Forumi në gazetën “Telegraf”: Shqiptarët emigrant nëpër botë, rezultojnë votuesë në Shqipëri

326
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Mospublikimi i emrave të votuesve, hije dyshimi për manipulim të rezultatit zgjedhor

Identifikimi elektronik nuk e pengonte votuesin të votonte disa herë me të njëjtat shenja gishtash!

Flasin për “Telegraf” Ledio Braho, anëtar i KAS, Prof. Kristaq Kume dhe Hysen Osmanaj

Në portalin zyrtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021, shënohet se numri i përgjithshëm i votuesve në Shqipëri është 3.588.869, ndërsa numri i votuesve  është 1.662.386. Gjithashtu, sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, 1.578. 297 është numri i fletëvotimeve të vlefshme, ndërsa 83.001 është numri i fletëvotimeve të pavlefshme. Nëse, me një veprim të thjeshtë aritmetik, mbledhim shumën e fletëvotimeve të vlefshme dhe të pavlefshme, kemi shifrën 1.661.298, ndërkohë, që numri i votuesve është 1.662. 386.

Pra, me këto të dhëna zyrtare të KQZ-së, del që 1.088 votues në zgjedhjet e 25 prillit, dalin të tepërt, pasi nuk korrespondon shuma e numrit të votuesve me shumën e fletëvotimeve të vlefshme dhe të pavlefshme. Më qartë, numri i fletëvotimeve në kutitë e votimit, është 1.088 më pak sesa numri i zgjedhësve që votuan në 25 prill. Ku janë 1.088 fletë votimi? Apo 1088 zgjedhës u regjistruan në librin e votimit, por nuk hodhën fletëvotimi në kuti votimi?

“Indentifikimi elektonik, që u zbatua në 25 prill, nuk të lejonte të votoje pa vënë shenjën e gishtit, por nuk të ndalonte, që, duke përdorur shumë lloj karta identiteti, të përdorje të njëjtën shenjë gishti disa herë”

Fakte të krimit zgjedhor të pranuara edhe nga KAS

Në ankimimet e Opozitës në KAS u provua se, megjithë përdorimin e identifikimit elektronik, disa votues kanë votuar disa here, duke përdorur kartë identiteti të ndryshëm, por të njëjtat shenjat e gishtave. Së dyti, u provua që në kuti votimi kishte fletëvotimi më shumë, ose më pak, sesa numri i votuesve. Por, për të bërë transparencë se cilët votuan realisht, KQZ nuk publikon asnjë listë të votuesve. Një kandidat deputet, denoncoi, se në 25 prill, në regjistrat e votimit rezultojnë se kanë votuar vajzat e tij, që atë ditë, njëra ndodhej në Gjermani dhe tjetra ndodhej në Itali. Po sa raste të tjera përmbajnë kutitë e votimit, ku mijëra shqiptarë, që nuk kanë ardhur në Shqipëri, të jenë të regjistruar në listat e KQZ-së si votues?

Indentifikimi elektonik, që u zbatua në 25 prill, nuk të lejonte të votoje pa vënë shenjën e gishtit, por nuk të ndalonte, që, duke përdorur shumë lloj karta identiteti, të përdorje të njëjtën shenjë gishti disa herë

Fshehja e listës së votuesve dhe manipulimi i votës

Një miku im emigrant më pohoi: “Në qershor të 2017-s, ndodhesha familjarisht në Athinë, ku jetoj 25 vjet. Asnjë nga pjesëtarët e familjes time nuk erdhi në Shqipëri të votonte. Pas një viti, një kushëri me thotë me mburrje, se ai kishte hedhur në kuti votimi 3 fletë votimi, për secilin pjesëtar të familjes time, edhe pse ne, në bazë të të dhënave të TIMS, rezultojmë se kemi qenë në ditën e votimit të qershorit 2017, jashtë Shqipërisë. Nga kurioziteti e pyeta kushëririn: Si i hodhe ti fletëvotimet në emër të familjes time? Ku i dije ti të dhënat e kartës ID dhe pasaportat tona? Kushëriri qeshi: Sa naiv që je? Kot e kemi qeverinë ne? Në dorën tonë janë të gjitha të dhënat e çdo shqiptari që është regjistruar në listat për të votuar.”

