Letra drithëruese e Petro Ninit për Botuesin e gazetës “Korça”

771
Sigal

Gazeta “Korça” financohej nga lexuesit, misetret e një gazette të ngritur me heroizëm

Sami Pojani, botues i gazetës së parë shqipe në Shqipëri, histori e rrallë

Letra drithëruese e Petro Nini Luarasit për botuesin e gazetës Korça Grekomanët kundër gazetës “Korça”, letrat  nga Simon Shuteriqi, Lek Dukagjini,  Petro Nini Luarasi,  dardharët e Amerikës dhe letra nga Stambolli e Belkis, bija e Mahmud Pashë Elbasanit.

Nga Vepror Hasani

Pas shpalljes së konstitucionit më 10 korrik 1908, Sami bej Pojani botoi gazetën “Korça”, të parën gazetë shqipe në Shpipëri. Ajo u bë e dashur për të gjithë lexuesit, madje ata u shndërruan në sponsorizues të saj. Shkëmbenin letra me botuesin, jepnin mendime, kërkonin mbështetjen e gazetës dhe ofronin pa rezerva përkrahjen e tyre. Gazeta “Korça” u bë zëri i qytetarëve. Mirënjohja e njerëzve nuk i mungoi kurrë kësaj gazete, ashtu sikurse për të u shkruajtën edhe poezi nga patriotë, intelektualë dhe njerëz të thjeshtë.

Vjershë për gazetën “Korça”

O moj Korç’ e lvdëruar,

Ti moj fletë e nderuar,

Më çdo anë e dëgjuar,

Kurrë mos qofsh e harruar.

Pas emrit të mirë që ke,

Dole ti moj lule e re,

Si të gjorin mëmëdhe,

Ashtu na ruaj dhe ne.

Ymer Zavalani, (gazeta “Korça” 22 janar 1909).

Grekomanët kundër gazetës “Korça”

 

“Jo me qëllim tjatër, po vetëm me një mejtim për të mbrojtur të drejtat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, të cilët janë një komb i dëgjuar edhe me nder në ballë, me ndihmën e Zotit zumë të nxjerrim fletën “Korça”. Qyteti i Korçës s’themi që është qendër e Shqipërisë, po ia vumë emrin “Korça”, me qenë që ky qytet nga shërbimet q’i ka bërë Shqipërisë, është dëgjuar midis shqiptarëve, prandaj na pëlqen ky emër i bukur. Me të nxjerrë në shesh numrin e parë të gazetës muarrëm nder t’ua dërgojmë gjithë shqiptarëve që ndodhen në Shqipëri dhe atyre që janë jashtë Shqipërisë. Si çdo shqiptar që mori fletën “Korça”, me gaz na uroi. Vetëm ca shqiptarë të qytetit Korçë, që pa turp dhe pa nder në ballë, e quajnë veten e tyre grekomanë, iu paska ardhur shumë rëndë kur paskan parë emrin e Korçës të shkruar me shkronja shqip… (Pikërisht në këtë vend, gazeta është e dëmtuar dhe nuk lexohet qartë, por kuptohet që gekomanët kanë vendosur ta bojkotojnë gazetën, ndërsa më poshtë artikulli vijon): Ç’thoni mo mendje karkalecësh! Ç’qytet u kanë lënë Elinët, akoma me të vjetrat, prapë zutë nga megalidhetë? Oh, të mjerët fatzez! Kur do t’i lini këto mejtimet e ndryshkura; mosni mor të mjerë u gënjeni kaq shpejt se nuk është Korça vend greku dhe nuk ua kanë lënë Elinët, po ky qytet ka qenë, është, do të jetë Shqipëriii, a muarët vesh. Se prej bojkotazhit tuaj gazeta “Korça” nuk tundet fare nga vendi, se fuqia juaj nuk është e zonja të lëvizë një fill kashte, prandaj sus, mos lihni shumë”. (Gazeta “Korça”, 22 janar 1909). Shumë shpejt gazeta “Korça”, pati edhe shtypshkronjën e vet, të cilën e pagëzoi me emrin “Drejtësia”. “Për shtypshkronjën “Drejtësia” në Korçë na lipsen dy radhonjës, njëri prej tyre lipset të dijë dhe të përdorurit e maqinës. Si kushdo që ka dituri në vet’hen e tij është i lutur të na bëjë zë që të merremi vesh me pagesën. Drejtonjës i gazetës “Korça” Sami Pojani. (Gazeta “Korça” 12 shkurt 1909).

