Ilmi S.Qazimi: Deputetë dhe informatorë, apo spiun dhe puthadorë?

271
Sigal

 

 

Ata bëjnë detyrën e ngarkuar për të siguruar të dhënat reale që organet kompetente të drejtësisë t’u mundësohet njohja për të ndëshkuar të keqen. Ndërkohë që spiuni është tjetër brumë e tjetër markë, sepse ky shet atdheun, moralin, kombin, truallin,veten tek armiku.

 

 Që të jemi sa më objektivë, a mund të mendohet se mund të drejtohet një shtet, i çfardo ngjyre e lloji qoftë, në çdo epokë historike, pa informacion rreth kundërshtarëve dhe partnerëve,  dashamirësve dhe dashakeqësve, miqve dhe armiqve të tij? Përgjigja e gatshme prej gjithkujt është: Kurrë jo! Vetëm informimi e mban shtetin në këmbë. Kështu ka qenë e kështu do të jetë.

Duhet thënë  me zë të lartë: informatorët janë njerëz të punësuar ose vullnetarë. Ata bëjnë detyrën e ngarkuar për të siguruar të dhënat reale që organet kompetente të drejtësisë t’u mundësohet njohja për të ndëshkuar të keqen, negativen, vjedhësin, gënjeshtarin, imoralin, dëmtuesin e pronës, familjes, etj.Ndërkohë që spiuni është tjetër brumë e tjetër markë, sepse ky shet atdheun, moralin, kombin, truallin, veten tek armiku. Ky kryen akt tradhtie.

Tani, në “shtetin ligjor” kapitalist, (lexo: shtet që bazohet vetëm në pronën private mbi mjetet e prodhimit e të shpërndarjes së të mirave materiale të shoqërisë, ku dhe ligjin e bën më i forti që ka paranë). Metoda e punës informative është po ajo që ishte në feudalizëm e në socializëm. Kurse emrat, emërtimet, teknologjitë, format e informimit janë të tjera, shumë më të sofistikuara. Sot edhe tek ne, nuk ka më sigurimsa, por shik-sa, nuk ka agjentë por spiunë të CIA-s, të FBI-së etj. Tani, siç kemi kryetarë, deputetë, informatorë kemi edhe spiunë, të zakonshëm, klasikë e empirikë, por kemi jo pak hakera kibernetikë. Pavarësisht se në cilën detyrë funksionale janë vendosur.

Meqë jemi këtu, shkurt, si mund të futeshin kaq thellë hakerat e huaj, kushdo qofshin ata, pa një spiun të brendshëm shqiptar?! Po përse kryetari i qeverisë sonë nuk ka ndëshkuar asnjë individ përgjegjës për këto dëme kolosale që na kanë shkaktuar hakërimi i tërë sistemeve tona elektronike të qeverisjes? Shkarkimi i kreut të policisë nuk justifikon aspak pasojat që na solli e do të na sjellë në të ardhmen sulmi i hakerave të huaj, kundër sistemeve tona kibernetike.

*

Tek ne, pas përmbysjes së sistemit socialist, (që gjithë strukturat proamerikane nëpër botë me urrejtje patologjike të natyrshme e quajnë sistem ‘komunist’), në Shqipërinë tonë të bukur, ish-sigurimsat u bënë gogolë. U quajtën kryearmiq të vendit tonë. U hapën, u krijuan, u mbyllën, u grisën a u dogjën dosje e përsëri u bë zhurmë e madhe për dosje… U derdh dollari lumë dhe u krijuan organe, organizata, autoritete, fondacione, zyra, shtabe, etj, për zbulimin, demaskimin dhe asgjësimin e tyre, sepse ata paskëshin hedhur metastazat në të gjithë hallkat e pushtetit të ri, demokratik, që u instalua në Shqipëri në vitin 1992 me ndihmën e imperializmit amerikan. Kuptohemi mirë: përfituesit e këtyre veprimeve ishin po ata, të dërguarit e atyre që dhanë dollarët. Ndonjë kockë, ndonjë thërrime kanë marrë e marrin edhe tanët, tashmë shumë syresh të konvertuar në spiunë të CIA-s. Shtetformuesit shqiptarë, shumica e tyre, njerëz ‘pa din e iman’, bij komunistësh, si plangprishës të këqij, konkluduan se ky pushtet i këtij lloj shteti nuk mund të ekzistojë, pa u qëruar mirë e mirë nga ish-sigurimsat dhe ish-‘spiunët’ e shtetit komunist që u përmbys në vitin 1990. Këtë thotë përfaqësuesi diplomatik amerikan e anglez, këtë thotë edhe nipi i kriminelit shqiptar, mbesa e ish-agjentit shqiptar në shërbim të fashizmit italian, djali i plakur i ish-shërbëtorit besnik të nazizmit gjerman dikur, para 80 vjetësh. Por fatkeqësisht këtë e thotë edhe ndonjë ish-komunist apo djalë ish-komunisti, që tani është kthyer në demokrat i flaktë. Këto deklamime, në gojë të sunduesit amerikan dhe të shërbëtorëve të tyre janë të natyrshme dhe madje bindëse. U ka ardhur radha atyre për të qëndruar në kolltukun qeveritar të vendit tonë tashmë të renditur si partner me SHBA!

