Kthimi i Pronave, Qato: Procesi të mbyllet, vonesat rrisin faturën!

    362
    Sigal

    TIRANE – Procesi i kompensimit të pronave për ish-pronarët duhet të përmbyllet në një kohë sa më të shpejtë pasi në të kundërt fatura e kompensimit për shtetin shqiptar do të rritet sërish ndikuar kjo dhe nga vendimet e gjykatës së Strasburgut. 

    Ishte ky qëndrimi i Drejtores së Agjensisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Sonila Qato gjatë tryezës për reformën ligjore dhe institucionale të AKKP-s zhvilluar në Ministrinë e Drejtësisë.

    “AKPP nuk mund të niste asnjë punë pa ndryshuar situatën që gjetëm në këtë institucion, ku situata ishte alarmante. Bashkë me qeverinë morëm përsipër një plan-veprimi, që është paraqitur në Komitetin e Ministrave të Këshillin e Europës. Kemi nisur punën për krijimin e hartave të para dixhitale dhe kemi përfunduar punën për projektin-pilot të Vlorës, që duam ta shtrijmë në të gjithë Shqipërinë. Duam gjithashtu të krijojmë një hartë dixhitale të të gjitha vendimeve të marra këto 23 vite në lidhje me pronën. Me këtë reformë duam të ndryshojmë institucionin, ku informacioni ka qenë i paharmonizuar me institucionet e tjera, si dhe të krijojmë lehtësira ndaj qytetarëve, që atyre t’u njihet prona dhe ta gëzojnë atë.” tha Qato

    Në tryezën me eskpertë të fushës dhe përfaqësues të institucioneve të cilët ndërlidhen me procesin e kompnesimit të pronave, kreu i Agjensisë së Legalizimeve Artan Lame deklaroi se veprimi me zona në tërësi do të ndikonte pozitivisht qoftë për legalizimet qoftë dhe për kompensimin e ish-pronarëve.

    “Ky është një proces zinxhir dhe ka nevojë për angazhimin e të gjitha institucioneve, sepse secili ka rolin e vet. Në ndryshimet që iu bënë ligjit për legalizimin e pronave dhe ndryshimet për skemën e kompensimit të ish- pronarëve kanë sjellë disa përmirësime thelbësore, pasi ligji i vjetër u kishte dhënë mundësi ish- pronarëve që të kompensoheshin, por implementimi i ligjit ishte i pamundur dhe jo operativ. Ndryshimet e bëra krijuan mundësinë që ky ligj tashmë të funksionojë. Ky ka qenë një hap në lehtësimin e situatës së pronave, pasi prej mëse dhjetë vjetësh ka patur nevojë për ndryshime të vogla ligjore. Do të vazhdojmë në drejtim të trajtimit të çështjes së ish- pronarëve dhe kemi këmbëngulur që të bëhet legalizimi fillimisht dhe kryesisht në zonat informale dhe më pas, në zonat e shpërndara” tha Lame

    Një tjetër shqetësim ngritur nga përfaqësuesit e kompensimit të pronave ishte dhe fakti se prej dy dekadash shumica e vendimeve të komisioneve të kompensimit të pronave nuk janë regjistruar në hipotekë çka përbën një problem për mbivendosjet e pronave.