Letër  nga Simon Shuteriqi

Adhuruesit e gazetës “Korça”, ishin të shumtë. Po sjellim disa prej tyre: “Nuk mundem me të vërtetë me çfaqun plotënisht gazin e ngazëllimin q’i ndjeu zemra ime kur për të parën herë këndova fletën e bukur “Korça”. Nuk më pyetni vallë kush asht shkaku i gjithë këtij gëzimi q’i s’mundem dot me e dëftyemun me gojë. Përgjigja asht mjaft e dobishme. Shqiptarëve domethanë,  mars u dha liria, dëftyen fort bukur q’i kanë nji dëshirë të madhe për diturinë e për mësim. Rrëfyen q’i janë me të vërtetë një komb i veçantë, një komb i squtë me një shpirt e me gjallje, q’i andërron me nat’ e me ditë përparim e mbrodhësi kombëtare, q’i zunë në  fillësimet e shpirtit të tij një mall të shejt për me u përhapun me çfarëdo mënyre gjuha amtare në katër anët të atdheut të dashun të tij, (duke) pasun përpara sysh se kështu vetëm do mundemi të kthehemi së mbari, të mirosemi sikurse mirëvetisht ashtu ene landisht të qytetënohemi, me fjalë të tjera, të arrimë në at shkallë naltësie, në të cilën gjindën sot gjithë komet e qytetënumun. O burrani pra! Mos përtojmë fare! T’i përvishemi punës, sikurse e kërkon koha sot. Të çelim klube në çdo qytet të Shqipërisë, të shtypim ditarë sa mundemi më shumë, të bajmë fletoret e nevojshme për mësim, se kështu vetëm do t’i dëftejmë botës q’i jemi vërtet në jetë, që dumë të rrojmë kombënisht si me thanun. Kështu themi, do t’marrin vesht anmiqtë, q’i me natë e me ditë faqezestë përpiqen të na bajnë vorrin, se neve q’i kemi nderin të quhemi bijt e Skënderbeut, i çelëm sytë, muarrëm vesht se jemi një kom me emën e me za, e se armët e diturisë me arsimin komtar, do t’i kundërshtohemi çdo djallëzie q’i vjen nga ana e atyne. Përpara tre muajsh afër, u çel këtu mësonjëtore nate. Punët q’i po ban janë për të shënumun. Do t’shofësh mbramje për mbramje 60-70 djem të ri, myslimanë e të krishterë, të mështillen në këtë faltore të ditunisë me mall dhe me dëshirë të shpejt në zemër për me mësumun gjuhën amtare at’gjuhë të shejtënueshme, q’i e folën moti Perënditë e Olimbit. Nga mesi i zemrës i lutemi Fuqimadhit, të këtilla mësonjëtore të hapen së shpejti në çdo qytet t’atdheut jonë, me qenë q’i dobia q’i vjen prej këtyne asht shumë e madhe për komin e jonë, i cili sot duhet të lëkundin e të largohet nga errësira, nga padija e shkretë, e cila prish kombe, zvetënon e çkombëson, njerëzinë e dënon me mjerim e padukmënie të tmerrueshme. Simon Suteriqi”. (Gazeta “Korça”, 22 janar 1909)

