Kol Nikollaj: Specialistët e pyjeve, zëvendësohen me druvarë

    615
    Sigal

    Flet Kol Nikollaj, kreu i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë: Ju tregoj veprimet e paligjshme të Ministrisë së Mjedisit

    KSSH shpreh shqetësimin e saj për largimet e pamotivuara nga puna të punonjësve të kualifikuar në Ministrinë e Mjedisit. “Ministria e Mjedisit këto ditë në mënyrë krejt antiligjore gjoja në emër të “reformimit strukturor” të Agjencive Rajonale të Mjedisit dhe të Drejtorive Rajonale të Shërbimit Pyjor ka pushuar nga puna me dhjetëra e qindra punonjës vetëm nëpërmjet një urdhri të ministrit i cili mban datën 21.02.2014 pa asnjë referencë ligjore, pa asnjë mbështetje ligjore, qoftë në Kodin e Punës, qoftë në Kontratën Kolektive, etj., pavarësisht se urdhri punonjësve u ka shkuar në dorë më datën 01 dhe 02.04.2014. Njëkohësisht në kuadër të këtij reformimi janë rekrutuar punonjës të tjerë nga jashtë sistemit, pa arsimin e formimin e duhur profesional dhe pa kapacitetet e nevojshme për të punuar në sektorin e ambientit dhe të pyjeve, sektorë këto mjaft problematik gjatë gjithë viteve të tranzicionit. Marrja e tyre në punë, pavarësisht se është kryer pas datës 01.04.2014 në dokumentet e pranimit në punë u shënohet data 21.02.2014” shprehet kreu i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, z. Kol Nikollaj në një intervistë për “Telegraf”.

     Si qëndron problemi i largimit nga puna të punonjësve të Shërbimit Pyjor, pasi ju këto ditë keni qenë aktiv në mbrojtje të tyre?

     Këto ditë, jo vetëm opinioni sindikalist, por i gjithë opinioni shoqëror u njoh me ristrukturimin që Ministria e Mjedisit ndërmori në Agjencitë Rajonale të Mjedisit dhe në Drejtoritë Rajonale  të Shërbimit Pyjor. Duam të theksojmë se, jo vetëm Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë që ka qenë aleate historike dhe bashkëpunëtore në hartimin dhe sot aktore e zbatimit të planit të Rilindjes së Qeverisë së majtë;  por të gjithë sindikatat reale në Shqipëri që i kanë mbështetur reformat  e ristrukturimit  ekonomik dhe ato të burimeve njerëzore, si një faktor i domosdoshëm për të kapërcyer situatën e vështirë në të cilën qeverisja e PD-së e dorëzoi pushtetin më 23 qershor 2013. Çdo reformë, dihet që ka dhimbje, sigurisht, lë edhe pasoja por, kur reformat kryhen të strukturuara dhe të mbështetur në legjislacion dhe të konsultuara me partnerët socialë, në rastin konkret sindikatat, pasojat minimizohen dhe opinioni ndërgjegjësohet për të kapërcyer me sa më pak dhimbje këto reforma. Ristrukturimi që Ministria e Mjedisit bëri këto ditë është unikal në llojin e tij dhe pa asnjë referencë ligjore apo konsultim me partnerët, me punëtorë apo me struktura të tjera politike të bëra ato publike.

     Konkretisht, si ka vepruar Ministria e Mjedisit për të kryer procedurat ligjore të largimeve apo marrjeve në punë?

