Komandant i shquar i formacioneve partizane

855
Sigal

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Nga malet e Labërisë e deri në Kosovë e Rrafsh të Dukagjinit

Njëri ndër komandantët më të shquar të formacioneve partizane në LANÇ, Shefqet Peçi, “Hero i Popullit”, u lind në vitin 1903 në fshatin Picar të Kurveleshit. Familja e tij shquhej në histori për tradita atdhetare. Në bëmini u mëkua me ndjenja patriotike, të gjalla dhe tipike për fshatin e lindjes, krahinën e tij, Kurveleshin dhe Labërinë. Në moshë të re, do të shfaqeshin këto vlera ku mori pjesë me armë në dorë në Luftën e Vlorës të vitit 1920 dhe në revolucionin demokratik të Qershorit 1924. Ndjenja dhe aktiviteti e veprimtari përparimtare u shfaqën më të theksuara në regjimin e Zogut, ku do të ndiqej e persekutohej. Ai u zhvesh nga ushtria dhe u arrestua së bashku me shokë të tjerë të idealit, por për mungesë provash, do të lirohej pas muajsh të tërë burgimi. Mori pjesë aktive në prill 1939, në qëndresën e armatosur të popullit shqiptar kundër agresionit fashist Italian kundër vendit tonë. Si veprimtar antifashiste arrestohet dy herë nga pushtuesit fashist italianë. Shefqet Peçi për cilësitë e tij të shquara, si dhe për njohuritë ushtarake që zotëronte, ishte ndër komandantët e parë të formacioneve partizane të Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër (në çeta e batalione) dhe më pas, komandant i Brigadës së Pestë Sulmuese, “Heroinë e Popullit”. Ai do të drejtonte Divizionin e Parë Sulmues, si dhe ishte komandant i shtabit të forcave të UNÇSH për çlirimin e Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit. Në prag të çlirimit të Shqipërisë u emërua dhe komandant i Korparmatës së Tretë. Nga malet e Labërisë e deri në Kosovë e Rrafsh të Dukagjinit, në krye të formacioneve partizane, u shqua për kurajë, trimëri të lartë, aftësi të spikatura drejtuese, organizuese e komanduese dhe u radhitur ndër komandantët më të suksesshëm dhe më autoritar të formacioneve partizane. Ai u shfaq i ashpër me armikun dhe krenar e i drejt ndaj partizanëve dhe popullit, në detyrat luftarake udhëhoqi me shembullin e tij. U tregua i ndjeshëm e njerëzor ndaj halleve të popullit dhe të luftëtarëve të lirisë në rrugën e gjatë të fitores. Me krenarinë e karakterin e çeliktë të labit, por dhe me shpirt poetik, krahas bërxhikut, përdori dhe penën. Ai thuri vargje për natyrën e zakonet e bukura labe, për shoqet e shokët e luftës të rënë në fushat e betejave, për luftëtarët që e donin dhe e respektonin komandantin e tyre. Për komandantin e tyre shkruan dhe të tjerë, por në përmendoren e Luftës u shkruan me germa të arta vargjet e Dritëro të pavdekshëm:

Dhe naganti nuk të ngeci,

Që në Kuç e në Korab,

Ngriti këngë Shefqet Peçi,

Komanadanti ynë lab.

Komandanti në Smokthinë

Rreth datës 14-15 tetor 1943, batalioni “Asim Zeneli” u gjend në krahinën e Vlorës dhe konkretisht në Ramicë. Këtu Shefqet Peçi mori takimin historik me Hysni Kapo, si dhe komandantin e grupit të Vlorës, Abaz Shehun. Ndërsa më 17 tetor 1943, në sektorin e Vlorës, një pjesë e batalionit “Asim Zeneli”, u bashkuar me forcat e grupit të Vlorës, ku hynë menjëherë në luftime dhe shpartalluan forcat tradhtare të përqendruara në krahinën e Mesaplikut. Puna e organizuar nga Shefqet Peçi, në krahinën e Mesaplikut në dhjetor 1943, së bashku me shtabin e Zonës I Operative bëri që të marrë hov Lëvizja. Në zbatim të urdhrit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare për të kaluar nga njësi të vogla, në njësi ushtarake më të mëdha dhe më të organizuara, ishte vendosur që në qarkun e Vlorës të formohej Brigada V Sulmuese (Br. V S). Ishte njoftuar se Shefqet Peçi do të bënte pjesë në komandën e kësaj brigade. Prandaj, nga mesi i muajit dhjetor 1943, ai u gjend në krahinën e Mesaplikut, ku do të formohej brigada. Nga fillimi i muajit dhjetor, forcat e Br. I S dhe forcat e Grupit të Vlorës, së bashku me forcat e tjera territoriale, të udhëhequra nga Hysni Kapo e, që më vonë do të shkriheshin në Br. V S ishin përfshirë në luftime të përgjakshme kundër gjermanëve, të cilët kishin filluar një operacion të gjerë në krahinën e Mesaplikut. Në bashkëpunim me shtabit të Zonës I Operative, Shefqet Peçi ishte nisur për në Ramicë. Kur mbërriti në Bolenë më 16 dhjetor 1943, aty gjendej Br. I S, e cila po luftonte pa ndërprerje. Lufta vazhdonte pareshtur. Armiku, duke parë se lufta partizane ishte e qëndrueshme dhe këmbëngulëse, u detyrua të sillte forca të reja, duke përfshirë edhe ballistë e xhandarë dhe kërkonte me çdo kusht rrethimin e forcave partizane, që luftonin në Mesaplik. Meqenëse forcat e grupit të Vlorës ishin përfshirë në luftime dhe armiku kërkonte t’u merrte krahët nga ana e Borshit dhe e Pilurit, dhe batalioni “Asim Zeneli” ishte me luftime në Rrëzomë, me porosi të shtabit të Zonës I Operative, ai u rikthye menjëherë në krahinë. Më 27 dhjetor 1943, Shefqet Peçi kthehet përsëri në Br. V S, e cila do të formohej me forcat e Grupit të Vlorës dhe të batalionit “Halim Xhelo”. Shefqet Peçi u nis nga Fushë-Bardha me drejtim Kaparjel, Golem, Gusmar, Nivicë, Vërmik, Ramicë. Mbasi u përshëndet me partizanët kërkoi Hysni Kapo e Manush Myftiu. Shefqet Peçi do të shkruante se njeriu që takova m’u përgjigj: Hysni është në front, në Gumenicë, ku luftimet vazhdojnë. Armiku po tërhiqet i shpartalluar, dhe ka pasur humbje të rënda. Kurse Manushi jam unë. U përshëndet me Manush, të cilin nuk e njihte, ai i foli mbi gjendjen e armikut dhe të forcave partizane, të cilat, megjithëse kishin shumë kohë në luftime dhe shumë herë të pangrënë dhe të zbathur, kishin një moral të lartë. Përpjekjet e gjermanëve në këtë operacion thuajse kishin dështuar plotësisht.