*

Është folur, madje edhe është shpifur e amplifikuar jo pak, nëpër mikrofona të lloj-soj mediash vizive e radiofonike, nëpër organe shtypi dhe… nuk numurohen ato që janë bërë vetëm e vetëm që të dënohen ish-sigurimsat, këta “armiq të rrezikshëm” të historisë së Shqipërisë! Por në gojën e njerëzve si S.Berisha, e mjaft krerëve të tjerë të politikës e shtetit, kjo tingëllon hipokrizi e ‘pastër’ dhe armiqësi nga më të ndyrat. Janë botuar, në këto tridhjetë vjet, shkresa e gazeta, libra, broshura, albume e fletëpalosje pa fund, deri edhe fjalorë disa vëllimësh me emrat e viktimave të komunizmit që, demek, kanë ardhur si rezultat i informatave të dhëna nga këta ish-sigurimsat etj. U bë edhe ligji përkatës, dhe nën këtë maskë po tentohet që të shkatërrohet gjithçka shqiptare që u krijua në vitet 1944-1990 sepse është  komuniste. Ky është një   veprim antikombëtar dhe tradhti  ndaj vetes sonë, si komb, sepse mohojmë historinë tonë. Edhe vetëm si tentativë,është e do të mbetet turp i pakorrigjueshëm në ecurinë shekullore të këtij populli. Jo më po qe se kthehet në ligj. Mallkuar qofshin drejtuesit shtetërorë, që hodhën hapat për të miratuar këtë ligj për shkatërrimin e gjithçkaje të krijuar në këto 45 vite të lulëzimit real (me shumë pak të meta) të Shqipërisë!

Mirëpo ka mbetur sharra në gozhdë tek nja dy-tre emra të përveçëm atje lart në qyngje të partive e orgjive të kapitalit të ri shqiptar. Aty ka ngecur keqas dhe nuk po ecën. Edhe ustai matanë oqeanit, ndjek frymëmarrjen tonë, por prononcohet vetëm kur e sheh ai të arsyeshme. Ai ka plotësisht të drejtë, sepse mbron interesat e tij fitimprurëse gjeopolitike e nuk i shkon asfare në mendje për hallet e popullit tonë të mpakur e të shumëvuajtur. Imperialisti amerikan nuk reflekton dashuri, por interesim me përfitim. Ai nuk të jep, por vetëm

të merr duke’ të trajtuar si partner’. Kjo është fund e krye në strategjinë e tij pesëqind e kusur vjeçare në përpjekje për sundim të rruzullit tokësor e tani së fundi edhe të privatizimit të  Hënës!?

*

Ndaj lind pyetja e ligjshme, kështu siç po hiqen nga skena e posteve qeverisëse, ish-sigurimsat dhe informatorët, bazuar nga” dosjet” e ‘zbuluara’ këto kohët e fundit, në një rast përmbysjeje që nuk shpresoj të jetë larg në kohë, (apo gjyllurdie) si do të jetë fati i informatorëve të nevojshëm të strukturave të sotme shqiptare, apo të atyre spiunëve dhe puthadorës që po i shërbejnë me devotshmëri agjensive të informacionit të shteteve të huaja, si ato amerikane, angleze, serbe, greke, iraniane etj? Dhe të tillët mund të gjenden lehtaz, nga themeli deri në çati të shtetit! Se jeta është si ‘dollapi i kafes’ që rrotullohet dhe vetëm rrotullohet duke pjekur a djegur kokrrat e kafes. T’u heqësh atyre të drejtën për të qenë në poste drejtuese shtetërore, ekzekutive apo ligjvënëse është si të bësh një vrimë në ujë. Prandaj mendoj se është një lojë e politikës së kurvëruar dhe të manipuluar të kohëve moderne, për të spostuar vëmendjen e gjithkujt, për të na përçarë, sunduar, varfëruar e shkërmoqur sa më shumë. Shpresoj që pikërisht vetëm spiunët në kuptimin e mirëfilltë të plotë të kësaj fjale, si tradhtarë të çdo kombi, të çdo kohe e ngjyre, duhet dhe do të ndëshkohen edhe moralisht edhe me ligj.