Anëtarësime e PS / Blendi Klosi: Edhe më të fortë për Shqipërinë 2030, Balluku: Dyert e PS mbeten të hapura për të gjithë qytetarët

20
Sigal

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste njëherësh drejtuesi politik i socialistëve në qarkun e Vlorës Blendi Klosi ndau kartat e aderimit ndaj anëtarëve të rinj të Partisë Socialiste që gjenden mes organizatave të kësaj partie në qytetin bregdetar. Prej disa ditësh në kuadër të asaj që socialistët e quajnë rienergjizimi i PS kanë filluar një fushatë të anëtarësimeve të reja në gjithë Shqipërinë. Të dielën ndërsa ndodhej në Vlorë, Blendi Klosi tha: “Në Vlorë me organizatat socialiste në kuadër të procesit të rienergjizimit të Partisë Socialiste, ku edhe vijuam me anëtarësimet e reja në familjen tonë politike. Partia Socialiste është forca e shumicës, e cila sot kërkon të bëhet çdo ditë e më shumë forca e kujtdo. Partia Socialiste ka nevojë për secilin dhe secilën prej jush, sepse Shqipëria ka nevojë për të gjithë ne, në një Parti Socialiste edhe më të madhe, edhe më mirë, edhe më të fortë për Shqipërinë 2030” – tha Blendi Klosi.

E ndodhur në qarkun e Dibrës, Zëvendëskryeministrja njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku ndau kartat e reja të anëtarësisë për anëtarët e rinj që i janë shtuar Partisë Socialiste në qytetin e Klosit. Ministrja Belinda Balluku që ka përgjegjësinë e këtij qarku për PS, tha se dyert e Partisë Socialiste janë të hapura për të gjithë duke i bërë kështu ftesë të gjithëve për t’ju bashkuar kësaj force. Ajo vlerësoi numrin e lartë të anëtarësimeve që ka Klosi. “Klosi mban rekordin në qarkun e Dibrës për numrin e anëtarëve të rinj që i janë bashkuar Partisë Socialiste në pak javë. Tashmë të pajisur edhe me kartën e anëtarësimit. Do të jemi akoma edhe më shumë në ditët në vijim. Dyert e familjes tonë politike janë të hapura për të gjithë.” – tha Belinda Balluku.