Letër nga Petro Nini Luarasi

“Fort i ndërçim zoti Direktor i gazetës Korça. U lutem të më dhuroni pak vent në të nderçimen gazetë të Z-s (zotërisë) suaj të çpall dy fjalë vëllazërisht në të dashurit shqiptarë. Me qenë që shumë shqiptarë pandehin se kanë shprehje (të drejtën e shprehjes – shënimi ynë-V.H), duke patur fatin që t’u epetë pak liri për të kënduarë dhe nxënë gjuhën’ e tyre, pa vënë re fjalën e urtë që thotë: “Kush ra poshtë të kujdeset të ngrihetë, dhe kush qendron ngrehetë (në këmbë) të vërë re se mos bjerë”.(Petro Nini Luarasi kërkon që shqiptarët të mos bëhen pre e armiqve të tyre, fal lirisë që u është ofruar, shënimi ynë, V.H). Të tillë shqiptarë janë si shqerat që s’kanë provuar nonjëherë thonjt’ e ujkut, as kanë dëgjuar për lagjet (çarqet) dhe dinakëritë e dhelprës dhe me qenë që shumë Shqiptarë e dëshirojnë përparimin e gjuhës së tyre po e kërkojnë si manushaqe, ta mbjellin të tjerë e ta përgëzojnë ata, pa kur e shohin që fishket ajo manushaqe e bukur, tek duhetë t’i apëmë (japim) krahun e shërimit, ata, pa turp kthejnë sytë mënjanë dhe bëjnë sikur s’e njohinë, andaj për ta, të thjeshtë mëmëdhetarë që kanë shpresë të vdesën si Shqiptarë, u themi që të dini se në fshatrat e Kolonjës një propagandë greke me intriga të hidhura është ngrehur kundër shqiptarisë dhe me (vrik), vërtik e kuxim po përhapet e po dërmon zemrat e Shqiptarëvet, po më shumë të krishterëve të tillë. Në ato fshatra që kanë marrë pjesë Shqiptarija, epet (jepet) pagë në priftrinjtë që të ngatërrojnë fshatarët dhe të priren nga an e grekërvet, dhe në pleqt të fshatit (n’ata më të fortët) e këtyre fshatrave, epet (jepen) dhe me të fitimçime, (pagesa të larta), po të përkrahin anën e grekomanëvet. Veç këtyre armëve (gra dhe snaider) po ngulenë dhëndurë prej Greqie, e po forcojnë qëllimnë e kësaj propagande. Sot nuk do të zë ngoje për qendrat dhe për vetat e kësaj propagande që gjendet në mes të Kolonjës si thëngjill i mbuluar, por dyke ruajtur të gjurmojmë më tepër e më kthjellët paskëtaj, për qëllim të kësaj propagande të armiktë që po çnderon Kolonjën dhe shqiptarët e atjeshën. U lutemi gjithë shqiptarëvet të kthjellët që ta hedhin këtej dy orë gjumë dhe të rrinë zgjuar për fatin e tyre, dhe veçan lutemi, duke patur shpresë se kolonjarët që janë rrëfyer gjer dje mëmëdhetarë të kulluar do të lenë mënjanë zihjet dhe thashethemet, të cilat po trashin dhe forcojnë propagandat e huaja në vatrat e tyre, se gjithnjë, kur zihen macet, bëjnë minjtë dasmë”. (8 Kalmar 1909. P. Raulasi). Gazeta “Korça”, 22 janar 1909)

 

Letër nga Lek Dukagjini

“Zoti drejtonjës! Pas ca letrave që marrim nga Pogradeci (Starova) mësojmë këto: Me qenë që në atë qytet u përgatit çelje e shkollës shqipe, mësonjësi i shkollës greqishte i pyetke çunat (nxënësit): Kush nga juve do të vejë në shkollën shqipe? Dhe çunat që kuxuan e thanë që do të venë, i rrahën. Turp të madh që na dëgjojnë veshët!  Z. dhaskal, me qenë që është shqiptar dhe vëlla i një zoti që është nërmjet të pleqësisë së klubit të Korçës, na vjen keq. I dyti mësonjës i asaj shkolle, i cili është uratë ga Elbasani, Thanasi, i këshillon çunat dyke thënë se po të venë në shqipen do të jenë të mallkuar dhe as të vdekur nuk do t’i varrojë, janë turp t’i shkruajmë, po le t’i shkruaj Perëndia mbi kokë. Nuk kanë turp nga hoxhallarët?!” Nuk shikojnë që shkuan kohët e para? Lekë Dulagjini. (Gazeta “Korça”, 18 shkurt 1909.) (Hoxhallarët ishin në përkrahje të gjuhës shqipe. Gazeta Korcca, pak kohe me vone shkruante: “Gjer mw sot 70 hoxhallarw mwsuan nw klub gjuhen shqipe (wshtw fjala pwr shkronjat shqipe)  dhe shkuan ne fshatrat pwr tw mwsuar djemtw (Gazeta Korcca, 6 mars 1909)

