Kryeministri Rama: Reformën në Drejtësi e kam projektuar para 2013-it, lobova me SHBA dhe BE

393
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Pardje, në një intervistë televizive, kryeministri Rama pohoi se Reformën në Drejtësi e ka projektuar që para 2013-s, që kur ishte PS-ja në opozitë dhe për ta zbatuar këtë projekt të vetën, kryeministri Rama pohoi gjithashtu parmbrëmë, se ka lobuar fuqishëm edhe me SHBA dhe BE.  Kryeministri Rama, deri tani kishte deklaruar dhjetëra herë, se Reforma në Drejtësi, u kërkua nga SHBA dhe BE për të bërë katharsin në Drejtësi dhe në Gjyqësor. Madje, SHBA dhe BE kanë financuar me qindra milionë euro këtë projekt, që nga hartimi, duke ardhur edhe ekspertë të huaj, sikurse EURALIUS, por edhe Fondacioni i Xhorxh Soros në SHBA. Mirëpo, pohimi i pardjeshëm i kryeministrit Rama, se Reformën në Drejtësi e kishte projektuar që para 2013, kur ishte në opozitë, dëshmon, se kryeministri Rama kishte projektuar kapjen e Drejtësisë, duke përdorur, pasandaj, pasi erdhi në pushtet, edhe SHBA dhe BE, për të dhënë alibi qëllimeve politike.

Tashmë, pas 4 viteve nga miratimi me 139 vota nga Parlamenti i Reformës në Drejtësi, kështu siç po zbatohet Reforma në Drejtësi, kemi vetëm pasoja jo vetëm për Drejtësinë, Gjyqësorin, por Reforma në Drejtësi, projekti i Edi Ramës që para 2013-s ka shkatërruar rendin kushtetues në Shqipëri, pasi  ka 3 vite që është shkatërruar Gjykata Kushtetuese, nuk ka Gjykatë të Lartë, Vetingu po denoncohet çdo ditë, që jep vendime politike në “katharsin” që bën ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, në krye të institucioneve të reja të Drejtësisë dhe Gjyqësorit, po emërohen të përzgjedhurit e kryeministrit Rama, sikurse kreu i KLP-së, që ishte madje edhe një ndër hartuesit e Reformës në Drejtësi, po kështu edhe kreu i SPAK, edhe kreu i KED-it, i cili ende është anëtari i vetëm i Gjykatës së Lartë, edhe pse ka 5 vjet që i është mbaruar mandati kushtetues si anëtar i Gjykatës së Lartë.

Por, Kuvendi, me miratimin e pardjeshëm të ligjeve, për Betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe SPAK dëshmoi, se kryeministri Rama po shkatërron edhe këtë Reformë në Drejtësi që miratoi vetë, që para 2013, derisa kjo reformë nuk i dha të gjitha rezultatet e dëshiruara. Pra, me ligje të miratuara pas Reformës në Drejtësi,  që ndryshojnë edhe Kushtetutën dhe rrëzojnë  edhe vetë ligjet e Reformës në Drejtësi, kryeministri Rama, kërkon që kontrollojë 100 % të gjitha institucionet. Kështu, me ligjin e pardjeshëm që miratoi Kuvendi, rrëzohet edhe Kushtetuta e Republikës, derisa betimi i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe SPAK mund të bëhet edhe tek noteri, duke shpërfilluar dhe anashkaluar Presidentin e Republikës.

Av. Altin Goxhaj denoncon: Rama pohon vetë: Reforma në Drejtësi ishe projekt i tij, jo i ndërkombëtarëve!

Aktivisti i Shoqërisë Civile Av. Altin Goxhaj, pas pohimit të kryeministrit Rama, se Reformën në Drejtësi e kishte projektuar që para 2013  dhe pastaj loboi me SHBA dhe BE për ta zbatuar, ka shpërndarë një video, ku me zë kryeministri Rama pohon se Reforma në Drejtësi është projekt I SHBA dhe BE për të bërë katharsin në Drejtësi. Ja pohimi I Av. Altin Goxhaj: Sapo e pohoi vetë nga nervat: Reforma në Drejtësi nuk ishte projekt as i BE as i SHBA! E paska planifikuar vetë Edi Rama para Zgjedhjeve 2013 dhe ishte po ai vetë që loboi në SHBA dhe BE,  ku siç e theksoi vetë gjeti rezistencë! Tani qartësohet edhe për ju se kush e shpiku dhe pse Reformën në Drejtësi që u miratua nga Opozita me 139 vota siç i premtoi Basha Sorosit në 5 Dhjetor 2014 në PD (në dokumentat e zbuluara të Sorosit nga Ëikileaks – DC LEAKS në Gusht 2016 thuhet se ideja dhe lobimii pranë USA dhe BE u bënë nga Soros). Në fakt ky është Lajmi sot: Rama pranon se Reforma në Drejtësi ishte plani i tij dhe jo i ndërkombëtarëve.