Ligji për Turizmin, kushtet për lejet e ndërtimit dhe qiraja e tokës

    413
    Sigal

    Ministria e Kulturës ka bërë gati projektligjin e ri për Turizmin, që pritet të votohet në ditët në vijim nga parlamenti. Sipas projektligjit, zhvillimi dhe operimi i një sipërmarrjeje turistike, si hotel, kompleks turistik dhe struktura të tjera akomoduese, në zonat e zhvillimit të turizmit, bazuar në interesin e përgjithshëm publik, mund të bëhet edhe në pronat shtetërore, me kusht që këto struktura, ndërtime dhe ambiente e shërbime ndihmëse të mos dëmtojnë parametrat natyrorë dhe kulturorë të këtyre zonave apo të mos rrezikojnë aktivitetin turistik, si dhe të jenë në përputhje me planet e zhvillimit të turizmit. Shfrytëzimi i detit, liqeneve apo brigjeve të tyre duhet të bëhet në mënyrë të tillë, që të mos dëmtojë apo shkatërrojë në asnjë rast karakteristikat e tyre. Për pronat në pronësi të njësive të qeverisjes vendore kushtet, kriteret, afatet, të drejtat, detyrimet e palëve dhe çmimi i përdorimit të pronës publike, për transferimin e vënien në dispozicion të pasurive të paluajtshme, pronë publike, tek investitori i një sipërmarrjeje turistike, përcaktohen nga organet vendim marrëse të këtyre njësive.

    Afati i përdorimit të pasurive të paluajtshme për zhvillimin e turizmit

    1. Pasuritë e paluajtshme vihen në dispozicion të projektit të zhvillimit të një sipërmarrjeje turistike, si hotel, kompleks turistik dhe struktura të tjera akomoduese, për një periudhë kohore jo më të gjatë se 49 (dyzet e nëntë) vjet.

    2. Ndërtimet, veprimtaritë dhe ndërtesat ndihmëse, të ngritura mbi pasuritë e paluajtshme të vëna në dispozicion, kalojnë në pronësi të shtetit pas mbarimit të afatit të përcaktuar në kontratë. Investuesi në këtë rast nuk mund të pretendojë asnjë të drejtë apo pagesë për to.

    3. Për investimet në fushën e sipërmarrjeve turistike me vlerë nga 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) deri në 100 000 000 (njëqind milionë) euro, Këshilli i Ministrave, pasi të ketë bërë vlerësimet dhe verifikimet e përcaktuara në këtë kre, mund të ofrojë dhënien me qira të pasurive të paluajtshme me tarifën simbolike 1 euro.

    4. Për investimet në fushën e sipërmarrjeve turistike, me vlerë mbi 100 000 000 (njëqind) milionë euro, me qëllim krijimin e kushteve sa më preferenciale dhe dhënien e garancive sa më të mëdha për investuesin. Këshilli i Ministrave, përveç mundësisë së aplikimit të tarifës simbolike 1 euro, aplikon dhe zgjatjen e periudhës kohore deri në 99 (nëntëdhjetë e nëntë) vjet.