Edhe në zgjedhjet e 25 prillit 2021, në portalin zyrtar të KQZ-së, janë të gjitha të dhënat e shifrave të votimit, por mungon vetëm një e dhënë: Publikimi i listës me emra e mbiemra se kush votoi? Sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, del se në 25 prill 2021, votuan  46,32%  e zgjedhësve të regjistruar.

Por, megjithëkëtë, në të dhënat zyrtare të KQZ-së nuk ka asnjë të dhënë, se sa janë votuesit që jetojnë në Shqipëri dhe sa është numri i votuesve, që jetojnë e punojnë në emigrim. Sepse nga 3.588.869 votues të regjistruar, nuk dihet sa janë ata që jetojnë në emigrim, që nuk kanë ardhur të votojnë.  Sepse, nëse dimë, sa është numri i votuesve që jetojnë në Shqipëri, do të gjenim realisht, sa është përqindja e votuesve në zgjedhjet e 25 prillit. Sepse, nëse, e zëmë, që në Shqipëri jetojnë përshembull, 2.3 milionë zgjedhës, atëherë del që 72,2 % është pjesëmarrja e votuesve në zgjedhje. Nuk mund të përllogarisim votuesit që nuk vijnë në Shqipëri asnjëherë, edhe pse formalisht ata janë të regjistruar akoma në regjistrin e Gjendjes Civile, ngaqë nuk duan të lenë shtetësinë shqiptare. KQZ-ja, duket të ketë të tilla të dhëna të plota.

Flasin për gazetën “Telegraf” :

Asnjëra palë nuk ka patur interes, që të publikohet lista e votuesve, humbësi kërkon ta përligjë humbjen elektorale, pikërisht me akuza, denoncime, padi për manipulim të zgjedhjeve, me pretendime se u hodhën vota më shumë, sesa numri i votuesve

Ledio Braho, anëtar i KAS

– Zoti Braho, përse nuk publikohet nga KQZ-ja lista e votuesve?

– Publikimi i listës së votuesve në zgjedhje nuk është e parashikuar në asnjë dokument, qoftë në Kodin Zgjedhor. Asnjë subjekt elektoral deri tani, nuk pa paraqitur ankimim në KAS, pse nuk publikohet lista e zgjedhësve. Subjektet elektorale, nëse dëshirojnë, mund ta marrin listën.

– A mendoni se publikimi i listës së votuesve mund të përbëjë problem për ruajtjen e privatësisë?

– Unë nuk e gjykoj kështu, se përbën problem, por deri tani, në asnjë proces zgjedhor të zhvilluar në Shqipëri, nuk ka pasur asnjëherë, në asnjë rast, publikim të listës të atyre që votuan. Kushdo votues që është në listën zgjedhore, ka të drejtë, që me kërkesë pranë KQZ-së, të mësojë, nëse është regjistruar në listën e votuesve. Në të kundërt, nuk do të ketë publike asnjë listë të votuesve.

– A nuk i shërben transparencës që të publikohet lista e zgjedhësve, në mënyrë të tillë që çdo shqiptar kudo që është, të mund të verifikojë, se nëse, kur nuk ka qenë i pranishëm në Shqipëri, apo edhe kur është në Shqipëri, por nuk shkoi në votim, a kanë votuar të tjerë në emër të tij?

– Kjo duhet të refletohet në Kodin Zgjedhor, gjë që deri tani, nuk është e parashikuar.

“Me dijeninë time, asnjë palë politike nuk ka kërkuar që reforma zgjedhore të përmbajë detyrimin që institucioni që administron zgjedhjet, të publikojë listën e plotë të të gjithë atyre që votuan”

Prof. Kristaq Kume, ish- kryetar i KQZ-së

-Prof. Kume, ju keni marrë pjesë në komisionet e reformës zgjedhore. A është kërkuar që në Kod  Zgjedhor, të përmbahet detyrimi i publikimit të listës zgjedhore, për të bërë transparencë, se kush votoi dhe kush nuk votoi?