     Ministri i Mjedisit me një Urdhër të datës 21.02.2014, i cili në Drejtoritë Rajonale të Shërbimit Pyjor ka shkuar më datë 1 apo 2 .04.2014; komunikon “lirimin” në mënyrë nominale të rreth 1000 punonjësve në varësi të kësaj ministrie dhe urdhra të tillë edhe në kohën e luftës diskutoheshin, pastaj zbatoheshin, ndërsa sot, në paqe dhe me 24 vjet demokraci, këto nuk quhen “urdhra për lirim punonjësish”, por quhen “vendime për efekt ristrukturimi”, apo në“ zbatim të miratimit të strukturave të organikës” të miratuar nga qeveria, quhen “shkresa dhe njoftime për ndërprerje të marrëdhënieve të punës”. Dhe të gjitha këto,  pavarësisht se rrjedhin nga Pika 4 e Nenit 102 të Kushtetutës së Republikës, kanë për referencë Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë, ku marrëdhëniet e punës ndërtohen mbi Kontratën Kolektive apo Kodin e Punës si dhe Ligjin për Shërbimin Civil, i cili, duke filluar nga 1 tetori i vitit 2013, përfshin edhe Drejtoritë e Shërbimit Pyjor Rajonal. Ministri, në mënyrë të qëllimshme, apo duke abuzuar me handikapin ligjor  të Vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin e Shërbimit Civil, i referohet  vetëm Kodit të Punës në tërësi, pa përmendur asnjë nen të tij dhe në mënyrë të qëllimshme ai harron Kontratën Kolektive të Punës, e cila është e nënshkruar më datën 13.09.2012 që dhe sot është në fuqi.

     A keni të dhëna ekzakte sa veta janë pushuar nga puna dhe sa të tjerë janë marrë në punë?

     Nga të dhënat tona operative, të cilat nuk janë të sakta në mënyrë shkresore, por të nisur nga ankesat apo grup-ankesat që kanë ardhur nga këshillat tona sindikale në të gjitha rrethet e vendit, na rezulton se rreth 400 punonjës nuk janë përfshirë fare në  ristrukturimin e ri, pavarësisht kapaciteteve të tyre profesionale, arsimi i tyre profesional, vjetërsia në punë, pse jo shpesh dhe militantizmi i tyre që shumë prej tyre kanë qenë dhe janë anëtarë apo aktivistë të PS-së. Krahas kësaj, pa asnjë konsultim me sindikatën janë thirrur dhe janë rekrutuar punonjës të rinj, jashtë sistemit të shërbimit pyjor apo atij mjedisor, duke u justifikuar me pretekstin që na duhen “juristë” për njohje ligjshmërie e ku pjesa kryesore e të rekrutuarve vijnë nga radhët e shtabeve elektorale, pa asnjë përvojë në administratën shtetërore dhe shërbimin publik, pa asnjë ditë punë, shpesh të ardhur edhe nga emigracioni apo nga bizneset private, të gjithë këto me influenca nepotike të drejtuesve lokalë, disa nga të cilët edhe me një të kaluar të dyshimtë për figurën e tyre  morale, pavarësisht nga dëshmitë e penalitetit që kanë siguruar.

     A e dëmton mbrojtjen e pyjeve, duke larguar specialistët dhe marrë njerëz pa formimin profesional për pyjet dhe ambientin?

     Megjithëse Kryeministri ka nxjerrë një urdhër me Nr.58, dt 13.02.2014 “Për miratimin e strukturës dhe organikës së Ministrisë së Mjedisit” si dhe një Urdhër tjetër  Nr.53, dt. 13.02.2014 “Për miratimin e strukturës dhe të organikës së Drejtorive të Shërbimit Pyjor dhe të Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare, Durrës”, qëllimi i këtyre urdhrave ka qenë, është e do mbetet për të kryer një reformë strukturore në shërbim të programit qeverisës dhe jo një reformë nepotike dhe me ngarkesa të theksuara militantësh partiakë, të cilët janë të dyshuar në opinion dhe për mënyrën e grumbullimit të votave të tyre në fushatën elektorale. Kjo formë e të vepruari, jo vetëm është antiligjore përsa i përket marrëdhënieve të punës, por, së pari, është në kundërshtim të hapur me programin qeverisës dhe jemi të bindur që do të sjellë një kthim prapa, jo vetëm në sistemin e mbrojtjes apo të mbarëvajtjes e mbarështimit të pyjeve, por edhe atë të mjedisit apo të peshkimit, e cila ka nevojë për mendje të ftohta dhe për njerëz me kapacitete profesionale.

