Çështja e Detit në Hagë/ Zbardhen diskutimet Xhaçka –Dendias. Flasin Meçollari dhe Agron Alibali: Nga dakortësitë e 2018 tek tribunali i Hamburgut

213
Sigal

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Athinë ku u takua me homologun e saj Nikos Dendias. Xhaçka ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social facebook ku shkruan se në takim patën një diskutim konstruktiv për të gjitha aspektet e marrëdhënieve Shqipëri-Greqi. Ministrja tha se u diskutua ligji i luftës dhe dërgimi i çështjes për detin në Hagë. “Kënaqësi të takoja homologun tim Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias. Patëm një diskutim konstruktiv për të gjitha aspektet e marrëdhënieve tona Shqipëri -Greqi. Mirënjohje Ministrit Dendias për rolin e tij në thellimin dhe zgjerimin e partneritetit midis dy vendeve tona dhe mbështetjen për integrimin e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në BE. Ndamë të njëjtin vizion dhe dëshirë për të ardhmen e marrëdhënieve tona dhe të rajonit në tërësi dhe jemi të përkushtuar të punojmë ngushtë së bashku në gjetjen e mënyrave të reja për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive për të mirën e popullit tonë dhe të rajonit.”

Juristi Alibali: Zgjidhja ideale për çështjen e detit me Greqinë, tribunali i Hamburgut

Juristi Agron Alibali thotë se zgjidhjen ideale për çështjen e detit me Greqinë, mund ta japë tribunali i Hamburgut. Alibali u shpreh se tribunali i UNCLOS në Hamburg ka ndërtuar një përvojë shumë të mirë në trajtimin e këtyre rasteve. Sipas tij, në kohë krize, ky tribunal ofron edhe mundësi financiare për shtetet që të mbulojnë shpenzimet avokatore. “Personalisht, unë do të sugjeroja që të shkosh në tribunalin e së Drejtës Ndërkombëtare të Detit në Hamburg. Ky tribunal, parashikohet nga konventa e të Drejtës Ndërkombëtare të Detit, zgjidhjet e mosmarrëveshjeve parashikohen ose në këtë forum, në tribunalin e UNCLOS në Gjermani ose përmes arbitrazhit në Hagë. Do thoja se tribunali i UNCLOS në Hamburg ka ndërtuar një përvojë shumë të mirë në trajtimin e këtyre rasteve, ka një precedent që e ndihmon dhe mund të zbatohet drejpërdrejt në rastin konkret kur kemi një ishull që i takon një shteti, përballë një shteti kufitar, siç është ishulli i Korfuzit përballë bregdetit shqiptar. Ky tribunali, ka edhe një gjë tjetër shumë pozitive, në një kohë krize, ky tribunal ofron edhe mundësi financiare për shtetet që të mbulojnë shpenzimet avokatore”, -theksoi ai. Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, është pritur sot nga ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias. Vizita e parë e Ministres Xhaçka në Athinë vjen pak kohë pas vizitës së ministrit të Jashtëm Dendias në Tiranë. Gjatë takimit të dy ministrave u disktua për referimin në Gjykatën Ndërkombëtare të drejtësisë të çështjes së kufizimit të zonave detare si edhe për ligjin e luftës.