Përgjigjja e gazetës “Korça”

“Dhaskalin e njohim fare mirë, se Mitropoliti i Korçës atë zot nuk e ka dërguar për t’u futur mend djemve, se nuk ka i gjori për veten e tij, po e ka dërguar t’u nxjerrë dhe ato dy fara që kanë dhe t’i mësojë të bëjnë dush në gjol që t’u trashen kokat dhe t’u zënë çmers si kok’ e tij, se i mjeri, po të kishte dy zolota mend, do t’ish si të vëllezërit që janë të ndjerë dhe të nderuar nërmjet vëllazërisë edhe botës, po zotëri e tij me patur atë kokë do të zërë cironka në atë gjol të Pogradecit do bjerë dhe do fundosnjë e do gjenjë “tin megali idhean” e grekëvet. Sa për priftin, s’mund të themi gjë, që kur veshi atë rrobë do t’i qelbet firoma. Po me qenë që erdhi kjo kohë, më s’u kanë duk profkat”. (Gazeta “Korça”, 18 shkurt 1909).

Letër e dardharëve nga Amerika

“Zoti Dreqtonjës! Pas ca letrave që marrim nga fshati ynë, Dardha, na shkruajnë se mësonjësi i shkollës elenishte, z. Ligor Sulioti u thotë nxënësve të tij: “Tu alvanizman i psora maqedhonas dhen mulini uti apomakrini apo ton elenizmas!” (Zgjebja e shqiptarizmit nuk fëlliq maqidhonët, as që i largon ngaj elenizma), edhe shumë poshtërime të tjera, po më së fundi vë djemtë të thërresën zitooo o elenizmos, kato masono arvanites. Përveç mësonjësit (mësonjësve) janë edhe dy të poshtër që përzihen në të këtilla mejtime, dyke marrë rogë nga ark’e të qelburve andarë, të cilët janë Thoma Kjano dhe Andon Daku me shokë të tjerë. O qirios dhaskalos, me këta faqezinjtë së bashku, trembin fshatin dyke thënë se ay që kërkon të këndojë shqip ose që i thotë vetes së tij shqiptar, pa dyshim do ta vrasim!! Kur qenka kështu, atëherej çfarë konstitucioni paska në vend tenë?!” (Gazeta “Korça” 6 mars 1909)

Gazeta përparon, kërkohen korrespondentë

“Shtypshkronja e Korçës u pasurua me çdo lloj shkronja. Që sot pra, marrim përsipër të bëjmë çdo porosi që na jepet në çdo gjuhë që të jetë shkrojtur. Shtypim zëdhënie, kart-vizita, pliko dhe kartë tregtije me çdo firmë, polca, fletë shqip dhe të përkohshme, libra, ftime (ftesa) për dasmë dhe çdo gjë tjetër që të na jepet. Provoni të gjithë shkronjat tona, të rejat. Punojmë me çmime të njerëzijta. Në qoftë se e provoni njëherë punën tonë, jemi të siguruar (të sigurtë) se do të na nderoni përhera me porositë e z. suaj. Mahmud Pojanisss”. (Gazeta “Korça”, e enjte 22 vjesht e II-të 1909).Simotra t’onë “Korça” doli në dritë prej shtypshkronjës së saj. E urojmë nga zemra: përparim e jetë të gjatë!” (“Lidhja ortodokse”, e premte, 2 vjesht’ e II-të 1909). Kërkohen korrespondentë. Secili zot që mund të marrë barrën të na lajmërojë ngjarjet e Elbasanit, Shkodrës, Durrësit, Vlorës, Argjirokastrës, Stambollit, Monastirit edhe Janinës, i lutemi të na shkruajë për së shpejti, që të merremi vesh shkoqitur. Nga direqsi e “Korçës”. (Gazeta “Korça”, 21 vjesht’ e parë 1909).  Ndërkohë Sami Pojani ishte edhe mesues i gjuhës shqipe në gjimnazin turk: “Mësonjës për gjuhën shqipe në shkollën gjimnasto të Korçës u zgjodh direqtori i gazetës z. Sami Pojani”. (Gazeta “Korça” 1 vjesht e II-të 1909).

