Gëzim Zilja: Mediat vizive, emigrimi dhe mjerimi moral i shqiptarëve

287
Sigal

Jeta kulturore-shpirtërore-argëtuese e shqiptarëve sot është një katastrofë. Mundësitë e ofruara janë: shtëpi-kafene-punë dhe punë-kafene-shtëpi, përjashto një numër të vogël që me paratë e prindërve bëjnë jetë nate. Në darkë shqiptari pas një vakti me kos apo një “lugë” gjellë të mbetur nga dreka, shtrirë në divan, fillon e gëlltitë si ëmbëlsirë deri në mesnatë programet televizive. Me hir o me pahir ndjek lajmet në njëzetë kanale, që japin kronika për kriminelë e hajdutë, qeveritarë të korruptuar, aksidente rrugore, vrasje në familje, vrasje me pagesë, përleshje bandash, madje edhe numrin e të vdekurve nga përplasja e trenave në Indi, apo përmbytjet nga shirat në ishujt Bali e Mozambik. Shto mbi këto bëmat, llogjet e këshillat e neveritshme për gjithçka, madje edhe përtej Shqipërisë, të kryeministrit të gjithëditur, që është pilaf e nuk i mbyllet gryka gjithë ditën nëpër televizione e kuadri bëhet i plot.

Sikur të mos mjaftonin lajmet e pilaf-kryeministrit, pesë ditët e javës në shumicën e televizioneve do të shikosh rracën e poshtër të gazetarëve miliarderë alias opinionistëve, të një shtetit të rreckosur, mbuluar nga varfëria e krimi, që tallin rrapin e trapin nja dy orë të mira, duke gënjyer, dezinformuar, të bëjnë të bardhën të zezë e të zezën të bardhë sipas kërkesave e porosive të atyre që i paguajnë. E vetmja gjë e sigurt nga këto cirqe televizive (me ndonjë përjashtim) është që urrejtja dhe varfëria midis shqiptarëve rritet e rritet deri në pafundësi. Është një megasistem i gjithë propagande, (harrojeni rastësinë) i ngritur nga parallinjtë e politika, ku analistët miliarderë iu tredhin trutë shqiptarëve, të mos dinë ku është e keqja e të ngrihen kundër saj. Kjo lloj propagande dhe disa emisione televizive si do e shohim më poshtë, ia kanë dalë t’i shndërrojnë shumicën e shqiptarëve në pula, që kur i zë flama, nuk orientohen dot e ecin kuturu, derisa ngecin në ndonjë bodrum, gardh a shkurre e aty presin ngordhjen.

Pastaj vijnë ato emisione të papërshtatshme, në çdo orë të ditës e të mbrëmjes, që pa hezitim do t’i emërtoja fëlliqësira, lapërdhira e kurvërira. Ato japin modelin më të zi të arritjes së suksesit, famës e të jetës prrallore. Për këtë mjafton një trup i bukur dhe nxjerrja në shesh e të gjitha hireve, të mbuluara shpesh me gjethe ulliri dhe më tej si një automat, të kryesh veprime dhe të flasësh ato fjalë që t’i kanë mësuar më parë ustallarët e emisionit. Si mundet tridhjetë apo dyzetë femra njëherësh të dashurohen në një çast me një njeri që e shohin për herë të parë, t’i qepen, e ta bëjnë “telef” Princin (i pari tuaf, i sotmi pelivan) e të shpikin mijëra marifete, nga “krevati” te “dollapi” që ta bëjnë për vete? Në këtë emision zgjidhen vajza e djem me bukuri fizike të admirueshme. Shumë prej tyre kur fillojnë e flasin janë aq budallanjë e të papërgjegjshëm sa vërtetë ndjen keqardhje e mëshirë. E vetmja vlerë mbetet bukuria fizike, e nxjerrë hapur në shitje, që sigurisht nuk mjafton për t’u marrë si model i jetës për të rinjtë.

