Jeta, gjëja më e shtrenjtë; vrasja, krimi më i rëndë

    336
    Sigal

    Vendi ynë tashmë është anëtar i NATO-s, morëm statusin për në Bashkimin Europian, e megjithëse jemi në këto kushte, unë një pensionist i moshuar, 80 vjeçar, me shumë shqetësim e hap televizorin për të dëgjuar lajmet e ditës, sepse që në fjalët e para të spikerit dëgjon: “Ka ndodhur kjo vrasje…, ky aksident…, vdiqën kaq dhe u plagosën kaq persona…”. Të gjitha këto që dëgjojmë janë shumë të tmerrshme për fëmijët tanë që rriten, për pleqtë që po plaken e i kanë ditët e numëruara edhe nga vuajtjet prej sëmundjeve të ndryshme, por është e tmerrshme edhe për të gjithë shtetasit, se vrasjet e të gjitha kategorive po marrin jetë njerëzish. Siç janë vrasjet e deputetit të Durrësit, Kryetarit të Komunës së Kukësit, vrasja e katër oficerëve në Durrës, komisarit të Shijakut, e komisarit në Tiranë, si dhe e disa biznesmenëve, deri tek drejtori i bankës më të madhe, i cili u vra mu në mes të Tiranës, të ndjerit Santos. E deri më tani asnjë i dënuar. Shpesh herë po dëgjojmë se janë bërë vrasje për hiç gjë, kot së koti. I riu vrau bashkëmoshatarin e tij vetëm sepse e parakaloi me makinë gjatë udhëtimit. Një tjetër vrau shokun pasi u zunë me fjalë, për shkak se pa dashje i gërvishti një fije makinën etj., etj., pa mbarim. Këta nuk e kuptojnë se fjala e keqe, fjala e rëndë, sharja, të çojnë në vrasje, të turpëron, fjala e keqe të thyen zemrën e të ndan nga njerëzit. Tek këta adoleshentë, të rinj, mungon puna bindëse për të kuptuar se jeta i jepet njeriut një herë dhe vetëm një herë, e s’ ka gjë më të rëndë, s’ ka krim më të madh se sa t’ i marrësh jetën njeriut. Pra vrasja është akti më mizor dhe më tragjik që mund të kryejë njeriu, se njerëzit nuk lindin të këqij e vrasës, por të keqen e përfitojnë gjatë jetës, kur i mungon edukimi në familje, në shkollë e në shoqëri. Duke i parë ngjarjet që po ndodhin çdo ditë e duke ditur se sot të rinjtë e vendit tonë, të influencuar nga tërë rrjeti i informacionit, po shkojnë drejt krimit, e një pjesë e tyre po bëhen kontingjent i krimit, del detyrë e madhe e me shumë rëndësi si nga familja, shoqëria dhe shteti, të bëjnë një punë efektive me njerëzit. Sepse sot familja e ka humbur kontrollin ndaj fëmijës, është e paaftë të edukojë e t’ i kërkojë llogari fëmijës së tij. Shkollat e shoqëria kanë marrë anën e indiferentizmit, duke e humbur rolin e tyre edukativ, mungojnë marrëdhëniet e duhura mësues-prindër- nxënës. Mësuesi në përgjithësi e ka humbur rolin e edukatorit, është kthyer thjesht në një mësimdhënës. Mësuesit duhet të kuptojnë se puna e tyre më shumë se punë është art, sepse ajo lidhet me të ardhmen e shoqërisë. Bota e mësuesit është bota e atyre njerëzve që përpiqen e nuk kursejnë energjitë e pasionin e tyre për të futur tek nxënësit atë që është më e mira dhe më fisnikja. Bëhem i ri kur kujtoj ato kohë nxënësie, me ata mësues tepër të zotë e të disiplinuar në jetën mësimore. Është koha për t’ u bashkuar të gjithë: organet shtetërore, shoqëria civile, shkolla dhe familja, në unitet të plotë për të ndaluar këto ngjarje të rënda, e për t’ u prerë rrugën këtyre shfaqjeve kriminale, e për t’ u dhënë fund këtyre nepërkave gjuhë helmues në momente fatkeqësish të njerëzve. Sepse po bie në sy të të gjithë shqiptarëve, që po tingëllon e pazakontë dhe kriminale politizimi i këtyre ngjarjeve. Të luash politikë mbi arkivolin e fatkeqësitë e tjetrit është sa primitive aq edhe e pazakontë për shqiptarin. Kemi shumë besim me masat e marra nga qeveria kohët e fundit, se krahas vullnetarizmit edhe forcimi i legjislacionit të nevojshëm, do të sjellë përmirësime të konsiderueshme në punën me njerëzit, me shkollat, me universitetet. Duhet të zbatohen ligjet, duke u përsosur rendi e qetësia në vend, që populli t’ i kthehet punës dhe rinia shkollës.

    Pensionisti Sadri Ngjeçi

    Laprakë, Tiranë