Jo vetëm spastrimin e zonës nga partizanët, siç kërkonin ata nuk e arritën, por në të kundërtën, ata humbën mjaft njerëz, ndërsa forcat partizane dolën me dëme fare të pakta. Ky ishte një sukses i madh për forcat partizane. Në janarin e 1944-ës, mbas këtij operacioni u formua Br. V S, përveç kësaj radhët e partizanëve u shtuan me batalione e brigada të tjera. Ky shtim i numrit të partizanëve dhe formimi i Br. V S menjëherë pas operacionit, tregon punën e madhe të Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar në popull dhe vendosmërinë e tij për të çliruar vendin. Forcat partizane me një kundërsulm të rrufeshëm dhe të përgatitur mirë, e riçliruan përsëri gjithë krahinën e Mesaplikut, gjer në Gumenicë, Mavrovë e Kotë. Shefqet Peçi së bashku me Hysniun filluam menjëherë nga organizimi i brigadës. Aty u njoh me luftëtarët e Br. V S, që shumë prej luftëtarëve ishin nga Ramica, Smokthina e Mesapliku, të cilët i dhanë nder e lavdi emrit të partizan. Të tillë ishin luftëtarët dhe kuadrot Veiz Pipa, Mevlan Dervishaj, Dane Mehmeti, Moisi Elezi, Bako Dervishaj, Gilo Lame, etj. Ndaj dhe Shefqet Peçi do t’i këndonte Mesaplikut.

Mesapliku në luginë, male të larta karshi

Vend i bukur prej natyre për tyja kam dashuri,

Të kam përherë në zemër, sikur kam lindur aty

 S’e harroj luftën tënde, që bëre me Gjermani…

Shefqet Peçi tashmë e kishte vendosur shtabin e tij në Ramicë. Komisari Hysni Kapo shkonte sa në një batalion në një tjetër për të mbajtur ndezur zjarret e moralit partizan. Komisarë batalionesh e kompanish si Reiz Malile, Zaho Koka e Todo Manço, Nuri Arapi e Filat Muço, Halim Ramohito e Berdo Asllani, Zenel Hamiti e Jonuz Mersini, Elmaz Teme e Kiço Gjikopulli, Nuri Çakërri e Hajro Çakërri, të gjithë pa përjashtim organizonin në terrene të vështira dhe në kushtet e borës dhe të tufanit konferenca qëndrese.

Rënia heroike u kthye në legjendë

Në Shqipërinë e çliruar Shefqet Peçi do të kryente detyra nga më të ndryshmet. Fillimisht në radhët e Ushtrisë Kombëtare, pastaj si anëtar i qeverisë, nënkryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe në fund Kryetar i Komitetit të veteranëve të LANÇ të popullit shqiptar. Si ushtarak i shquar, për merita udhëheqjeje në luftë e në paqe, gradohet në vitin 1949 gjeneralmajor. Duke vlerësuar kontributin e tij në luftë për çlirimin dhe ndërtimin e Shqipërisë, Presidiumi i Kuvendit Popullor e ka dekoruar me shumë urdhra e medalje dhe më 29 qershor 1966 i jep titullin më të lartë të Republikës “Hero i Popullit”.

Karakterin e tij burrëror nuk e uli as pleqëria. Në moshën 90 vjeçare, i sëmurë, arrestohet nga shteti “demokratik” si luftëtar dhe komandant i formacioneve partizane gjatë LANÇ-it. Ky hero, gjatë jetës së tij, jo vetëm njohu burgjet e fashizmit, por në ndërrimin e sistemit, njohu edhe burgjet e Berishës, prandaj populli i ka thurur vargjet:

O trimi që s’u përkule,

nga burgjet dhe nga qelitë,

Shefqet Peçi e njohën populli gjithë….

Gjakut të derdhur për liri, Shefqet Peçi i kushtoi tërë jetën, ndaj në burg, pa armë luftarake, luftoi dhe fitoi. Armë ju bë greva e urisë. Më 22 tetor 1995 heroi ra si heroi. Luftëtari në çdo kohë i gjen armët. Rënia heroike u kthye në legjendë. Kështu Shefqet Peçi e nisi me heroizëm dhe e përfundoi po me heroizëm, lavdia shkoi te lavdia.