Ja 10 figurat më të shquara të shekullit

    8696
    Sigal

    Anketa/ Shpalen fituesit e përzgjedhur nga lexuesit e “Telegraf” si dhjetë figurat me më shumë ndikim me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë kombëtare

    Një anketim i bërë nga gazeta “Telegraf” me anë të letrave dhe në mënyrë elektronike u mbyll dje, duke përcaktuar 10 personalitetet me më shumë ndikim gjatë një shekulli të ekzistencës së shtetit shqiptar. Natyrisht, që kjo anketë nuk mund të konsiderohet si e përkryer, por serioziteti i lexuesve tanë i është afruar të vërtetës historike.  Gara e këtyre personaliteteve ishte e fortë deri në minutën e fundit dhe gjatë muajit të fundit u ndryshuar shumë herë renditja. Ja cilët vlerësuan lexuesit tanë si 10 figurat më të shquara në të gjitha hapësirat mbarëshqiptare:

    1- Ismail Qemali

    2- Eqerem Çabej

    3- Dritëro Agolli

    4- Vaçe Zela

    5- Alfred Moisiu

    6- Nënë Tereza

    7- Panajot Pano

    8- Enver Hoxha

    9- Adem Jashari

    10- Fan S. Noli

    Ndërkaq, shumë pranë kësaj renditjeje ishin edhe mjaft figura të tjera, shumë të njohura të politikës, kulturës, shkencës, sportit etj..

    Servet Pëllumbi

    Sali Berisha

    Rexhep Qosja

    Ismail Kadare

    Arben Xhaferri

    Loro Boriçi

    Edi Rama

    Aleks Buda

    Faik Konica

    Inva Mula

    Aleksandër Moisiu

    Avni Rustemi

    Kadri Roshi

    Vëllezërit Frashëri

    Gjergj Fishta

    Ahmet Zogu

    Ismail Qemali

    Ismail Qemali u lind në Vlorë në një familje të pasur më 24 janar të vitit 1844, vdiq ne Itali më 24 janar të vitit 1919. Ishte udhëheqës i shquar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe kryetar i parë i Shqipërisë së pavarur. Pasi kreu shkollën fillore në qytetin e lindjes dhe gjimnazin “Zosimea” ne Janine, me 1859 u vendos me familjen e tij ne Stamboll, ku u aktivizua në lëvizjen patriotike shqiptare: mori pjesë në përpjekjet për caktimin e një alfabeti të përbashkët të gjuhës shqipe dhe për formimin e një shoqërie kulturore shqiptare. Më 19 nëntor 1912 njoftoi në atdhe se do të shpallej pavarësia nga Kuvendi Kombëtar që do te mblidhej për të vendosur mbi të ardhmen e vendit. U kthye me bashkëpunëtoret e tij në Shqipëri. Në Vlorë kryesoi mbledhjen e Kuvendit Kombëtar që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë me 28 Nëntor 1912. U caktua kryetar i Qeverisë se Përkohshme. Në politikën e brendshme dhe të jashtme të qeverise kombëtare u tregua i prirur për kompromise me çifligarët, për të përfituar nga ndikimi që gëzonin këta në shtresat e pasura e të mesme, por edhe i vendosur për demokratizimin e jetës së vendit, i vëmendshëm kundrejt politikës së Fuqive për të shpëtuar atë që mund të shpëtohej në dobi të atdheut, por i papajtueshëm me çdo cenim nga ana e tyre të pavarësisë të sovranitetit kombëtar, i lirë nga paragjykimet kundrejt fqinjëve me të cilët kërkonte të kishte marrëdhënie miqësore, por edhe kundërshtar i rreptë i synimit të tyre për të copëtuar Shqipërinë. Mbrojti pranë Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit dhe pranë kancelarive të Fuqive të Mëdha të drejtat e ligjshme të popullit shqiptar, tërësinë territoriale të vendit. Në të gjitha këto veprime Ismail Qemali u tregua burrë shteti dhe diplomat largpamës.