     Ju si sindikata  më aktive në Shqipëri, si do të punoni për ta zgjidhur këtë situatë?

     Përsa më sipër, KSSH ka qenë dhe do të mbetet një avokate besnike e punonjësve, sigurisht dhe një bashkëpunëtore e qeverisë dhe aleate tradicionale e filozofisë së qeverisjes së majtë, por gjithmonë kur qeverisja e majtë kryen realisht reforma në shërbim të punëtorëve dhe i dëgjon ata e i përfshin në vendimmarrje sipas ligjit dhe standardeve ndërkombëtare të punës. Ne e kemi dënuar këtë akt, ashtu siç kemi dënuar edhe akte të tjera në shumë ndërmarrje e kompani publike, ku realisht po punohet jo me profesionalizëm në menaxhimin e burimeve njerëzore. Për shkeljen flagrante të Ministrisë së Mjedisit, ne po kryejmë të gjitha procedurat ligjore që të gjithë punonjësit e larguar padrejtësisht nga sistemi pyjor dhe mjedisor, të kenë të garantuar mbrojtjen ligjore dhe të përfitojnë të gjitha beneficet që garanton Ligji i Punës në Shqipëri, i cili është i përparuar. Me keqardhje konstatojmë që këtu, jo vetëm që punëtorët humbin vendet e punës, por edhe shteti do të humbasë qindra mijëra euro për të paguar për një vend pune dy persona, traditë negative kjo e hershme, por që fatkeqësisht po vazhdon përsëri. Do duhet që Kryeministri Rama të ndërmarrë sanksione për të gjithë ata drejtues shtetëror që thyejnë ligjin në drejtim të marrëdhënieve të punës.

     Po me sindikata të tjera, apo aktorë të tjerë po punoni për ta zgjidhur situatën në favor të punëtorëve?

     Ne, si përfaqësuesit dhe mbrojtësit ligjor të punëtorëve po bashkëpunojmë edhe me Avokatin e Popullit, i cili po përgatit rekomandime të posaçme sipas marrëveshjes që KSSH-ja  ka me Avokatin e Popullit, si dhe nëpërmjet sporteleve tona ligjore po kryhen të gjitha procedurat që këta njerëz të mbrohen falas në Gjykatën Administrative nga ne. Dua të theksoj këtu se në Gjykatën Administrative procedurat kryhen shpejt, por afati i dorëzimit të kërkesë-padive është vetëm 45 ditë nga data e marrjes së njoftimit të Urdhrit  administrativ, prandaj, punonjësit e larguar të mos sorollaten lartë e poshtë nga menaxherët apo sekserët e strukturave të Ministrisë së Mjedisit, duke mos iu dhënë dokumentacionin e duhur apo librezat e plotësuara, sepse kjo ka vetëm një qëllim, që ata të humbasin afatet dhe të mos kenë të drejtë ankimore në Gjykatën Administrative, prandaj ne po punojmë shpejt që të gjithë punonjësit e larguar të paraqesin kërkesë padinë në Gjykatën Administrative, njëkohësisht ne po ndërmarrim iniciativën të bëjmë dhe një padi kolektive kundër Ministrisë së Mjedisit për humbjet që po i sjell jo vetëm punonjësve, por edhe buxhetit të shtetit me pagat që ata do të fitojnë, punë të cilën duhet ta kryej Avokatura e Shtetit. Disa nga sindikatat e tjera, të cilat tashmë siç thotë rëndom publiku kanë dalë nga koma 10-vjeçare, fatkeqësisht po i largohen rrugës së tryezës, debatit, dialogut konstruktiv dhe zgjidhjes ligjore të problemeve dhe po përfitojnë për të rikuperuar imazhin e tyre publik të cenuar, duke organizuar protesta, mitingje më shumë elektorale dhe në mbështetje të interesave politike të PD-së, sesa në favor të zgjidhjes ligjore në favor të punonjësve. KSSH nuk është sindikata që ngatërron vagonat me furgonat, por është një përfaqësuese legjitime e punonjësve shqiptarë, e cila vepron në përmbushje të detyrimeve ligjore, të statutit të saj dhe të vullnetit të punëtorëve.

