Dhoma Amerikane: Këto nuk janë sinjale pozitive për investimet e huaja

104
Sigal

Raporti i “Transparency International” për korrupsionin, Dhoma Amerikane: Keqardhje, këto nuk janë sinjale pozitive

Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë Enio Jaço shprehet se raporti i Transparency International për vitin 2021 për Shqipërinë është tregues dhe i përgjigjet qartë pyetjes mbi klimën e biznesit në vend. Sipas Jaços, zbatimi i pabarabartë i ligjit dhe qasja autoritare e qeverive ka bërë që Shqipëria të ngecë në progresin me antikorrupsionin.“Pyetjes së përsëritur mbi klimën e biznesit në Shqipëri i jep përgjigjen sot raporti i Transparency International për 2021. Lexova intervistën e Lidija Prokic, Këshilltare për Evropën Lindore dhe Juglindore e Transparency International në Zërin e Amerikës.

Është për të ardhur keq, që në një hark prej 10 vitesh, mungesa e Transparencës me Prokurimet Publike, zbatimi i pabarabartë i ligjit dhe qasja autoritare e qeverive ka bërë që Shqipëria të ngecë në progresin me antikorrupsionin. Me një mungesë të thelluar përparimi, Shqipëria nuk po i lëshon sinjale pozitive investitorëve, por as po zhvillon potencialet e saj.

Dhoma Amerikane prej një viti ka parashtruar rëndësinë e ngritjes së një mekanizmi anti-korrupsion me masa ndëshkimore legjislative për zyrtarët e korruptuar, si dhe për krijimin e hapësirës për përfshirjen e medias dhe shoqërisë civile në denoncimin e rasteve korruptive.

Shqipëria nuk ka më kohë për të humbur dhe korrupsioni është humbja më e madhe për vendin. Duhet një vullnet i gjithanshëm politik, institucional dhe bashkëpunim i të gjithë aktorëve që praktikat anti-korrupsion të bëhen realitet”- deklaron ai.