      Eqrem Çabej    

    Është një ndër përfaqësuesit më të shquar të gjuhësisë shqiptare.  U lind më 7 gusht 1908 në Gjirokastër. Mësimet e para i  mori në këtë qytet të lindjes. Atje ai mbaroi më 1921 shkollën qytetëse me përfundime të shkëlqyera. Pas mbarimit të shkollës qytetëse ai fitoi të drejtën e një burse të dhënë nga Prefektura  e atëhershme e Gjirokastrës për të vazhduar studimet e mesme dhe të larta jashtë shtetit. Dhe kështu ai nisi, ashtu si edhe të rinj shqiptarë të tjerë, rrugën e mërgimit në kërkim të diturisë. Për të vazhduar studimet, Eqrem Çabej u dërgua në Austri. Faza vendimtare për të ardhmen e të riut Çabej nis atëherë kur ai fitoi “lirinë” për të ndjekur degën që i pëlqente. Në vitin akademik 1927 – 1928 u regjistrua në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Gracit, ku ndoqi studimet për dy gjashtëmujorë (semestra). Pastaj studimet i vazhdoi në Universitetin e Vjenës.

    Dega e gjuhësisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Vjenës kishte një traditë të vyer. Të kujtojmë se në Austri ishte krijuar një traditë e mirë edhe për studimin e historisë së gjuhës shqipe dhe të historisë së popullit shqiptar. Pas mbarimit me sukses të studimeve universitare 25 – vjeçari Eqrem Çabej u  kthye përfundimisht në Shqipëri, me diplomën e Universitetit të Vjenës në xhep dhe me dëshirën e zjarrtë për t´i vënë dituritë dhe energjitë e tij në shërbim të Atdheut. Në veprimtarinë gjysmëshekullore të Çabejt vendin kryesor e zë pa dyshim prodhimtaria e tij e pasur shkencore e cila mund të ndahet në dy faza kryesore: faza e parë vazhdon deri në prag të Çlirimit të Shqipërisë dhe faza e dytë nis pas vitit 1945. Ai ishte në komisionin përgatitor të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972). Vdiq më 13 gusht 1980 në një klinikë të Romës.

      Fan Noli

    Emri i Fan Nolit, Theofan Stilian Noli, është lidhur me gjithë kulturën e re shqiptare të shekullit tonë. Për fat të keq si shume artistë të mëdhenj shqiptare, ai lindi dhe vdiq larg atdheut. Por midis këtyre dy datave zemra e tij e madhe rrahu vetëm për Shqipërinë, shpirti i tij krijoi gjëra madhështore që e lartësuan dinjitetin e shqiptarit, kurse në veprimtarinë energjike të përditshme iu përkushtua pavarësisë e tërësisë tokësore të atdheut dhe sidomos demokratizimit të jetës shqiptare. Më 1906 Noli u dërgua në Amerikë nga patriotët e kolonisë së Egjiptit për organizimin e lëvizjes kombëtare të shqiptarëve të atjeshëm. Brenda një kohe të shkurtër Noli krijoi shoqërinë “Besa-besë”, që më pas u shkri në federatën “Vatra”si dhe gazetën “Dielli”. Në Amerikë ai u detyrua të bëjë një punë të rëndë që të siguronte jetesën.   Për këtë qëllimin më 1908 ai u dorëzua prift dhe duke vazhduar traditën e nisur nga Kristoforidhi përktheu shumë libra të ndryshëm të kishës në gjuhën shqipe. Kur u shpall Pavarësia, Noli përshëndeti qeverinë e Ismail Qemalit, ndërkohë që, kishte bërë edhe një udhëtim nëpër Evropë për të mbrojtur çështjen shqiptare. Periudha më e rëndësishme e aktivitetit të tij në të gjitha fushat është dekada 1920-1930. Më 1920 ai, së bashku me patriotë të tjerë, u përpoq dhe arriti të sigurojë pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Fjalimi i tij mbi varrin e Avni Rustemit në Vlorë shënoi fillimin e Revolucionit Demokratik në Shqipëri.