 Letër nga Stambolli, prej Belkis, bijë e Mahmud pashë Elbasanit

“Zot’ i nderçmi Direqtor. Një yll, një shkëlqezë e zjarrtë që del prej artikulave të flakta plot me fjalë të nxehta e të ambla që ka gazeta e Juej, e cila shtypet në një qytet të zgjuar të mëmëdheut tonë javë për javë, po na nderon, po na freskon, edhe tregon detyrat e udhët tona kombëtare, si çashtjen e shqiptarizmit, randësinë e kombit, – për shkurt, – gjithë gjendësinë tonë e nevojat që ka kombi jonë, i mësojmë me anë të kësaj gazete. T’u-njatë jeta o moj fletë Korçe, o engjëll i bukur i gjuhës sonë. Jetoftë edhe punoftë gjithmonë! Sa më dridhet zemra e ime, qysh më tundet mendja e ime në këtë çast, dyke kujtumun shkretësin’ dhe varfënin’ e kombit t’onë! Gjer kur vallë o Perëndi, gjer kur na shqiptarët do të mbesim në këtë errësinë të tmerrueshme? Ky fat i keq e ky mallkim i randë gjer kur do të zgjatet? Vrasja e kombeve të tjera që janë shtye në vend t’onë edhe fikja e padijës. Këqyr o Zot sa keq po na dëmtojnë! Një komb kaq i vjetër e kaq i urtë të jetë sot kaq poshtë!… Të shkelet, të vritet e të copëtohet pa shkak!… Bota të lulëzohet e na të mbesim shkretë… Ah, o Zot, mjaft! Mjaft se shqiptarët si kanë vue (vuajtur) gjer tash për njerëzinë e shumë vendeve edhe mbas tashit (pas kësaj)  kanë për të vumun (vuajtur). (Pas këtyre fjalëve, gazeta është e dëmtuar dhe nuk lexohet. Vijojmë më poshtë): Ah, të mjerët na, që ende jemi në gjumë, që edhe ma s’i kemi kuptumun nevojat t’ona kombëtare! Më një anë padija, më tjetër anë vorfnia edhe shkretnija, këto tri sende që s’mund ta lanë kurrë një komb të punojë e të jetë i lirë, qysh mund një komb të përparojë? E dimë mirë të gjithë na, se sot të tanë kombet janë në një luftë të madhe e të pasosme; po hutat (pushkët) e kësaj lufte s’janë arma, plumbi edhe hekuri, po asht penda, mendja edhe puna, apo kroni i këtyre veglave asht mësonjëtorja. Po prapë them se për fat të keq shumë shqiptarë s’e kanë kuptumun kët’nevojë kaq të madhe! Mësonjëtore pas shekullit të njëzetë nuk kemi kërkund. Udha të hekurta i shkojnë afër vendit t’onë, por për së largut. Kur këto dy vegla të qytetërimit na mungojnë, kur do të shofim përparim e mirësi në vend t’onë, kur do t’i shofim geg e tosk janë bashkumun në një mendje e zemër e të punojnë, vrapojnë e mundohen për mëmëdhe? Kur do t’i shofim katundarët me buzë të qeshur dhe me ballë të pakujdesun? Kombi shqiptar këtë mirësi për tashti e pret prej zotnive që janë të zgjumun, që kanë ndjenja kombëtare; edhe padyshim mbasi e kanë hap këtë udhë të shenjtë, kemi për të vajtur përpara, se bashkë me ata do të jenë ndihmëtare edhe femnat, me një fjalë gjithë shqiptarët, i kini mbarë jush. Belkis, e bij’ e Mahmud Pash’ Elbasanit”. Stamboll, 21 vjesht II-të 1909”.  (Gazeta “Korça” e enjte, 29 vjesht e II-të 1909).