Emisioni “Përputhen” është një tjetër gallatë. Qëllimi aty është të gjesh dashurinë, dmth njeriun me të cilin do të kalosh jetën. Dashuria midis mashkullit e femrës është diçka hyjnore, është si të vdesësh e të ngjallesh sërish, të prekësh ferrin e të jetosh parajsën, është bekim nga Zoti. Kur kjo ndodh aty flet zemra dhe shpërthen lumturia. Njerëzit nuk llapin e zihen, por këndojnë, nuk ecin e zvarriten, por fluturojnë. Në praninë e ekranit, të një dyzine njerëzish e mijëra të tjerëve që të ndjekin vështirë, që këto të ndodhin. Në “Përputhen” mund të shikosh modelin më të shëmtuar të femrës teleshmëne, llafazane me një fjalor rruge të papranueshëm për një emison televiziv. Një dyzinë djemsh bukuranë, duke pritur të thirren në takim, shndërrohen  nga sektori i femrave në lolo e gaztorë, ( njëra madje do vetëm fëmijë nga një mashkull i bukur dhe aq). Rrotullojnë sytë në orbita rrethore nga akuzat e ofendimet, që u adresohen, duke zhvilluar dialogë kilometrikë me një shqipe për të vajtuar e që nuk kanë lidhje me dashurinë. Aty mund të shohësh gjithçka, po dashuri të rinjsh jo. Ka thjesht shfaqje teatrale, zënka banale, pazare të shumllojshme miushësh e miushesh.

Është dhe emisioni i “Fratellos” i motivuar gjithsesi, se fiton 100.000 euro. Mund të dalësh me brekë po edhe pa to, mund të bësh seks në vaskë për hir të spektaklit, (të fitosh mijëra ndjekës, që diskutojnë e bën vërtetë apo me gjasme) të fërkohesh me partneren e re në çdo cep të mundshëm, të bërtasësh si dikur në rradhën e vajgurit, të llomotitësh e mjaullish gjithë ditën e perëndisë si maçokët e macet majë çatisë. Shpesh, në këto emisione televizive më qyqarët, e më të leqendisurit paraqiten të ashtuquajturit opinionistë gra e burra, që nuk janë të gjithë rrota djathi apo karroce. Këta të dhimbsen, sepse për hir të pagesës që marrin, duhet t’i japin vlerë e justifikojnë emisionin dhe shumë djem e vajza jashtë standardit e moralit shoqëror. Në dreq të venë ato para, nëse kanë pak sedër, kur e kuptojnë, që aty luhet keq e shpifur, ndërsa dëmi, që i sjellin këto emisione shoqërisë shqiptare, veçanërisht rinisë i kalon kufijtë e të pakorrigjueshmes. Veç propagandës për të paraqitur një Shqipëri ndryshe nga e vërteta mjerane, në këto emisione televizive shuma e parave të hedhura e harxhuara është marramendëse.

PS. Pjesa dërrmuese e rinisë shkollore e studentore, me politikat arsimore qeveritare të ndjekura deri sot, e kalojnë ditën në kafene, duke parë celular ose ëndërruar sesi do të gjejnë një mënyrë për t’ia mbathur nga Shqipëria. Sikur paratë e “Përputhen,”  “Princit” dhe “Fratellos” që nuk deklarohen kurrë ( janë miliarda lekë) të shkonin në pasurimin e bibliotekave të shkollave e universiteteve, në organizimin e festivaleve të ansambleve artistikë, të teatrove, të kampionateve sportive të ndryshme, në konkurse historie, letërsie e gjeografie, pse jo dhe bukurie, midis shkollave apo universiteteve, në vend të këtyre emisioneve pocaqi, do të kishim mijëra të rinj e të reja të aktivizuara në veprimtari sportive e kulturore gjithëvjetore, plot dëshira dhe të shëndetshëm. Me pak kujdes, e dashuri për njerëzit e të ardhmen e Shqipëris kjo realizohet. Eksperiencë për këtë ka.