    Me fitoren e revolucionit Noli u caktua kryetari i qeverisë së re, që doli prej tij, që ishte qeveria me përparimtare në Ballkan. Por ndërkohe gjithë forcat reaksionare të vendit, të kryesuara nga A.Zogu dhe të ndihmuara nga qeveria jugosllave si nga ana financiare, ashtu edhe me mercenarë biellogardistë arritën ta rrëzojnë qeverinë demokratike. Përveç veprimtarisë shumë të rëndësishme politike, poetike e publicistike, gjatë këtij dhjetëvjeçari Noli përktheu tragjeditë e Shekspirit, Rubairat e Omar Khajamit, Don Kishotin e Servantesit etj.. Fan Noli mbeti deri në fund të jetës së tij një demokrat i shquar. Ky vigan i demokracisë e i kulturës shqiptare, vdiq më 13 mars 1965 në ShBA.

     Dritëro Agolli

    Dritëro Agolli u lind në Menkulas të Devollit në 13 tetor të vitit 1931. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, vazhdoi gjìmnazin e Gjirokastrës, një shkollë me mjaft traditë. Studimet e larta për letërsi i mbaroi në Petërburg. Ka punuar shumë kohë gazetar në gazetën e përditshme “Zëri i popullit”, dhe për shumë vjet ka qenë Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Për tridhjetë vjet me radhë Dritëro Agolli u zgjodh deputet. Krijimtaria e tij letrare është mjaft e pasur në gjini e lloje të ndryshme: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj. Është fitues i disa çmimeve dhe i nderimeve të tjera. Disa prej veprave më të rëndësishme të tij janë përkthyer në Perëndim e në Lindje. Dritëro Agolli hyri që në fillim në letërsinë shqiptare (vitet’60) si një protagonist i saj, duke i ndryshuar përmasën e së ardhmes. Agolli i bë poeti i tokës dhe i dashurisë për të, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore. Vepra letrare e Dritëro Agollit krijoi traditën e re të letërsisë shqiptare. Ajo na bën të ndihemi me dinjitet përballë botës së madhe. Agolli krijoi një model të ri vjershërimi në problematikë dhe në mjeshtërinë letrare, gërshetoi natyrshëm vlerat tradicionale të poezisë me mënyra të reja të shprehjes poetike. Thjeshtësia e komunikimit, mesazhet universale dhe shprehja e hapur e ndjeshmërisë janë shtyllat e forta ku mbështetet poezia e tij. Në prozën e tij Agolli solli risi jo vetëm në strukturën narrative, por dhe në galerinë e personazheve të veta. Ata lanë sa të çuditshëm aq dhe të zakonshëm, sa tragjikë aq edhe komikë, sa të thjeshtë aq edhe madhështorë. Frazeologjia e pasur popullore dhe filozofia jetësore e bëjnë përgjithësisht tërë veprën letrare të Agollit sot për sot ndër më të lexuarën.

     Enver Hoxha

    Enver Hoxha ishte udhëheqësi i Shqipërisë për 40 vjet, nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore deri në vdekje (1985), në cilësinë e Sekretarit të Parë të Partisë së Punës (Partia Komuniste). Ka mbajtur postin e Ministrit të mbrojtjes në vitet 1944-1953, të Ministrit të punëve të jashtme në vitet 1946-1953 dhe të Kryeministrit në vitet 1946 – 1954. U lind më 16 Tetor 1908 në lagjen “Palorto”, Gjirokastër. Mësimet e para i mori në Gjirokastër 1917-1924. Liceun e nisi në vendlindje më 1924 por më pas e vijoi në Liceun e Korçës më 1927-1930. Në tetor 1930 Enver Hoxha fiton të drejtën e studimit, bursa iu dha për në Fakultetin e Shkencave të Natyrës (specialiteti i biologjisë) në Universitetin e Montpeljesë, Francë. Në mars të vitit 1934 i ndërpritet bursa nga Ministria e Arsimit. Në korrik të vitit 1936 Enver Hoxha kthehet përfundimisht në atdhe dhe prej këtyre momenteve ia kushton përpjekjet dhe qëllimin e jetës së tij luftës për çlirimin e popullit. Më 8 nëntor 1941, themelohet Partia Komuniste Shqiptare, ku u ai u ngarkua me drejtimin e punëve të KQ të Përkohshëm. Gjatë luftës ai njihej me pseudonimet “Tarasi”, “Shpati”, “Valbona”, “Hasani”, “Saliu”, “Malo” etj. Sunduesit e rinj të Shqipërise trashëguan një vend jashtëzakonisht të varfër, të persekutuar nga analfabetizmi, gjakmarrja fisnore, shumëllojshmëria e sëmundjeve epidemike dhe mungesa fantastike e të drejtave më themelore civile dhe qytetare. Enver Hoxha vdiq më 11 prill të vitit 1985.

