Barroso paralajmëron Putinin

436
Sigal

Të paktën 1.500 persona kanë vdekur në konfliktin me separatistëve pro-rusë

 Shefi i BE-së, Jose Manuel Barroso i ka bërë thirrje presidentit rus Vladimir Putin që të mos ndërmarrë aksione ushtarake të njëanshme në lindje të Ukrainës përmes ndonjë preteksti.

Dy liderët zhvilluan një bisedë telefonike teksa Kremlini njoftoi se po punonte me Kryqin e Kuq për të dërguar një autokolonë me ndihma humanitare në rajon. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen ka akuzuar Rusinë se përdor ndihmat humanitare si pretekst për ndërhyrje ushtarake. Ndërkohë, nga Kryqi i Kuq nuk ka ardhur ende një koment. Të paktën 1.500 persona kanë vdekur që kur qeveria e re ukrainase dërgoi trupat e saj për të ndalur rebelimin e separatistëve pro-rusë në Donetsk dhe Luhansk, nga mesi i prillit. Luftimet kanë zhvendosur qindra mijëra persona, shumë prej të cilëve janë larguar për në Rusi. Aktualisht forcat ukrainase kanë rrethuar Donetskun, një qytet me 1 milion banorë, të cilët kanë mbetur pa energji elektrike dhe rezerva ushqimore. Në një deklaratë për shtyp pas bisedës së Putin me presidentin e Komisionit Evropian, Kremlini bëri të ditur: “Në bisedë u njoftua se pala ruse, në bashkëpunim me përfaqësuesit e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, do të dërgojë në Ukrainë një autokolonë ndihmash humanitare”. Rusia ka propozuar krijimin e një korridori ndihme por fuqitë Perëndimore druhen se ai mund të përdoret si pretekst për të sjellë forca ushtarake ruse përtej kufirit.

Arratisen të burgosurit

Pesë bomba të qëlluara nga artileri e rëndë kanë goditur një burg të sigurisë së lartë në Donetsk, në lindje të Ukrainës, duke shkaktuar një trazirë që u ka lejuar 106 të dënuarve të arratisen. Lajmin e bëjnë të ditur autoritetet lokale, sipas të cilave, një i burgosur u vra gjatë përleshjes me gardianët e burgut, pesë të tjerë u plagosën, ndërsa nga oficerët dy mbetën po ashtu të lënduar. Artileria e qeverisë ukrainase ka vënë në shënjestër zonat në rrethinat e qytetit, që kontrollohet nga separatistët pro-rusë. Autoritetet lokale deklaruan se 34 të dënuar janë kapur tashmë dhe janë rikthyer në qeli, ndërkohë që po zhvillohet një aksion masiv policor për kapjen e të tjerëve.

Autoritetet përgjegjëse e cilësojnë situatën si “sfiduese, por menaxhuese” dhe shtojnë se të burgosurit janë dërguar në një strehim tjetër dhe po marrin ndihmë psikologjike. Një zëdhënës, i cituar nga mediat ndërkombëtare, deklaroi se mes të arratisurve ka të dënuar për vrasje, grabitje dhe përdhunim.

 Rusia: Të mbështetemi te forcat tona!

 Sanksionet e ndërmarra nga Rusia, ndaj vendeve europiane të BE-së, i përngjajnë “një shkëmbimi flakë për flakë”. Qeveria e Moskës, pasi hartoi një dekret për ndalimin e importit të artikujve ushqimorë nga vendet, të cilat më herët kishin vendosur sanksione ndaj saj, këtë herë e zgjeroi gamën e produkteve, të cilat ndalohen për të bërë shkëmbime tregtare. Por, nga ana tjetër, masat e Putin për Europën janë një mundësi e mirë përfitimi për tregun ndërkombëtar, pjesë e të cilit është dhe Brazili. Ky i fundit është eksportuesi më i madh në botë i mishit dhe tregu i tij do të orientohet drejt Rusisë. Sipas burimeve zyrtare, një marrëveshje tregtare e re pritet të firmoset mes vendeve. Por, sipas analistëve, konsumi i Rusisë është shumë më i madh, se sa kapaciteti që ka Brazili. Megjithatë, Putin ka thënë se administrata e tij ka nisur planet për krijimin e kompanive ushqimore të vetë Rusisë, për të rritur prodhimin vendas dhe, në këtë mënyrë, çdo politikë monetare e tregtare do të qarkullojë brenda vendit. Ndërkaq, për momentin, rreziku më i madh për investitorët është nëse shkëmbimi i sanksioneve të tregtisë do të vazhdojë të përshkallëzohet.