     Shkurtimisht, cilat janë ligjet dhe nenet e Kodit të Punës, që Ministria e Mjedisit ka shkelur në rastin konkret, të cilat ju vijnë në ndihmë të pushuarve nga puna për t’u ballafaquar në gjykatë?

     Së pari: Nuk është zbatuar kontrata kolektive në fuqi e nënshkruar në dt.13.09.2012, në të cilën, referuar edhe Kodit të Punës, janë parashikuar procedura, e cila ndiqet ne rastet e largimeve kolektive nga puna. Konkretisht, procedura e përcaktuar ne Nenin 148 i Kodit të Punës, nuk është njoftuar Ministria e Mirëqenies Sociale dhe sindikata për largimin kolektiv nga puna, detyrim që buron nga Neni 148 i Kodit të Punës.

    Së dyti: Largimi nga puna është bërë në shkelje të hapur të Nenit 143 dhe Nenit 155 të Kodit të Punës. Shkelja e Nenit 143 konsiston në faktin se nuk janë respektuar afatet e njoftimit, ashtu siç parashikon kjo dispozitë e Kodit të Punës, ku sipas këtij neni,  meqenëse punonjësit variojnë nga 3 deri në mbi 30 vjet punë në këtë institucion, do duhet të ishin njoftuar, jo më pak se 3 muaj para në përputhje me këtë dispozitë. Njoftim i cili nuk është respektuar në asnjë rast në urdhrin e Ministrit Lefter Koka, që mban datën 21.02.2014. i cili në ndërmarrjet e varësisë ka shkuar në dt. 02.04.2014, duke bërë që të shkelet Neni 143 i Kodit të Punës. Për këtë shkak, bazuar në këtë dispozitë dhe meqenëse nuk ka asnjë arsye që lidhet me shkelje të punonjësve për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës do të duhej të respektohej afati i njoftimit i cituar më sipër.

    Së treti: Gjithashtu,  është shkelur  Neni 144 i Kodit të Punës, që ka të bëjë me procedurën e largimit nga puna duke mos u bërë asnjë tentativë për t’u zbatuar kjo dispozitë. Konkretisht, punonjësit nuk janë thirrur asnjëherë 72 deri në 48 orë, para largimit për  komunikim të motiveve të largimit nga puna. Duke bërë që të shkelet në mënyrë të hapur Neni 144 i Kodit të Punës.

    Së katërti: Gjithashtu, në largimin e punonjësve nga puna është shkelur në mënyrë të hapur Neni 145 i Kodit të Punës që ka të bëjë me shpërblimet për vjetërsi në punë. Kjo dispozitë detyron shpërblimin e çdo punëmarrësi që largohet, jo për shkaqe të shkeljeve të tij si punëmarrës (shkelje si ato që parashikon neni 153/2/3 Kodit të Punës) dhe që ka mbi 3 vjet punë pa ndërprerje, të shpërblejë këtë të fundit (punëmarrësin) të paktën sa paga e çdo 15- ditshi për çdo vit pune të plotë. Në rastin tonë, meqenëse punonjësit janë larguar për shkaqe që nuk kanë të bëjnë me shkelje të tyre si punëmarrës, duhet ta  përfitojnë këtë shpërblim, i cili jepet në varësi të vjetërsisë në punë që mesatarisht shkon nga 3 deri në 30 vjet punë në sektorin pyjor, kjo shkon nga 2 paga deri në 20 paga që duhet të kishte përfituar secili sipas rastit të vjetërsisë në punë.

    Së pesti: Lejet vjetore apo shpërblime të tjera sipas ligjit të pamarra për 3 vitet e fundit, të cilat shumë nga punonjësit gjatë kohës së verës janë marrë me emergjencat në pyje dhe nuk i kanë kryer.