     Alfred Moisiu

    Gjeneral Alfred Moisiu, i zgjedhur sot në Tiranë si President i ri i Republikës së Shqipërisë, ka lindur në Shkodër më 1 dhjetor 1929. Pasi luftoi në rezistencën shqiptare kundër pushtimit nazi-fashist, Moisiu e ka kryer të tërë karrierën e tij në radhët e ushtrisë komuniste të diktatorit të vdekur Enver Hoxha. Mes 1971 dhe 1981 ka qenë kreu e xhenios dhe i fortifikimeve të Ministrisë së Mbrojtjes: pra edhe atij i detyrohet ndërtimi i dhjetëra mijëra bunkerëve të kërkuar nga Hoxha e që akoma dhe sot mbeten në peizazhet shqiptare si një dëshmi e të kaluarës. Mes 1981 dhe 1982 pati edhe një detyrë qeveritare, si zv/ministër i Mbrojtjes, funksion ky i mbajtur edhe 12 vjet më pas kur, pasi ra komunizmi, u ngjit në pushtet Partia Demokratike e Sali Berishës, e cila sot e kandidoi për postin e Kreut të Shtetit. Më 1994, Alfred Moisiu ka qenë president i seksionit shqiptar të Shoqatës së Atlantikut, një organizatë jo-qeveritare që bashkëpunon me NATO-n në projekte sociale. Moisiu, i cili ka marrë pjesë më 1995 në kursin për personalitetet e lartë pranë kolegjit ushtarak të NATO-s në Romë, flet italisht, anglisht dhe rusisht.

     Nënë Tereza

    Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e njohur si Nënë Tereza lindi në Shkup më 26 gusht të vitit 1910 dhe vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkuta, (Indi), ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit “Nobel për Paqen”. Gonxhja mësimet e para i mori në një shkollë shqipe në Shkup, ku po ashtu e kreu dhe gjimnazin, por në gjuhën serbo-kroate. Pasionet e rinisë së Gonxhes ishin tre: të bëhej mësuese, të shkruante dhe recitonte poezi dhe të kompozonte e të luante muzikë. Emrin “Tereza” e mori kur ishte 18 vjeçe dhe u dorëzua murgeshë. Nënë Tereza u largua më 26 shtator 1928 nga Shkupi në drejtim të Dublinit, Irlandë. Prej kësaj dite, nënë, bijë e motër nuk do të shiheshin më kurrë. Nënë Tereza u vendos në Kalkuta (Indi) ku fillimisht u bë mësuese dhe shumë shpejt drejtore e shkollës së vajzave. “Nënë Tereza e Kalkutës” u quajt kur themeloi urdhrin “Misionaret e Dashurisë” (1951) për t’u shërbyer më të varfërve dhe më të pashpresëve të Kalkutës, Indisë dhe gjithë botës. Në vitin 1979, kur mori çmimin “Nobel për Paqe”, e gjithë bota mësoi se Nënë Tereza ishte shqiptare. Në çastin e marrjes së Çmimit Nobel më 1979, një nga klerikët që merrte pjesë në sallë e pyeti Nënë Terezën se nga ishte. Ajo deklaroi: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”.