– Me dijeninë time, asnjë palë politike nuk ka kërkuar që reforma zgjedhore të përmbajë detyrimin që institucioni që administron zgjedhjet, të publikojë listën e plotë të të gjithë atyre që votuan. Mendoj se asnjëra palë nuk ka patur interes, që të publikohet lista e votuesve, pavarësisht se pas çdo zgjedhjeje, humbësi kërkon ta përligjë humbjen elektorale, pikërisht me akuza, denoncime, padi për manipulim të zgjedhjeve, me pretendime se u hodhën vota më shumë, sesa numri i votuesve, se janë hedhur në kuti edhe vota në emër të atyre që nuk erdhën fare në votime. Subjektet politike në reformën zgjedhore për 25 prillin, kërkuan më shumë që të zbatohej teknologjia elektonike, si zgjidhje për të shmangur votimet e shumëfishta, etj.

– Në KAS u provuan shumë fakte, që disa votues kanë votuar shumë herë për llogari të të tjerëve, madje edhe të njëjtët persona kanë votuar për llogari të të tjerëve me të njëjtat shenja gishtash…

– Në fakt, identifikimi elektronik, siç u zbatua, kishte si qëllim vetëm depozitimin e të dhënave, që më pas mund të kryqëzonin këto të dhëna për të nxjerrë statistika. Por, çuditërisht, nga asnjë parti politike në reformën zgjedhore nuk u kërkua, që identifikimi elektronik të pengonte votuesit që votonin më shumë se një herë. Kështu, teknologjia e identifikimit elektonik që u zbatua në 25 prill, nuk të lejonte të votoje pa vënë shenjën e gishtit, por nuk të ndalonte, që duke përdorur shumë lloj karta identiteti, të përdorje të njëjtën shenjë gishti disa herë. Pra, identifikimi elektronik, siç e kërkuan vetë subjektet politike në reformën zgjedhore, mund të evidentojë se cilët persona kanë votuar disa herë, në sajë të shenjave të gishtit, por nuk u parashikua që identifikimi elektronik ta parandalonte votimin dy herë, nëse votuesi përdorte të njëjtën shenjë gishti, pavarësisht se paraqiste kartë identiteti të ndryshëm.

– Prof. Kume, cili është gjykimi juaj: A është shkelje e privatësisë, publikimi i emrave të votuesve?

– Po ditën e votimit, cilido shkon e voton i lirë, në prani të të gjithëve, në prani edhe të kamerave, madje, për herë të parë tani në Qendrat e Votimit, brenda aty ku votohet, u vendosën kamera, ku u regjistrua çdo votues. Mendoj, që në vende që ende demokracia nuk është arrirë në standarde të këtilla, që të mos vihet në dyshim asnjë votë, duhet të ketë publike listat e votuesve, në mënyrë të atillë, që secili të verifikojë a është regjistruar votues, kur nuk ka shkuar të votojë? Teknologjia në identifikimin elektronik të votuesve, duhet të jetë e tillë, që të sinjalizojë  në moment rastet kur dikush përpiqet të votojë 2 herë me të njëjtat shenja gishtash dhe ta ndalojë atë.

“Me këto të dhëna zyrtare të KQZ-së, del që 1.088 votues në zgjedhjet e 25 prillit, dalin të tepërt, pasi nuk korrespondon shuma e numrit të votuesve me shumën e fletëvotimeve të vlefshme dhe të pavlefshme”

Hysen Osmanaj, ekspert i çështjeve zgjedhore

-Zoti Hysenaj, a fsheh të dhëna të manipulimit të votës, mospublikimi i listës së votuesve?

Asnjë nuk e di nëse figuron ose jo në listën e votuesve, edhe në rastet kur nuk ka shkuar farë në votime, apo nuk ka qenë në Shqipëri. Që të mësosh këtë për veten tënde, duhet të drejtosh kërkesë në KQZ, gjë që shumëkush nuk e bën. Prandaj, ndodh që ata që hedhin fletëvotimi në kuti në emër të të tjerëve, nuk kanë asnjë pasojë ligjore. Unë mendoj se nuk përbën asnjë shkelje të privatësisë, nëse publikohet lista e votuesve. Edhe kur KQZ-ja publikon se votuan përshembull, 46,32% në 25 prill, në fakt, kjo shifër nuk është reale, sepse qindra mijëra zgjedhës, që janë të regjistruar në listat e votimit, nuk janë kurrë votues potencialë, pasi kanë dhjetëra vite që nuk kanë ardhur. Duhet të kemi një tregues real. Numrin e votuesve që jetojnë në Shqipëri, për ta krahasuar me numrin e votuesve, që të themi me realizëm, sa është përqindja e pjesëmarrjes në votime.