirë humori, që na mban gjallë, por ironia pikon e hidhur, therëse, fshikulluese, sa e mprehtë dhe e ashpër, po aq e nevojshme për shërim…Pelivan Barjamaj do të mbahet mend si një nga ata fillimtarët e lartë, që la gjurmë të thella në kulturën e Vlorës dhe Labërisë, sidomos me tekstet aq të bukura, me vargjet e tij të arta, këngët e ëmbla me melodi të ngrohta, që thuri si Mjeshtër i Folklorit lab ende zyrtarisht i pashpallur, sepse ai ishte i bërjes së veprave, jo i kërkimit të dekoratave.
Pelivan Barjamaj ishte poeti lirik me kostum kombëtar dhe deri në fund qe bashkëluftëtar i së mirës ndaj të keqes, një fjalëmençur, që do të ngelet i paharruar, sepse nga shpirti mbolli e përhapi lule lirike në gjerdanin e folklorit shqiptar dhe të poezisë së kultivuar popullore.
Pelivan Barjamaj ka lindur më 17 shtator 1944 në familje bujare me tradita atdhetare nga Tërbaçi zbritur në Drashovicë, në portën e Lumit të Vlorës. Mbylli sytë në shtëpinë e tij në Vlorë më 23.06.2022. Ai nuk dukej, por ishte shumë i ri në shpirt, në mendim, në pamje…




















