“LSI u jep mundësi të rinjve, vajzave, familjeve të thjeshta”, Erisa Xhixho: Rama kërcënon me vendin e punës

259
Sigal

Nënkryetarja e LSI-së, dhe kandidate për deputete në zgjedhjet e 25 prillit pjesë e listës së qarkut Tiranë, Erisa Xhixho gjatë një takimi të enjten me banorë të njësisë nr.2, gjatë fjalës së saj u shpreh se sot në kulmin e dëshpërimit, qeveria nuk jep llogari për mashtrimet, por kërcënon me vendin e punës.

Nga ana tjetër, ajo shtoi se LSI-ja u jep mundësi rinisë, vajzave, familjeve të thjeshta.

“Unë u them nga ky shesh i njerëzve të lirë Edi Ramës, Alqi Bllakos e gjithë shpurës së politikanëve që guxojnë të kërcënojnë, shantazhojnë e blejnë varfërinë tuaj e të kërcënojnë prindërit e vajzave që vijnë në takimet tona, se fundi i tyre do jetë përpara drejtësisë, pas 25 prillit”,-tha më tej Xhixho.

 

Fjala e plotë:

Përshëndetje qytetarë të lirë të vendit tim…. Jam e nderuar që sot jam pjesë e kandidatëve të LSI-së, së bashku me të rinj e të reja, gra e vajza dinjitoze, plot vlera në listën tonë.

Të dashur miq, Vendi ynë përballet sot me një krizë të rëndë ekonomike dhe sociale, varfëri, papunësi, biznese që mbyllen çdo ditë, të rinj që e kërkojnë shpresën gjetkë…vendi ynë përballet me një krizë tepër të thellë shëndetësore, ku njerëzit enden në ankth për mbijetesë, pa spitale, pa mjekë, pa aparatura, pa shtet….

E di, shumë prej jush në takimet tona m’i kanë thënë në sy të vërtetat e vështirësive të tyre dhe mungesën e shpresës. Por ne kemi një mundësi për ta ndryshuar këtë realitet me fuqinë e votës sonë. Ne kemi vendosur të jetojmë të lirë e jo skllevër të një pushteti që punon për interesat e disa personave, që kanë shkatërruar ekonominë , që i lanë vetëm qytetarët në këtë pandemi dhe që bëjnë propagandë me shëndetin e njerëzve.

Sepse Rilindja nuk është një forcë e majtë, nuk është parti sociale që kujdeset për njerëzit e varfër, njerëzit në nevojë, grupet vulnerabël e pa mbështetje, përkundrazi ajo i la vetëm.

E sot në kulmin e dëshpërimit nuk jep llogari për mashtrimet, por ju kërcënon me vendin e punës, kërkon t’ju blejë varfërinë dhe dinjitetin tuaj, që është vota juaj. Unë u them nga ky shesh i njerëzve të lirë Edi Ramës, Alqi Bllakos e gjithë shpurës së politikanëve që guxojnë të kërcënojnë, shantazhojnë e blejnë varfërinë tuaj e të kërcënojnë prindërit e vajzave që vijnë në takimet tona, se fundi i tyre do jetë përpara drejtësisë, pas 25 prillit.

Sepse unë, Erisa Xhixho, kam zgjedhur të mos përdhos dinjitetin e qytetarëve të vendit tim, as të jem deputetja e radhës që vjen një herë në 4 vjet në zonë për të kërkuar vota e që mbyll telefonin sa mbarojnë zgjedhjet.

Unë kam vendosur të përfaqësoj vlerat më të mira, LSI-në, sepse unë besoj te politika që kujdeset për njerëzit në çdo ditë, që është aty për zgjidhur hallet dhe shqetësimet e çdo qytetari dhe jo për të krijuar konflikt dhe për të larguar vendin tim nga e ardhmja europiane.

Ky takim sot është edhe më i veçantë e emocionues për mua, sepse djali im është këtu për herë të parë e unë dua që ai të jetë krenar për vlerat që unë përfaqësoj sot e nesër si e zgjedhura juaj. Unë do të punoj çdo ditë për ta kthyer njësinë nr. 1, 2 dhe gjithë qarkun e Tiranës në vendin e mundësive të të gjithëve dhe jo të disave; Në promovimin e vlerave të qytetarëve të thjeshtë të këtij vendi.

Ne do punojmë çdo ditë për hapjen e vendeve të reja të punës, për çlirimin e ekonomisë, për një arsim që mbështetet financiarisht dhe të lidhur me tregun e punës , për një shtet të drejtë ku të gjithë janë të barabartë para ligjit, ku qeveria ka frikë nga qytetari e jo e kundërta, ku vajzat, gratë dhe nënat mbështeten për punësim pa diskriminim.

Unë besoj te bastionet e qytetarëve e jo të politikës, ndaj më 25 prill të gjithë me fuqinë e votës të vendosim për veten tonë, të votojmë LSI-në, forcën që u jep mundësi të rinjve, vajzave, familjeve të thjeshta.

Ashtu siç ma dha mua, unë kam misionin të motivoj e mbështes gra e vajza, të rinj, të jenë pjesë e saj.

Sepse politika duhet t’u përkasë njerëzve të thjeshtë, që e duan këtë vend dhe duan ta çojnë përpara duke e ndryshuar ata politikën e jo duke i ndryshuar politika ata. Fitore!