Punime skandaloze të tenderit elektoral nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit

275
Sigal

Ura e Darëzezës në Fier u shkatërrua në mesin e kësaj jave, ndërkohë që ajo është pjesë e rikonstruksionit, në bazë të një tenderi me fond limit 340 milionë lekë të vjetra, të fituar nga kompania “Vëllezërit Hysa”. Një kamion i rëndë tregoi për cilësinë skandaloze të punimeve të nisura pas një tenderi elektoral, të zhvilluar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Të dhënat e Agjencisë së Prokurimit Publik tregojnë se, institucioni i drejtuar nga Dritan Agolli ka shpallur në shkurt 2021, tenderin me objekt “Ndërtimi i Urës Automobilistike së Darëzezës, Fier”, me fond 34.3 milionë lekë të reja, rreth 300 mijë euro. Tenderi u mbyll në 7 prill 2021, pak ditë para zgjedhjeve të përgjithshme për Parlamentin e ri Shqiptar. Sipas informacionit zyrtar, në tender kanë marrë pjesë 4 kompani, një prej të cilave është skualifikuar për shkak të mungesës së dokumentacionit të plotë. Në përfundim, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, shpalli fitues kompaninë “Vëllezërit Hysa”, e cila kishte paraqitur ofertën prej 27 milionë lekë të reja. Sipas projektit, Ura e Darëzezës duhet të përfundonte brenda 14 javëve nga nisja e punimeve. Në dokumenta, fotografitë me rezolucion të lartë tregojnë se Ura e re e Darëzezës, do të jetë shumë moderne dhe funksionale. Megjithatë, në terren, gjërat duket se janë shumë më ndryshe. Diçka e tillë u konfirmua mëngjesin e së enjtes, kur një kamion rrëzoi jo vetëm urën, por edhe projektet plot ngjyra në letër. Kompania “Vëllezërit Hysa”, sipas të dhënave zyrtare, rezulton një prej shoqërive që është shpallur fituese e shumë tenderave të zhvilluar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, si edhe nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Emri i saj u përfshi në skandalin e tenderit mbi 20 milionë euro e Unazës së Re, ku, deri më tani, fajtor është gjendur vetëm një djalosh i ri, i cili rezultonte si administrator i kompanisë fantazëm ‘DH-Albania”. Administratorët e kompanisë “Vëllezërit Hysa” ishin gjithashtu pjesë e një hetimi të zhvilluar pak vite më parë nga prokuroria e Elbasanit, për rikonstruksionin e rrugës “Elbasan- Gjinar”. Në atë hetim, krahas ish-drejtuesve të lartë të Autoritetit Rrugor Shqiptar, u arrestuan fillimisht edhe pronarët e shoqërisë “Vëllezërit Hysa”. Megjithatë, ata u liruan më pas dhe hetimi e gjykimi ndoqën rrjedhën normale ligjore./Boldnews.al