     Vaçe Zela

    “Zëri i Artë i Shqipërisë”, “Ikona e Shenjtë e Këngës Shqiptare”, “Mbretëresha e Këngës Shqiptare”, “Ylli Polar që vërtitet i vetëm në Galaktikën e Këngës së Lehtë Shqiptare”, “Gjigandja e Skenës Shqiptare”. Këto janë vetëm disa nga epitetet për këtë simbol tashmë të kthyer në legjendë. U zbulua rastësisht në moshë të re në Lushnjë. Vaçe Zela u lind në Lushnjë më 6 prill 1939. Me zërin e saj mahnitës e të papërsëritshëm për më shumë se 40 vjet krijoi mitin e saj te pavdekësisë duke hyrë në zemrën e çdo shqiptari brenda e jashtë atdheut. Këngët e saj në vite mbeten popullore dhe të preferuara edhe sot nga publiku. Vaçe Zela është larguar përfundimisht prej skenës në vitin 1992. Sidoqoftë Vaçe Zela mbetet “Zëri i Jashtëzakonshëm” që mbushte me energji skenat shqiptare duke u bërë idhulli i shumë brezave. Vaçe Zela ka marrë pjesë në shumë festivale të muzikës në radio dhe më vonë në radiotelevizion që prej organizimit të parë të tyre, duke fituar plot 12 çmime të para, një rekord i paarritur për të gjitha kohët. Vaçe Zela është fituesja e parë e Festivalit të parë. Me këngën “Fëmija i parë”, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave. Prej disa vitesh jeton në Zvicër. Ajo është e vetmja femër shqiptare e nderuar për së gjalli me Urdhrin “Nderi i Kombit” nga presidenti Alfred Moisiu.

     Panajot Pano

    Futbollisti i shquar Panajot Pano u lind në Durrës më 7 mars 1939.  Karriera: 1957-1960 Tirana (28 ndeshje 8 gola); 1960-1975 Partizani (210 ndeshje 144 gola 1963-1973). Me kombëtaren 28 ndeshje 3 gola. I zgjedhur si “Futbollisti i Artë” nga Shqipëria, me rastin e 50-vjetorit të UEFA-s. Nëse do shkosh dhe do vizitosh muzeun e UEFA-s në Nion emri i parë që të bie ne sy është ai Panajot Panos, përkrah emrave të tillë si: Joahn Krojf, Franc Bekenbauer, Oleg Blohin, Ferenc Pushkash. Është autori i golit të parë zyrtar në një ndeshje kualifikuese (1-0 në Tiranë kundër Danimarkës në vitin 1964). Në karrierën e tij 18 vjeçare ka koleksionuar 4 herë titullin kampion me Partizanin dhe 5 herë ka fituar kupën e Shqipërisë. Në vitin 2009 bëhet i pari sportist dhe kjo është unikale që merr titullin më të lartë akorduar nga presidenti i Republikës Bamir Topi “Nderi i Kombit”. Ndahet nga jeta në Amerikë në Xheksonvil (Florida) në 19 janar të vitit 2010. U nda nga jeta në Amerikë në Xheksonvil (Florida) në 19 janar të vitit 2010.

     Adem Jashari

    Adem Jashari u lind në Prekaz, në rajonin e Drenicës së Kosovës, më 28 Nëntor 1955. Ai është një nga arkitektët kryesor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Adem Jashari ishte kryekomandanti i UÇK-së. Së bashku me të vëllain e tij Hamzën, Ademi ka marrë pjesë në sulmet kundra forcave policore-ushtarake serbe. Forcat policore jugosllave dhe Ushtria Jugosllave e sulmuan shtëpinë e tij në mars të vitit 1998, ku Jashari heroikisht ra së bashku me pesëdhjetë e gjashtë anëtarët e familjes së tij. Ky është rast unikal në historinë e luftërave. Ai mban titullin “Komandanti Legjendar i UÇK-së”. Titullin “Hero i Kosovës” u dha atij në vitin 2008 nga kryeministri i Kosovës. Adem Jashari u bë një simbol i pavarësisë për shqiptarët e Kosovës dhe për shqiptarët kudo që janë, shumë nga të cilët veshën bluza me fotografinë e tij, pasi Kosova shpalli pavarësinë e saj të dielën, më 17 Shkurt të vitit 2008. Në bluzë shkruante “Bac, U kry !”.