Klodi Stralla: A do përsëritë Perëndimi gabimin e një Munihu të dytë?

225
Sigal

Për ata që nuk e njohin ose e njohin pak Historinë, në shtator të vitit 1938, në Munih të Gjermanisë u nënshkrua një “Marrëveshje”, që historianët e sotëm bien dakord që ishte një kapitullim i fuqive perëndimore ndaj lakmive naziste për territore, midis Km. anglez Çambelain, atij francez Daladier, nga njëra anë dhe Adolf Hitlerit, kancelarit gjerman, nga ana tjetër, me ndërmjetësinë e Mussolinit si garant, sipas të cilës anglo-francezët i njihnin Hitlerit të drejtën të përfshinte në Raihun gjerman territore të Republikës Çekosllovake, siç ishin “Rajoni i Sudeteve”, një rajon me një sipërfaqe afro 40 mijë km2 dhe me një popullsi rreth 3 milion, kryesisht gjermanë. Anglo-francezët i justifikuan lëshimet që iu bënë Hitlerit si një mundësi për të shmangur një luftë botërore, ndonse Çekosllovakia ishte një shtet sovran, i njohur ndërkombëtarisht, anetar i Lidhes të Kombeve. Por Hitleri që mendonte se çdo lëshim nga pala kundërshtare shprehte dobësinë e saj, pikërisht pas një viti i shpalli luftë dhe pushtoj Poloninë (shtator 1939), ndonse në Munih ai kishte premtuar për të mos e prekur atë. Kur perëndimorët e kuptuan se çfarë synimesh afatgjata kishte Hitleri i shpallën luftë Gjermanisë, duke e konsideruar Poloninë si “vijë të kuqe”. Kështu filloi Lufta e dytë botërore. Sot rolin e Çamberlenit e ka presidenti amerikan Joe Biden, atë të Daladier, presidenti francez Macron, ndërsa Hileri i sotëm, për nga pretendimet që ka, është Vladimir Putini i Rusisë. Mbase i ngjashëm me Mussolinin sot është kancelari gjerman, si garant ndërmjetës; ndërsa viktima, ajo që ka zëvendësuar Çekosllovakinë e vitit1938 është Ukraina e sotme, një shtet sovran, anëtare e Kombeve të Bashkuara. Putini, përmes “Doktrinës ruse të sigurisë kombëtare” pretendon që NATO, jo vetëm duhet të mos zgjerohet me shtete të rinj, si Suedia, Filanda, Gjeorgjia dhe veçanërisht Ukraina, të cilën rusët e konsiderojnë si tokë historikisht të tyren, por ajo të tërheqë bazat dhe trupat ushtarake edhe nga ato vende që rrethojnë Rusinë, sikundër janë Vendet Balltike, Polonia apo edhe vende si Rumania dhe Bullgaria. Perëndimorët, që duan ta shohin Rusinë si një shtet komb, modern dhe demokratik, miqësor me fqinjët e vet dhe të distancuar nga synimet perandorake të tre shekujve të kaluar, i gjejnë të arsyshme aspiratat e shteteve fqinjë me të për tu antarësuar në NATO, si mjeti i vetëm per tu mbrojtur prej saj. E kaluara komuniste, që ishte për to njëherazi edhe pushtim rus, nuk është fort e largët. Takimet e nivelit të lartë të këtyre ditëve të fundit, sidomos ajo midis sekretarit amerikan të shtetit, Blinken dhe ministrit të jashtëm rus, Lavrov, pikërisht synojnë të gjejnë një zgjidhje, diplomatike dhe paqesore të konfliktit që t’i kënaqë të dyja palët.  A do të lëshojnë perëndimorët si bënë 84 vjet më parë në Munih me Hitlerin, lëshime që passollën Luftën e dytë botërore apo do të rezistojnë ndaj kërkesave ruse? Kjo mbetet për tu parë, por një gjë është e sigurt, se Putini, ndonse është i ngjashëm me Hitlerin nga pretendimet për një Rusi të madhe perandorake, është tip racional dhe jo emocional si Hitleri. Mbase, me këto që bën, kërkon të marrë disa miliarda dollarë për të përmirësuar ekonominë që, ç’është e vërteta, është shumë larg mundësive për të mbajtur një shtet të superarmatosur siç ishte dikur Bashkimi sovjetik që falimentoi pikërisht për këtë shkak.

somario

Perëndimorët, që duan ta shohin Rusinë si një shtet komb, modern dhe demokratik, miqësor me fqinjët e vet i gjejnë të arsyshme aspiratat e shteteve fqinjë me të për tu antarësuar në NATO