 Përgjigjja e gazetës “Korça”

“Korça – Këtë letër të vjejtur (të vlerë) shtyllat e gazetës sonë e pritnë me gaz të madh sepse kjo zonjë kurdoherë ka hequr psherëtimet për të mjerin, kombin e saj. Kjo zonjë është (ajo) që protestoi ca kohë, përpara kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Brendshme… për shkrimet e ashpra që kish botuar fleta “Tanin” për shqiptarët. I lutemi zotit që zonja të tilla t’ia falë atdheut tonë që të mundnjë të shohë pikën e dritës”. (Gazeta “Korça” 29, vjesht’ e II-të 1909). 

Ndihma për gazetën “Korça”

“Shahin bej Kolonja (deputet) 93 grosh, Musa bej Goça 50, Qemal bej Frashëri 50, Rifat bej 30, Eshref bej 50, Nexhat efendi Gjinokastra 50, Dr Mishe Rupishti (deputet) 113,  Koço Pazali 25, Qemal bej Leskoviku 50,  Abaz Zihni Kanina 50. (Gazeta “Korça”, 12 shkurt 1909). Abedin (Bilisht) 5 grosh, Emin Arsllan (Bilisht) 5, Ibrahim Qesaraka 10, Salih Butka Kolonjë 10, Vangjel Qati (Janinë) 10, Sami Vrioni (Fier) 10, Teufik Çelo Leskoviq 10, Shoqëria “Bashkimi” Kolonjë 10, Ahmet Dakli Elbasan 10, Shaban Plasa (Korçë) 10, Vëllazaria Cico Korçë 10, Vëllazëria Çipi Korçë 10, Kosta Leksi Fundo Korçë 10, Behlul (Korçë) 10, Osman Babani  Bilisht 10, Dionis V.Pepo Amerikë 1.20,  Sotir D. Hoçisht 26.20, Xhafer Zejnel Bilisht 10, Fehim Babani Bilisht 5, Velishah Bilisht 5. (Gazeta “Korça”, e enjte 22 vjesht e II-të 1909). Ymer Pasha Vrioni (Fer) 10 grosh, Gabil Pasha Vrioni (Fier) 10, Abdurrahman (Serfixe) 10, Hasan (Alasonjë) 10, Salih Hilmi (Ysqyp) 10, Vasil M. Andoni (Elbasan) 10, Klubi “Bashkimi” (Janinë) 5, Klubi “Bashkimi” Delvinë 10, Klubi “Bashkimi” (Meçovë) 10, Aqif Pasha Elbasani (Jevixe) 10, Tashko Tasi Ilo (Rumani) 7, Vëllazëria Gërmenji (Monastir) 10, Abdi bej (Tiranë) 10, Adham Shkaba (Monastir) 10, Shefqet bej (Elbasan) 10, Dhimitri Mole (Filibe) 46.20, Sadik Gjinokastra (Janinë) 5, Refik bej Toptani (Tiranë) 10, Rexhep libohova (Alasonjë) 10, Ali Fasli Gjinokastra (Monastir) 5, Mehmet Sadi (Prevezë) 5, Hasan ef. Binbashi (Dramë) 5, Arslan Korça (Dramë) 5”. (Gazeta “Korça”, 29 vjesht’ e II-të 1909.)

Nesër do të lexoni:

-“Korça” financohej nga lexuesit, gjeni emrat e gjyshërve tuaj

– Letër nga Tirana, prej një vajze nga Çerdhja e Petritit

Si u zhvillua më 14 shkurt 1910, në qytetin e Korçës një miting i madh për shkronjat shqip

-Vdekja e Sami Pojanit, drejtor i gazetës “Korça”, “Banda e Lirisë” 1 javë zi

– Le të qajnë edhe kundërshtarët e armiqtë një burrë trim dhe kalorës!