Ministrja Shahini vjen me një lajmërim për kualifikimin e mësuesve

412
Sigal

Pas mesazheve për nxënësit, këtë të shtunë ministrja e Arsimit, Besa Shahini i është drejtuar mësuesëve, të cilët edhe pse në këto ditë të pandemisë së Covid-19 nuk po rreshtin së dhënuri dije dhe mësin online për nxënësit. Shahini ka folur për të interesuarit mbi procesin e portalit “Mësues për Shqipërinë” dhe kualifikimin e mësuesve, si dhe praktikën e zhvilluar nëpër shkolla. Në lidhje me hapjen e mundshme të portalit “Mësues për Shqipërinë” për mësuesit potencialë dhe se çfarë do të bëhet me procesin e kualifikimit të mësuesve, ajo ka dhënë këtë përgjigje.

“Duke marrë parasysh që këto dy procese kërkojnë testim të mësuesve, pra duhet që një numër mësuesish të qëndrojnë në një dhomë ku realizohet testimi, kjo nuk është e mundur të zbatohet tani që jemi në një gjendje të karantinimit e distancimit social. Në momentin e parë që do të normalizohet situata, ne do të ndajmë datat se kur do të zhvillohen testimet si për portalin “Mësues për Shqipërinë”, ashtu edhe për kualifikimin e mësuesve duke ju njoftuar në vijim”.

Nga ana tjetër, ministrja ka adresuar gjithashtu edhe një pyetje të ardhur nga mësuesit praktikantë, të cilët janë interesuar të dinë nëse ky vit i praktikës do të konsiderohet praktikë për ta apo do të duhet ta përsërisin vitin.

“Nuk keni nevojë ta përsërisni praktikën e punës. Ju keni bërë mjaftueshëm orë pune në shkollë, të cilat do të konsiderohen drejt praktikës suaj. Një pjesë e madhe e juaja jeni të angazhuar në mësim online me mësuesit tuaj mentorë. Edhe kjo do të konsiderohet si punë praktike, si dhe punën që do ta mbyllni kur të kthehemi nëpër shkolla. Dhe kjo do ta plotësojë për aq sa është e mundur numrin maksimal të orëve që kërkohet nga ju për të konsideruar se e keni mbyllur praktikën nëpër shkolla. Kështu që, pa shqetësime, e kemi marrë parasysh situatën në të cilën gjendemi të gjithë dhe do të jemi maksimalisht fleksibël me juve”.